Sekrete në kuzhinë: Fakte që (mbase) nuk i dinit për disa ushqime
Përse biskotat janë me vrima? Sa mish bagëtie ka në një hamburger? Ç’hyn teknologjia nukleare te lëngu i bananes? A jeni të sigurt se kroasantët i kanë shpikur francezët? Ja atëherë disa nga sekretet e vogla të ushqimeve të përditshme
Pema e bananeve … nuk është një pemë
Bima e bananeve quhet pema e bananeve … teknikisht ajo është një bimë barishtore, jo një pemë, përderisa rrënjët nuk përmbajnë inde të vërteta të një peme. Ajo rritet për rreth një vit dhe më pas, pasi prodhon frutat në pjesën më të madhe të saj, “vdes”.
Kroasantët nuk i kanë shpikur francezët
Ata rrodhën nga kipferl-et austriake dhe u importuan në Francë në gjysmën e parë të viteve 1800, kur oficeri i artilerisë austriake themeloi “Boulangerie Viennoise” në Paris. Por fjala “croissant” megjithatë është franceze: tregon rritjen dhe emrin e merr prej formës së gjysmëhënës.
Ketçapi (ketchup) ishte një ilaç
Për një periudhë, në shekullin e XIX, ketçapi përdorej si medikament: kështu e shihte më 1835-n dr. John Cook Bennet, presidenti i departamentit të mjekësisë së Universitetit Willoughby në Ohajo (SHBA). Ai mendonte se domatet mund të kuronin sëmundjet si diarreja, verdhëza dhe mostretja. Bennett e huazoi këtë besim nga William Smith, një mjek nga Miçigani. Ketçapi i shëndetit shitej me pilula. Ideja u bë një sukses i padiskutuar derisa dikush zbuloi efektin pastrues të domateve.
Kikirikët nuk janë arra, por bishtajore
E çuditshme, por e vërtetë! Kikirikët i përkasin së njëjtës familje të bishtajoreve si bizeleve, fasuleve dhe thjerrëzave.
Përtypja e çamçakëzit heq dëshirën për fruta dhe perime
Shkencëtarët kanë zbuluar se personat që përtypin çamçakëz preferojnë ushqime të ëmbla dhe hiperkalorike. Dhe kjo, sepse, substanca kimike përgjegjëse e shijes së mentes te çamçakëzi i bën ushqimet e kripura, e sidomos frutat dhe perimet, duke i dhënë një shije të pakëndshme. Kryesuesja e grupit të studimit (44 vullnetarë), Christine Swoboda, nga Universiteti i Ohajos së Shteteve të Bashkuara, shpjegon se “e njëjta gjë ndodh nëse pimë nga lëngu i portokallit menjëherë pasi kemi larë dhëmbët: do të ketë një shije shumë të keqe”.
Përse pjesa më e madhe e biskotave kanë vrima?
E thjeshtë: për të shmangur formimin e flluskave gjatë pjekjes. Pa ato, biskotat nuk mund të gatuhen në mënyrën e duhur: vrimat bëjnë të mundur lëvizjen e avullit dhe në këtë mënyrë biskotat mbesin të sheshta (pjesa më e madhe e tyre).
Në një hamburger të fast-food mund të ndodhet mishi i më shumë se 100 bagëtive të ndryshme
Ai që e konfirmoi këtë ishte filiali britanik i McDonalds, pasi disa gazeta kishin shkruar se hamburgerët e famshëm, si ushqim i shpejtë, përmbanin mishin e më shumë se qindra bagëtive.
“Kafeina” e çokollatës
A ju duket sikur çokollata ju jep energji? Ka një arsye: çokollata është substanca që përmban më shumë teobromin, një stimulant i ngjashëm me kafeinën. Ashtu si kjo e fundit edhe teobromina mund t’ju ndihmojë që të jeni më vigjilentë dhe jo të përgjumur.
Për të përfituar lëngun e një bananeje duhet një teknologji nukleare
Në vitin 2004, disa shkencëtarë indianë kanë patentuar një mënyrë për të nxjerrë lëng nga bananet duke mos u bërë si qull. Gjëja e habitshme është se për këtë fakt është vënë në punë i gjithë departamenti i agrokulturës nukleare dhe bioteknologjisë, Bhabha Atomic Research Centre (BARC), një nga strukturat më të rëndësishme indiane për kërkimet bërthamore.
Burimi: Revista Focus