Sekretet që diferencojnë të pasurit nga të varfrit
Më të pasurit e njëpërqindëshit të botës aktualisht kontrollojnë 48 për qind të pasurisë botërore. Tetëdhjetë njerëzit më të pasur në botë kontrollojnë 1.9 trilionë dollarë, që është në fakt sasia që 3.5 miliardë njerëz kanë në anën tjetër të spektrit. Është e pabesueshme që 80 njerëz kanë pasuri të barabartë me 3.5 miliardë njerëz!
Pyetja që ngrihet është nëse jemi ne viktima të rregullave të krijuara nga të pasurit për ekonominë globale apo jemi shumë frikacakë për të krijuar pasurinë tonë? Mendohet që shumica e 80 personave ta kenë trashëguar pasurinë e tyre, por në fakt vetëm 11 prej tyre e kanë të trashëguar dhe 69 të tjerët e kanë krijuar vetë.
Kështu, nëse studiojmë gjërat që bëjnë të pasurit dhe fillojmë t’i bëjmë edhe vetë, kemi një shans më tepër për të fituar para.
Të pasurit besojnë te përfitimi prej rezultatit
Të pasurit besojnë se ata duhet të paguhen në lidhje direkte me vlerën që i shtojnë tregut të punës. Kështu, nëse ata prodhojnë një produkt, për të cilin ka nevojë e gjithë bota, ata duhet të marrin një kompensim për çdo kopje të shitur. Ndërsa një person jo i pasur beson se ne të gjithë duhet të paguhemi njëlloj, pavarësisht rezultatit që sjellim. Me këtë mendësi, shpikjet me shumë gjasa nuk do të ekzistonin dhe mirëqenia nuk do të zhvillohej.
Të pasurit përqendrohen te mundësitë, jo te pengesat
Është gjithçka çështje perspektive. Atje ku dikush sheh një treg të pamundur për t’u zhvilluar, një tjetër sheh një mundësi të artë për të krijuar nga e para një treg. Të varfrit shpesh shohin pengesat dhe heqin dorë shpejt, ndërsa të pasurit shohin mundësitë dhe hyjnë në zona ku shumë prej nesh nuk i kanë menduar.
Ata shoqërohen me njerëz pozitivë dhe të suksesshëm
Të pasurit e dinë se pozitivizmi është gjithçka. Nëse ata vazhdimisht do të dilnin me njerëz që ankohen për motin, shajnë qeverinë dhe flasin negativisht për ekonominë, atëherë me shumë gjasa do të fillonin të bënin të njëjtën gjë. Por nëse këta individë flasin për suksesin, mundësitë dhe aspektet e tjera pozitive të botës, atëherë do ta shohin realitetin nga një perspektivë tjetër.
Ata promovojnë veten dhe vlerat e tyre
Të pasurit nuk kanë frikë t’ju tregojnë se sa të mëdhenj janë. Shumicën e kohës, ata nuk janë të turpshëm për këtë, sepse kjo është e vërteta. Të varfrit mund të jenë të mirë në shumë gjëra, por ata nuk e promovojnë kurrë veten, sepse nuk kanë vetëbesimin e duhur. Kështu ju do të mendoni se ata nuk kanë aftësi. Nëse doni të bëheni të pasur, duhet të dini të ‘shisni veten’.
Të pasurit i tejkalojnë problemet e tyre
Kur të varfrit shohin një problem, të pasurit shohin një zgjidhje. Në vend që të bien në dëshpërim për fatin e tyre të keq, njerëzit e suksesshëm gjejnë një zgjidhje dhe nuk heqin dorë. Ata punojnë fuqishëm derisa të zbulojnë se si mund ta adresojnë problemin dhe të fitojnë në fund.
Të pasurit i kanë të dyja, jo njërën ose tjetrën
Ekonomistët zbuluan termin kosto oportune shumë kohë më parë. E thënë thjesht, kjo do të thotë se nëse zgjidhni diçka, po hiqni dorë nga një gjë tjetër. Kjo është edhe mënyra se si mendojnë të varfrit. Ata kanë një sasi të caktuar parash dhe mendojnë nëse do ta shpenzojnë në një gjë apo në një tjetër. Duket logjike, por të pasurit përqendrohen në mënyrën për t’i pasur të dyja.
Të pasurit gjejnë rrugën për të shitur diçka që të fitojnë mjaftueshëm para sa t’i blejnë të dyja.
Të pasurit flasin për fitime, të varfrit për të ardhura
Kur të varfrit flasin në termat e pagesës në orë, të pasurit flasin për fitimin në një orë. Dikush mund të fitojë shumë para, por nëse nuk mëson si t’i mbajë ato, do të përfundojë trokë. Një i pasur e di se sa më shumë para të fitojë aq më shumë mund të investojë.
Të pasurit mësojnë vazhdimisht
Nëse mendoni se ju duhet të përpiqeni sa për të arritur diçka dhe se nëse e arrini nuk do t’ju duhet të shqetësoheni më, atëherë e keni shumë gabim. Për të mbajtur pozicionin e dëshiruar do t’ju duhet të mësoni vazhdimisht dhe të rriteni si person, kjo është ajo që bëjnë të pasurit. Ata e dinë se sa më shumë të mësojnë, aq më shumë kanë gjasa t’ia dalin me sukses çdo sfide.
Të pasurit e marrin edhe rrugën e vështirë
Të varfrit shpesh mbeten të varfër, sepse ata marrin gjithnjë rrugën e lehtë, derisa e gjejnë veten në rrugë qorre. Të pasurit nuk e kanë problem të ndjekin rrugën e vështirë, sepse ata kanë një mentalitet afatgjatë. Jeta aktuale mund të jetë e vështirë, por ata e dinë se veprimet e tyre tani do t’i sjellin një gjë të mirë në të ardhmen, ndaj përqendrohen të vazhdojnë atë që kanë planifikuar të bëjnë.
*Burimi: Business Insider