Sekuestrohet drogë në një kamionçinë, 3 në pranga. Kush është ‘bosi’ nga Lezha që drejtonte trafikun
Sekuestrohen mbi 25 kg lëndë narkotike në një kamionçinë në Lezhë, ndërsa në pranga ranë tre persona, mes tyre dy kosovarë.
Burime zyrtare nga policia lokale bënë me dije se në kuadër të operacionit të koduar ‘Deltar’ u arrestuan shtetasit Besim Gashi, 47 vjeç dhe Sami Vatija, 41 vjeç, të dy nga Kosova si dhe Ilir Markvukaj, drejtuesi i trafikut të drogës, nga Lezha.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur pronari i një servisi, ku ishte bërë ambalazhimi i drogës.
NJOFTIMI I POLICISË
Vijojnë kontrollet në kuadër të Planit Operacional Kombëtar për evidentimin dhe goditjen e rasteve të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe për sekuestrimin e pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Deltar”.
Sekuestrohen 25 Kg 230 gr lëndë narkotike e dyshuar Mariuanë
Arrestohet në flagrancë drejtuesi i këtij rrjeti të trafikut narkotikësh, 2 shtetas të tjerë transportues
Shpallet në kërkim pronari i vendit ku përgatitej lënda narkotike
Në vijim të procedurave të verifikimit të burimeve të vendosjes së pasurisë ,deri tani u sekuestruan në total 7 automjete
Specialistët e Seksionit për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në kuadër plan operacionit të lartëpërmendur si edhe duke u bazuar në informacione të siguruara në rrugë policore, kanë bërë të mundur finalizimin me sukses të operacionit të koduar “Deltar”.
Si rezultat i tij u bë i mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
• Besim Gashi , 47 vjeç, banues në Kosovë
• Sami Vatija, 41 vjeç, banues në Kosovë
Këta 2 shtetas, në Kryqëzim të Rriles, janë ndaluar nga shërbimet e policisë duke drejtuar mjetin Volkswagen kamionçinë, ku në brendësi të saj kishin modifikuar vendin e fshehjes së lëndës narkotike Mariuanë, e ndarë në 19 pako të mbështjella me natriban, e cila pas peshimit rezultoi 20 kg.
Në vijim të veprimeve policore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– Ilir Markvukaj, 41 vjeç, banues në Lezhë, i dyshuar si drejtuesi i këtij rrjeti të trafikimit të lëndës narkotike drejt shtetit Kosovë.
Gjithashtu u shpall në kërkim e punohet për kapjen e shtetasit D.M. 49 vjeç, banues në Lezhë, pronar i servisit ku ishte përgatitur dhe paketuar lënda narkotike. Po në këtë servis, gjatë kontrollit të ushtruar janë gjetur e sekuestruar edhe 5 kg 230 gr lëndë narkotike Mariuanë. Lidhur me 2 shtetasit e fundit, vijon puna për verifikimin e pasurive, pasi i’u evidentuan dhe i’u sekuestruan në total 7 automjete në pronësi të tyre, ndër to Hammer, Mitsubish etj
Vepra penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve Besim Gashi dhe Sami Vatija.
Veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga nenet 283 dhe 287 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasve Ilir Markvukaj dhe D.M. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.