Opinion

Serbët duhet të fitojnë luftën me veten

Nëse lobimi nacionalist serb do arrijë ta orientojë UEFA-n në rrugën pa krye të kapjes pas aktit të një tifozi nacionalist shqiptar apo provokatori serb, fshehur diku jashtë stadiumit dhe institucioneve, atëherë mund të them me plot gojën se e kanë më lehtë të kapin së pari të paktën 30 000 të tillë që ishin në shkallët e stadiumit dhe demonstronin me forma nga më të ndryshmet të njëjtën gjë, madje më shumë.

Nga Ardian Turku

Ardian Turku
Ardian Turku

U desh një ndeshje futbol li midis Kombëtares sonë dhe asaj të Serbisë që, në mënyrë të rrufeshme, të rindizen gjakrat e nacionalizmit ekstrem, të kësaj plage që me sa duket mjafton t’i gërvishtësh pak koren për t’u rishfaqur. Po ashtu të ndezjes së një odiseje deklaratash nga të gjithë, që nga qytetarët e thjeshtë, njerëz të futbollit, analistë, njerëz të mediave e deri në rangjet e larta politike, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, sigurisht edhe në Shqipëri. Kjo nuk më çudit, ndodh kudo, në çdo vend, edhe në ato me demokraci të zhvilluara, sepse ngjarje të tilla nuk janë privilegj individësh a grupimesh.
Mënyra si e shfaq gjithsecili, koha apo momenti kur e shfaq, qëllimi apo motivi dhe pa diskutim pesha publike e gjithsecilit, janë gjërat që bëjnë dallimin.

Nisur nga ky këndvështrim, e them me siguri se pa pasur fare nevojë për të ulëritur dhe dalë në rrugë e ekrane, pa pasur nevojë të shajnë apo djegin flamuj publikisht, fare qetësisht, mijëra dhe qindra mijëra shqiptarë janë ndier shumë krenarë për maturinë dhe profesionalizmin e Kombëtares sonë në fushën e blertë, por si asnjëherë tjetër janë mahnitur dhe mrekulluar nga qëndrimi dinjitoz, krenar dhe i patrembur i këtyre futbollistëve në një mjedis tmerrësisht aktiv armiqësor psikologjik, kërcënimi e dhune fizike, para ndeshjes, gjatë zhvillimit e sidomos që nga ndërprerja e ndeshjes. Momenti vuri në provë pikërisht ata. Asnjë futbollist nuk e uli kokën, asnjë i trembur, por që të gjithë krenarë për vendin dhe kombin që përfaqësonin, qëndruan stoikë përballë cunamit të urrejtjes kolektive nacionaliste e raciste ekstreme, përballë rrugaçëve e kriminelëve që u lejuan nga policia të futeshin atje, brenda në fushë, përballë njerëzve që Federata serbe i kishte vënë për sigurinë, por që sulmuan vetë futbollistët derisa arbitri, i konsultuar besoj me zyrtarët e UEFA-s, ndërpreu ndeshjen. Jemi krenarë për këta futbollistë edhe pse stresi që krijoi qëndrimi i pashembullt armiqësor nga njëra anë dhe përgjegjësia e përfaqësimit dinjitoz të vendit nga ana tjetër ishte prezent në tërë qenien e tyre që në momentin e parë të shkeljes në Beograd, e sidomos nga momenti i ekzekutimit të himnit kombëtar e më tutje. Mjafton të përfytyrojmë një amfiteatër gjigant 32 000 tifozësh, që në kor ulëritës kërkojnë ekzekutimin e njëmbëdhjetë “gladiatorëve skllevër”, përfaqësues të një vendi e kombi dhe ekzekutimin e vdekjen e kombit të tyre, me gishtin e madh të dorës të ulur poshtë për të kuptuar makabritetin më shumë se mesjetar të asaj atmosfere. E pabesueshme të mendosh se ky ishte mjedisi i një aktiviteti të organizuar nga UEFA, e cila përtej sportit, promovon tolerancën dhe paqen, bashkimin dhe bashkëpunimin, respektin dhe antiracizmin.
Por, në kushtet që pamë, a kishte kuptim zhvillimi i një ndeshjeje të tillë, një ndeshjeje në kuadrin e një kompeticioni europian, më i rëndësishmi i futbollit të kontinentit, që më së shumti synon të promovojë vlerat që sapo përmendëm? Ndoshta duhet të adresojmë disa pyetje retorike për UEFA-n dhe shtetarët e lartë serbë: A duhet të zhvillohet një ndeshje e këtij kompeticioni në një vend organizator i cili nuk është i aftë, ose më saktë nuk dëshiron të krijojë kushtin e mikpritjes dhe të pranisë së tifozëve miq në stadium? Cili është faji i futbollistëve dhe shqiptarëve në këtë rast?

A i konsideron ajo normale qëndrimet, deklaratat, kufizimet, kërcënimet e autoriteteve serbe për shqiptarët, për simbolet, pjesëmarrjen e praninë e tyre në Serbi dhe stadium duke i krahasuar me kërkesat e veta ashtu siç respektohen në çdo vend tjetër pjesëmarrës në këtë aktivitet? Për sa më sipër, kushtëzimet dhe deklaratat serbe që i paraprinë kësaj ndeshjeje përgjatë dy javëve, në emër të sigurisë, qetësuan apo intoksikuan më tej mjedisin dhe qarqet nacionaliste serbe? Cili është faji i futbollistëve dhe shqiptarëve në këtë rast?
A është mjedis normal psikologjik për një ekip kombëtar europian e më gjerë, kur që me zbritjen në aeroport, në autobus futet një person zyrtari, i armatosur, qoftë edhe për arsye gjoja shoqërimi?

A ndodh kjo me ekipet e tjera kombëtare? Po trysnia e rrethimit të hotelit me policë e forca ushtarake? Cili është faji i futbollistëve dhe shqiptarëve në këtë rast?
A mund të zhvillohet një ndeshje zyrtare pa flamurin zyrtar të ekipit mik që valëvitet krahas flamurit te vendit pritës dhe atij të vetë UEFA-s? Kjo ndodhi, u hoq, të tjerë u dogjën, por a ka ndodhur kjo në një vend tjetër dhe a do ta kalojë ky organizëm pa e vënë re? Nëse kjo nuk do t’i bëjë përshtypje UEFA-s, dhe rregullat i vendosin serbët, a nuk do të duhet që herën tjetër, Kombëtarja shqiptare të luajë zhveshur, pa fanellën kombëtare? Apo mendohet se serbët, për “rrethana” na e paskan këtë të drejtë? Cili është faji i futbollistëve dhe shqiptarëve në këtë rast?

A mund të tolerohet nga UEFA që himnit kombëtar mik t’i ulet volumi nga zyrtarët e stadiumit për të mundësuar dominimin total të fishkëllimave, ofendimeve, sharjeve, thirrjeve ofenduese naciona liste e raciste, thirrjeve kriminale për dhunë, vrasje dhe vdekje të lojtarëve dhe një kombi të tërë? A mund të lejohet kjo ndërkohë që futbollistët mbanin tabelën “no racism” dhe “respect”? A ishin këto thirrje të veçuara apo, siç të gjithë e pamë, të mirorganizuara, gjatë gjithë ndeshjes, masive e të bashkëshoqëruara edhe me banderola e gjeste të tjera? Cili është faji i futbollistëve dhe shqiptarëve në këtë rast ndërkohë që edhe ambasadori gjerman në Shqipëri i quan të turpshme? A mund të tolerohet nga UEFA hedhja e sendeve të forta dhe të rrezikshme në fushën e blertë, duke shkaktuar ndërprerjen disa herë të ndeshjes, dhe sa ka ndikuar kjo negativisht në lojën e ekipit shqiptar? Cili është faji i futbollistëve dhe shqiptarëve në këtë rast? Për aq sa e kam ndjekur, parë e dëgjuar, për aq sa njoh rastet e ndodhura të përgatitjes dhe zhvillimit të ndeshjeve, UEFA ka dështuar pasi, mesa duket, duhej të mos e kishte lejuar fare ndeshjen. Nëse i janë dhënë garancitë dhe besoj se i janë dhënë, mashtrimi është përgjegjësi e serbëve dhe dështimi është përgjegjësi edhe i zyrtarëve të UEFA-s. Kjo e fundit duhet ta pranojë këtë fakt. Sepse ajo nuk mund të fshihet pas “padijenisë mbi historinë e marrëdhënieve të largëta dhe të afërta midis serbëve dhe shqiptarëve” apo “padijenisë mbi kushtet serbe për zhvillimin e ndeshjes që me sa duket donin vetëm njëmbëdhjetë dele në fushën e lojës, pa mbështetje dhe pa simbole, për t’i rrjepur e ngrënë të gjallë”.
Nuk duhej dhe nuk mund të lejohej një ndeshje e tillë, me kushtëzime sa fyese aq edhe të pabarabarta dhe jokorrekte, pa shtuar këtu se çfarë ndodhi më tej. Nuk di pse, por me siguri, nga ngjashmëria, në analizë të ngjarjes dhe pretendimeve të mëtejshme serbe, m’u kujtua një film i famshëm me subjekt një ndeshje futbolli midis të burgosurve të një kampi nazist të Luftës së Dytë Botërore dhe përfaqësueses së ushtrisë gjermane të atjeshme. Pas ndeshjes të burgosurit do të ekzekutoheshin.

A mund të na thotë kush se sa ish-ushtarakë e paramilitarë serbë të gjenocidit kosovar ishin në shkallët e stadiumit, në radhët e policisë në stadium e jashtë tij, si edhe në radhët e stjuartëve? Me gjithë shfaqjen e një dëshire kolektive turme ku dallohej një urrejtje e tillë, besoj ka pasur jo pak serbë që e shikonin me trishtim skenën. E disa dinjitozë prej tyre, që nga kapiteni serb, nuk do t’i harroj dot. Presidentit Platini, aq i mirënjohur dhe i dashur për mua dhe të gjithë shqiptarët, më shumë si futbollist legjendë botërore, por edhe për pozicionin e tanishëm, gjithashtu do të doja t’i adresoja pyetje, sigurisht retorike: A ka ai ndonjë të dhënë të përfshirjes së ekipit dhe stafit shqiptar, apo të pjesës VIP shqiptare qoftë edhe në incidentin më të vogël?
A ka ai dijeni për trajtimin aspak dinjitoz e fyes, gjithmonë në emër të sigurisë, të çdo gjëje shqiptare në aeroport dhe stadium jo vetëm nga tifozët, por edhe nga stjuartët? Po sikur droni të ishte bombë, faji do të ishte i shqiptarëve? Me gjasa autorët e dronit janë shqiptarë, por edhe nëse mund të jenë apo të ishin p.sh. provokatorë serbë, grekë apo terroristë çfarëdo etj., kujt i takonin masat e sigurisë?

A ka ai ndonjë rezervë ndaj ekipit shqiptar për sjelljen në fushë? Si do të sillej p.sh. Pepe ndaj fyerjes së simboleve portugeze apo nëse dikush, i sigurisë së stadiumit, do t’i gjuante me karrige në kokë Ronaldos për ta lënë të vdekur në mes të fushës? Por nuk dua t’i shmangem momentit të banderolës (kompozuar me elemente simbole të Shqipërisë e shqiptarëve pa apo me tonalitete nacionaliste) në minutën e 42-të, si moment që kazanit të tejmbushur me shkulme dhe të destinuar të derdhej, i mundësoi derdhjen. Në atë mjedis të avantazhit mbytës e antisportiv, fyes dhe kërcënues ndaj shqiptarëve dhe simboleve të tyre, ajo banderolë ishte një shuplakë, një rrufe në qiell të pastër, bërë nga dikush që mban përgjegjësi vetëm për kokën e vet, nga jashtë stadiumit, në reagim të gjithçkaje që kishin bërë serbët përpara dhe gjatë ndeshjes. Edhe pse nuk e dimë kush është autori, sot për shqiptarët ai është hero dhe për serbët një shqiptar që duhet rrjepur i gjallë dhe vrarë edhe pa bërë atë që bëri. Pse e konsiderojmë si hero? Sinqerisht që po të ishim pritur si miq në Beograd dhe gjithçka do ishte korrekte, do të ndihesha i turpëruar nga ngritja e banderolës dhe mesazhin bartës që mendohet se provokon serbët. Por si shpjegohet që serbët, ata që vetë denigrojnë, provokojnë, kërcënojnë, dhunojnë mikun dhe kombin e tij, brenda në shtëpinë e tyre dhe në sistem, institucionalisht deri në nivelet më të larta të drejtimit të shtetit, e quajnë vetën të paprekshëm nga një veprim, qoftë edhe provokues e nacionalist ndaj tyre? Aq më tepër kur nuk ka të bëjë fare me ekipin mik, shpurën e tij dhe me asnjë gjë tjetër zyrtare shqiptare? Madje edhe kur pala shqiptare pranoi zhvillimin e ndeshjes në respekt të tolerancës, pranoi të gjitha kufizimet e palogjikshme të organizatorëve serbë, që morën kështu ekskluzivisht përsipër çdo lloj përgjegjësie organizative dhe të sigurisë? Çfarë sedre e sëmurë dhe çfarë megalomanie! Çfarë vetëkonsiderate paprekshmërie! Ky është problemi i tyre.
Të gjithë kombet kanë individë a grupime që përfshihen në nacionalizëm ekstrem apo në krime të ndryshme. E veçanta e nacionalizmit serb është se ai është nacionalizëm dhe racizëm i pastër shtetëror, deri në nivelet e megalomanisë. Këtë e dëshmojnë qartazi pretendimet serbe për pranimin e ekipit kombëtar, por jo të shqiptarëve dhe simboleve kombëtare të tyre në Serbi. E dëshmon zhvillimi i ndeshjes në kushte të papranueshme presioni, dhune, intolerance dhe racizmi e, për fat të keq, e dëshmojnë deklaratat e Presidentit, Kryeministrit, ministrit të Jashtëm dhe autoriteteve të tjera serbe. Kam mendimin se zyrtarët e lartë serbë kanë demonstruar një nivel shumë të lartë papërgjegjshmërie jo thjeshtë në raport me shqiptarët, por në aspektin e pjekurisë politike dhe korrektësisë ndërshtetërore që duhet të respektojë një lidership në nivel rajonal dhe më gjerë. Madje ftuan edhe vendet e lidershipin e rajonit të bien në nivelin më të ulët të nacionalizmit duke dashur të prekin sedrën e tyre. Duke mos u shfaqur dot në nivelin e duhur, në të kundërt, demonstruan se janë ata vetë avangarda e nacionalizmit dhe racizmit dhe se problemi i vërtetë nuk janë shqiptarët, por urrejtja primitive, patologjike që gëlon brenda tyre dhe brenda disa institucioneve serbe. Sa me shpejt ta kuptojnë, aq më mirë do të jetë për ta. Sa për ne si shqiptarë, ka rëndësi rruga integruese, fqinjësia e mirë, zhvillimi dhe prosperiteti i rajonit si i tërë. Për këtë duhet të përpiqemi. Nëse dikush urren sigurisht do urrehet, nëse dhunon të tjerët, nuk duhet të çuditet kur një ditë u ndodh dhe atyre vetë, nëse përbuz, djeg, ofendon identitetin dhe simbolet kombëtare të dikujt nuk duhet të surprizohet kur në këmbim, kurrkujt nuk i plas për të tyret. Sfidën e kanë me veten. A mundet të dalin serbët dhe lidershipi i tyre mbi veten e tyre? Mesa duket ende janë larg. Dhe të paktën në 25 vitet e fundit historia vetëm se i ka dënuar serbët dhe Serbinë. Shpresoj shumë që UEFA do të ndalet në një analizë realiste, duke pranuar edhe gabimet e veta. Madje nuk është Shqipëria, por vetë UEFA në provën e rëndë se sa e aftë është të pranojë përgjegjësitë dhe të mbajë me dinjitet peshoren e së vërtetës. Nëse lobimi nacionalist serb do arrijë ta orientojë UEFA-n në rrugën pa krye të kapjes pas aktit të një tifozi nacionalist shqiptar apo provokatori serb, fshehur diku jashtë stadiumit dhe institucioneve, atëherë mund të them me plot gojën se e kanë më lehtë të kapin së pari të paktën 30 000 të tillë që ishin në shkallët e stadiumit dhe demonstronin me forma nga më të ndryshmet të njëjtën gjë, madje më shumë. E jo vetëm tifozët, ca më keq edhe ofiqarët. Por, nëse kjo do të ndodhë, institucionet kanë rënë. Futbolli ka humbur. Dhe vetë UEFA. Gjithsesi, kam besim tek UEFA, jo pa një minimum frike zhgënjimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button