Rajoni

Serbia në udhëkryqin e interesave të fuqive të mëdha

Serbia ka raporte tradicionalisht të mira me Rusinë. Por që pas shpërthimit të krizës në Ukrainë, Serbia është bërë edhe më interesante për SHBA-në. A thua do të lëvizë Serbia drejt Perëndimit?

Nuk ka shumë politikanë të nivelit të lartë, të cilët ende i njohin të gjithë lojtarët sovjetikë të hokejit në akull, që në vitin 1980 ishin favoritët kryesorë për të fituar titullin në Lojërat Olimpike në Lake Placid. Ai ka qenë tepër i dëshpëruar kur ata humbën në finale kundër SHBA me rezultat 4:3, në një lojë e cila në historinë e sportit është futur si “Mrekullia mbi akull”. “Pas kësaj ndeshjeje pothuajse nuk kam mundur të fle fare”, kujton sot në një intervistë kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Nga një nëntëvjeçar, që dikur shihte hokej në akull, ai u kthye më pas në një nacionalist radikal, që urren SHBA dhe do Rusinë. Por edhe kjo pjesë e jetës së tij i takon të kaluarës. Javën e kaluar ai ishte për vizitë në SHBA, ku foli për partneritetin “me miqët tanë amerikanë”.

Gazi

Vizita në Uashington i ngjan një kthese. Sepse Serbia deri tani shihej si një satelit i vogël i Moskës. “Gazi është një prej shkaqeve kryesore e rinisjes së lojërave strategjike në Ballkan”, mendon Millan Qulibrk, kryeredaktor i revistës serbe NIN. Si edhe vendet e tjera në rajon, Serbia varet nga gazi rus, i cili kalon nëpër territoret e pasigurta në Ukrainë, por që nuk paguhet me çmime tepër vëllazërore. Kreu i qevrisë serbe ka shpresuar me vite ndërtimin dhe kalimin nëpër Serbi të South-Stream-Pipeline, për transferimin e gazit rus nëpër Detin e Zi dhe Bullgari. Por projekti South-Stream dështoi për shkak të rregullave evropiane. Gazpromi ka paralajmëruar se do ta ndalojë kalimin e gazit nëpër Ukrainë në vitin 2019.

“Serbia është e detyruar të kërkojë alternativa të reja”, thotë Qulibrk për DW. Një prej opcioneve është që kjo linjë e gazit rus të kalojë tani nëpër Turqi. Ndërsa mundësia e dytë është furnizimi me gaz nga Azerbajxhani. Dhe mundësia e tretë është që gazi nga SHBA të transportohet me anije deri tek ujdhesa kroate Krk. Kërkimi i burimeve alternative të gazit quhet nga Vuçiq si “diversifikim”. Por shumëkush mendon se Serbia me këtë hap i kthen shpinën Rusisë dhe drejtohet nga SHBA. Gazeta serbe Blic e titullon tekstin kryesor: “Lamtumirë shoku Putin”.

Vuçiqi nuk ka sjellë nga SHBA vetëm ide të reja për furnizim me energji. Pas shumë takimeve me politikanë të njohur amerikanë dhe ekonomistë të mëdhenj, ai foli për investimet amerikane dhe mbështetjen amerikane për një anatërsim më të shpejtë në BE. Prej më shumë se tre vitesh Serbia është kandidate për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Por negociatat nuk kanë filuar. Vëzhguesit e shohin këtë si një llioj sanksioni ndaj Serbisë për shkak të raporteve të ngushta me Rusinë.

Vëllazëria dhe pragmatizmi

Megjithë partneritetin e zbuluar tani me SHBA, lidhjet historike të Serbisë me vëllezërit ortodoksë nga Rusia janë shumë të thella. Në sondazhet më të reja thuhet se 50% e qytetarëve të Rusisë kanë mendim pozitiv për Rusinë. Moska konsiderohet edhe si mbrojtëse e “Kosovës serbe”, edhe pse ajo e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe ndërkohë është njohur si shtet nga shumica e vendeve, por jo edhe nga Rusia, si anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB. Ndërkohë që SHBA në vitin 1999 drejtoi sulmet ajrore të NATO-s kundër Serbisë, ku gjetën vdekjen me qindra civilë dhe u shkatërruan shumë objekte.

Titelseite Serbische Zeitung Blic

Por tema e Kosovës është sot prezente në potlikën serbe më shumë si ritual, mendon Jelica Miniq nga “Lëvizja Evropiane”. Ndaj ky “gjest i vullnetit të mirë” nga ekonomia amerikane mund të ndikojë në ndryshimin e disponimit në Serbi. “Lidhjet emocionale nuk janë të parëndësishme, por njerëzit janë pragmatikë dhe e mbështesin atë që ofron zhvillimin e ekonomisë kombëtare”, thotë ajo në bisedë me DW.

Në udhëkryq

Njohësit e rrethanave janë të një mendimi: pas krizës në Ukrainë, Serbia dhe i gjithë Ballkani janë vënë sërish në qendër të vëmendjes së forcave të mëdha. Ky rajon është “in the line of fire”, pra në vijën e parë të frontit, thotë ministri i Jashtëm amerikan John Kerry. Serbia luan këtu një rol të veçantë jo vetëm për shkak se nuk ka mbështetur sanksionet kundër Rusisë dhe për shkak të pjesëmarrjes në paradën ushtarake ruse me rastin e përvjetorit të fitores ndaj fashizmit, por edhe për faktin se sivjet ajo kryeson OSBE-në. Ndërkohë që Serbia ka dhe një pozitë të rëndësishme gjeostrategjike në qendër të Ballkanit, thotë Miniq. “As Perëndimi dhe as Rusia e Turqia – e cila ka interesa në këtë rajon – nuk duan t’i lenë pasdore raportet me Serbinë. Për ne kjo ka potencialisht përparësi, por sjell edhe shumë rreziqe.”

Gazeta Blic shkruan se Serbia është nën presion të madh. “Perëndimi thotë se Serbia ka të drejtë të ruajë miqësinë me Rusinë; ndërsa Rusia pohon se nuk ka asgjë kundër anëtarësimit të saj në BE. Por asnjëri prej tyre nuk e thotë të vërtetën”, shkruan gazeta. Edhe Qulibrk është i brengosur: “Ballkani mbetet një vend ku përplasen interesat e fuqive të mëdha.” Loja vazhdon, sepse menjëherë pas vizitës në SHBA, kryeministri Vuçiq është ftuar për vizitë zyrtare në Moskë nga homologu i tij rus Dmitri Medvedev, ndonëse ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka qenë për vizitë në Serbi në mes të majit. Nga fillimi i korrikut në Beograd pritet edhe një mysafire speciale – kancelarja gjermane Angela Merkel.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button