Sezoni turistik- MTI: Prioritet, mirëmbajtja e akseve rrugore drejt zonave turistike
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka intensifikuar punën për finalizimin e punimeve dhe riparimin e disa segmenteve rrugore nacionale, që të çojnë drejt zonave turistike të vendit.
Përmes një njoftimi për shtyp të MTI-së, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar ndërhyrjen në segmentin e frekuentuar Orikum-Llogara, në zonën e Dukatit, me problematikë të shfaqur prej disa vitesh me rrëshkitjen e dherave. Segmenti prej 3 km i rrëshkitjes në zonën e Dukatit është korrigjuar provizorisht, deri sa rruga të zhvendoset në një sipërfaqe më të qëndrueshme. Drejtuesit e mjeteve mund të lëvizin pa pengesa në këtë segment rrugor, që paraqiste rrezikshmëri të lartë.
Projekt tjetër me rëndësi është segmenti Qafë Thanë-Lin-Pogradec, me gjatësi 17.6 km, ku është përfunduar asfaltimi në të gjithë gjatësinë e segmentit dhe brenda muajit qershor do të plotësohet me elementet e sinjalistikës dhe sigurisë rrugore, në funksion të sigurisë rrugore dhe qarkullimit komod të qytetarëve.
Segmenti Berat-Lushnjë (3 Lote), me gjatësi 32.15 km, ku punimet po ecin me ritme të shpejta, aktualisht është siguruar shtrimi me asfalt në të gjithë gjatësinë e tij. Brenda qershor do të instalohet sinjalistika rrugor edhe barrierat mbrojtëse metalike në këtë segment.
Gjithashtu vijon puna për rehabilitimin e segmentit Gjirokastër-Ura e Viroit.
Paralelisht me këto ndërhyrje edhe përfundime projektesh, ARRSH është në fazë procedurale të rehabilitimit të disa segmenteve të tjera me rëndësi, si segmenti Gjirokastër-Korçë, ku është në proçedurë segmenti Ura e Leklit – Përmet, si dhe rruga që lidh sitin arkeologjik të Bylisit me aksin Levan-Tepelenë, ku puna për rehabilitimin e kësaj rruge lidhëse fillon brenda muajit qershor.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës thekson se rëndësi të veçantë po i kushtohet mirëmbajtjes me bazë monitorimi të disa segmenteve me fluks më të lartë qarkullimi në sezonin turistik, siç është rruga nacionale Rrogozhinë-Butrint, apo segmenti Tiranë-Durrës.
Apelojmë gjithë qytetarët të ruajnë elementët e sinjalistikës dhe inkurajojmë denoncimin e rasteve të dëmtimit apo vjedhjes së saj.