Shalli i harruar në Café Sarah Bernard
Nga Luan Rama
Kafeneja “Sarah Bernard” qëndron në cep të Senës, si një zonjë e rëndë, dy hapa nga ajo rrjedhje lumi që të kujton vitet, kohën që shkon, jetën efemere, klithmat e gëzuara, mugëtirën dhe trishtet e mëdha njerëzore, ndoshta pse dhe portreti i aktores e tragjedianes së madhe, që dikur luante Fedrën apo Ofelinë shikon tutje xhamave, nga ajo fotografi, me një vështrim të humbur, botën njerëzore që la pas… skenën, ku jeta luhej për së dyti: dramat, gëlimi i shpirtit, duartrokitjet dhe dehja e triumfit. Kafeneja është po atje, në “Place Chatelait”, me muret e dikurshme dhe një dekor të viteve ’30, atje, në këmbët e “Teatrit Chatelait”, por dhe përballë një teatri tjetër, çka tregon dashurinë e madhe që francezët kanë për teatrin.
Atje zbarkojnë aktorët pas shfaqjeve, këngëtarët, muzikantët, balerinët, siç kemi kaluar dhe ne pas shfaqjeve të Angjelin Preljocaj në shumë prej premierave të tij, duke filluar me “Dasmën”, “Paradën”, “Casanova”… Një ditë po pija i vetëm një whisky, në qetësinë e pasdites, kur ende njerëzit s’kanë dalë nga puna për të kaluar mbrëmje të trishta, gëzuara apo bosh, pa ndjesinë më të vogël.
Po shkruaja diçka kur një vajzë hyri duke parë përreth sikur të kërkonte dikë. Bjonde, flokëlëshuar, me një fytyrë disi të skuqur s’dihet pse, ajo u ul më së fundi diku më tej, anash meje, çuditërisht poshtë fotografisë së madhe të Sarah Bernard, pa e ndjerë se ishte në tavolinë mitike, pasi aty yhuhej se ulej gjithnjë akotorja e famshme kur mbaronte shfaqjet dhe ku shlodhej në netët e vona pas gjithë asaj tronditje emocionale që sjell skena dhe drama njerëzore. Tërhoqi shallin e saj të hollë, porositi një “Chablis”, një gotë verë të bardhë, dhe vështroi nga ora. Ishte e habitshme se të dy portretet, njëri poshtë tjetrit të dukej se ngjasonin, por me një ndryshim, pasi tragjediania e madhe ishte brune, por sytë, sytë ishin të mëdhenj, të bukur, gjithë hire.
Pas pak ajo njomi buzët me verën e bardhë dhe u pështet pas karriges sikur të donte të merrte frymë thellë. Vallë kishte nxituar? Nga vinte? Si quhej? Kë priste? Vallë një histori dashurie? Cfarë? Me siguri… kishte shumë hire në atë figure të gjatë, gjithë sharm…
Ajo ç’kopsiti pak këmishën dhe ja ku u shfaq disi një pjesë e gjoksit të saj. Me siguri kishte vapë, edhe pse ishte pranverë dhe jashtë kishte pak erë. Por dukej që ajo kishte nevojë për më shumë ajër, një lloj çlirimi që vjen pas një ndrydhje të madhe.. Kishte buzë të pulpta, rozë, pak të hapura, duke kaluar herë pas here gjuhën e saj sit ë donte ta njomte nga ajo lloj etje, përhumbje… Prania a saj çuditërisht më shkëputi nga ajo që po shkruaja në një copë letër dhe herë pas herë e vështroja, çka më kujtoi historinë e Hemingueit, në vitet e para luftës, kur i ardhur në Paris ishte ulur i vetëm në një kafene.
Një episod i bukur që ai e përshkruan në librin « Parisi, një festë e pampbarimtë », pasi për të Parisi ishte përherë një festë e gëzuar, që ai e përjetoi plotësisht, ashtu siç kishte qenë për gjithë brezin e tij që nga brigjet e Atlantikut kishin zbritur këtu në Paris, “brezin eh umbur” siç e kishte quajtur me shaka mikesha e tij amerikane Gertrud Stein. Ktheva gotën dhe rastësisht vështrimet tona u pikëtakuan.
Ajo buzëqeshi lehtë dhe unë gjithashtu. Por shpejt e ndjeva se padurimi po e kapte dalëngadalë në atë pritje të gjatë, duke kthyer herë pas here kokën nga xhamat, majtas e djathtas, çka dukej se priste dikë. Po, kështu kishte ndodhur dhe me Heminguein, në një nga kafenetë pranë sheshit “Place de Saint Michel”, kur ai ishte duke shkruar një histori që lidhej me Miçingan, duke pirë një rhum martinikez, Saint-James.
Po, kështu kishte ndodhur kur kishte hyrë ajo vajzë e njomë në atë mbremje të freskët dhe ai ek ishte humbur fillin e të hskruarit, duke pare nga ajo. “E pashë, – shkruante Heminguei, – dhe kjo më krijoi një shqetësim të madh. Doja ta vendosja në tregimin tim apo në një tregim tjetër dhe po e vështroja”… Ai kishte kërkuar një rhum tjetër dhe duke vështruar me endje nga vajza e panjohur kishte thënë me vete: “Të pashë bukuroshe, tani ti më përket mua, pavarësisht se prët një tjetër… madje edhe nëse nuk të shoh më, unë do mendoj gjithnjë për ty!” – dhe ai vazhdoi të shkruante, por kur ngriti kokën, vajza kishte ikur me të dashurin e saj…
E ktheva sërrish gotën e whisky-t. E si mund të vazhdoja të shkruaja? Sigurisht nuk isha një Heminguei… Imazhi i saj më tërhiqte çdo çast, ndoshta pse doja të kuptoja një gjendje, atë trazirë shpirti të një njeriu të dashuruar, në pritje, ndoshta në zhgënjim e sipër… Ndoshta. Vajza tutje i binte telefonit dhe përsëri e mbyllte. Kthente kokën sa majtas – djathtas, vështronte orën, hidhte sytë nga telefoni dhe një çast vështroi sipër duke ndjerë se kishte një tablo.
Por kur vështroi nga ajo, pikasi portretin e tragjedianes. Sarah Bernard, aktorja e famshme e njëqind dashurive, akotrja që u detyrua të priste një këmbë që i shpëtonte vdekjes dhe që ashtu, me këmbë të prerë kishte dalë të përcillte ushtarët francezë që shkonin drejt frontit…Benard që gjithë jetën kishte kërkuar një dashuri të madhe dhe nuk e kishte gjetur atë. Pastaj, e përhumbur, duke parë sërrish nga telefoni i saj, ajo u ngrit me një lloj rrebelimi dhe la monedhat mbi tavolinë.
Madje nuk vështroi nga unë, as nga kamarieri që ta falenderonte, por doli me nxitim dhe humbi në turmën njerëzore.
Dera u përplas dhe vetëm atëherë pashë kamarierin që ngriti supet me një buzëqeshje të lehtë. Sigurisht, nuk ishte hera e parë që ai shihte skena të tilla. Ja pse kamarierët janë psikologë të mahnitshëm dhe kanë aftësinë të kuptojnë gjendjet shpirtërore të njerëzve, të aftë të kuptojnë se cilët janë bujarë, të paqtë, depressive, të tradhëtuar, të pafat apo melankolikë, ata që e marrin jetën si një lojë e që duan veç të zbaviten.
Nuk kishin kaluar as dy minuta kur papritur kamarieri u afrua të hiqte gotën nga tavolina, kur papritmas syri i tij pikasi diçka në këmbët e karriges. Ishte një shall, shalli i asaj vajze që si duket i kishte rrëshqitur në kohën që priste me ankth dhe kthehej sa nga një anë në tjetrën.
Ai e mori dhe menjëherë doli tek dera se mos ndoshta shikonte siluetën e saj. Por vështirë ta pikaste në atë lum njerëzor që kalonte mbi trotuar dhe që zgjatej drejt Senës dhe një kryqëzimi. Kamarieri u kthye me shallin në dorë dhe më vështroi duke ngritur sytë. “Ndoshta vjen ta marrë, – më tha ai dhe me një buzëqeshje të lehtë duke u larguar drejt banakut me shallin në duar.
Pas pak dola dhe unë. Frynte fllad. Ecja duke menduar sërrish figurën e asaj vajze dhe duke kërkuar figurën e saj mes atyre qindra turistëve që lëviznin në të dy kahet. Shkova gjer në udhëkryq, atje buzë urës, ku përballë dukej « Conciergerie », ndërtesa mesjetare ku dikur ishte mbyllur mbretëresha Marie Antoinette para se asaj t’i prisnin kokën e po kështu dhe burrit të saj, mbretit, Louis XVI.
Sena rridhte, ndërkohë që unë vështroja majtas e djathtas se mos e pikasja figurën e saj, ato leshra të gjatë të tundur nga era. Por jo, askund nuk e pashë. Qëndrova një çast me vështrimin e humbur dhe vazhdova tutje me imazhin e atyre syve të gjelbërt me një ngjyrë emerodi të thellë, gurkali, që të joshin menjëherë. Ecja ngadalë. Pranvera sapo kishte filluar… Dhe Sena që shkonte tutje nën urë, më kujtonte “Urën Mirabeau” dhe vargjet e Apollinaire për të dashurën e tij Lou…
Më kujtonte turmën njerëzore e të gjitha kohrave që në mugëtirën e njerëzimit, duke kërkuar të kuptoj thelbin e vet jetës. Vallë jeta njerëzore është thjesht « procreation», pra vazhdimësia e pjellës, gjinisë, familjes, kombit apo është diçka tjetër më thelbësore, e qenësishme, ajo e mishit dhe e gjakut, ajo e frymës dhe pulsimit të shpirtit, ajo e përjetimit të dashurive të forta, pasi nga gjithë kjo histori njerëzore kanë mbetur veç emra martirësh, sundimtarësh të dhunshëm, luftrash shfarosëse dhe mbi të gjitha dashuritë e mëdha. Dhe kjo e fundit ngrihet mbi trazirat e botës, jetës, ekzistencës dhe kohës vetë.
Kjo e fundit është pra ajo që përshkëndrit dhe nuk harrohet në këtë rrotullim të furishëm të botës që ne nuk e ndjejmë dhe që kujtojmë se është e fiksuar, e përjetshme. Veç dashuritë e mëdha meritojnë të kujtohen. Ja pse ne rivijmë gjithnjë në dashuritë e një Abelard dhe Heloïse, e një Botticelli dhe Simonetta, e një Eluard dhe Gala, e një Aragon dhe Elsa, e një Neruda dhe Matilda…
Bota jep shpirt dhe zgjohet sërish në agun e nesërm dhe këto dashuri janë si filizat e barit që shkëlqejnë me vesën e mëngjesit në një tokë vullkanike dhe ku vullkanet edhe pse janë shuar, jeta pritet të lind sërish…