Bota

SHBA, BE, Britania e Madhe pajtohen të heqin banka të caktuara ruse nga sistemi i pagesave, SWIFT

Në një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, udhëheqësit e Komisionit Evropian, si dhe Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, thanë se gjatë ditëve të ardhshme do të zbatohen masa të reja.

“Së pari, ne angazhohemi të sigurojmë që bankatë caktuara ruse të hiqen nga sistemi i mesazheve SWIFT. Kjo do të sigurojë që këto banka të shkëputen nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe të dëmtojë aftësinë e tyre për të operuar në nivel global”, thuhet në komunikatë.

Sistemi SWIFT shërben si ndërmjetës dhe ekzekutues i transaksioneve financiare ndërmjet bankave në mbarë botën.

Masa e dytë kufizuese, thuhet më tej, është pengimi i Bankës Qendrore Ruse që të shfrytëzojë rezervat e saj ndërkombëtare në mënyra që “pengojnë ndikimin e sanksioneve tona”.

Aleatët thanë se angazhohen të veprojnë “kundër personave dhe subjekteve që lehtësojnë luftën në Ukrainë dhe aktivitetet e dëmshme të qeverisë ruse. Në mënyrë të veçantë, ne angazhohemi të marrim masa për të kufizuar shitjen e shtetësisë – të ashtuquajturat ‘pasaporta të arta’ – që lejojnë rusët e pasur të lidhur me qeverinë ruse të bëhen qytetarë të vendeve tona dhe të kenë qasje në sistemet tona financiare”.

Në komunikatë thuhet se javën e ardhshme do të formohet “një grup punues transatlantik, që do të sigurojë zbatimin efektiv të sanksioneve financiare duke identifikuar dhe ngrirë pasuritë e individëve dhe kompanive të sanksionuara që ekzistojnë brenda juridiksioneve tona”.

Në komunikatë u dënua sërish sulmi i Moskës mbi Ukrainën. Lufta e Rusisë paraqet një sulm ndaj rregullave dhe normave themelore ndërkombëtare që kanë mbizotëruar që nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat ne jemi të përkushtuar t’i mbrojmë. Ne do të kërkojmë llogari nga Rusia dhe kolektivisht do të sigurojmë që kjo luftë të jetë një dështim strategjik për Putinin. Ne qëndrojmë me popullin ukrainas në këtë orë të errët”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button