SHBA dhe Koreja e Jugut forcojnë bashkëpunimin, çfarë deklaruan dy diplomatët
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë rënë dakord të ruajnë komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë për çështjen bërthamore të Koresë së Veriut dhe promovimin e paqes në Gadishullin Korean.
Marrëveshja u arrit gjatë një telefonate të hënën mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm të Koresë së Jugut, Cho Hyun, raportoi agjencia Yonhap, duke cituar Ministrinë e Jashtme të Koresë së Jugut.
Në deklaratën e ministrisë nuk u përmend nëse dy diplomatët riafirmuan angazhimin për denuklearizimin e Koresë së Veriut. Megjithatë, ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për çështjen bërthamore të Phenianit dhe ruajtjen e një qëndrimi të fortë të mbrojtjes së përbashkët.
“Ministri dhe sekretari ranë dakord të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë midis Koresë së Jugut dhe SHBA-së për paqen në Gadishullin Korean dhe zgjidhjen e çështjes bërthamore të Koresë së Veriut”, thuhet në deklaratë.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, tha se Rubio nënvizoi nevojën që dy vendet të qëndrojnë në koordinim të ngushtë për çështjet që lidhen me aleancën mes tyre.
Gjatë bisedës, Cho deklaroi se qeveria e Koresë së Jugut do të bëjë përpjekje për të shfrytëzuar mesazhin e fundit të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Koresë së Veriut për të nxitur rifillimin e dialogut mes Uashingtonit dhe Phenianit.
Sipas Seulit, objektivi mbetet krijimi i kushteve për dialog dhe forcimi i paqes dhe stabilitetit në Gadishullin Korean.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.