Bota

SHBA e sigurojnë Ukrainën për mbështetje

Në një vizitë në Kiev, ministri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis e quajti Rusinë një kërcënim për Evropën. Ukraina festoi pavarësimin nga Bashkimi Sovjetik, 26 vjet më parë.

Ministri i Mbrojtjes i SHBA, Mattis tha se qeveria e tij po shqyrton në mënyrë intensive çështjen e dërgimit të armëve amerikanë në Ukrainë, që ajo të mbrohet. Ai tha se është e qartë që Ukraina nuk është agresore. Ajo mbron territorin e saj, tha Mattis.

Uashingtoni nuk do ta njohë aneksimin prej Rusisë të gadishullit të Krimesë. Është e ditur se Rusia synon t’i ndryshojë kufijtë ndërkombëtarë në Evropë me ndihmën e dhunës, tha ai. Aktualisht, SHBA e mbështesin Ukrainën me ndihma ushtarake në shumën 640 milionë euro. Qeveria e Kievit ka vite që kërkon më shumë armë, veçanërisht raketa kundërtanke.

Respektim i Marrëveshjes së Minskut

Pas një bisede me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, Mattis ritheksoi se SHBA do të ushtrojnë me aleatët e tyre edhe më tej presion ndaj Rusisë dhe do t’ia imponojnë Rusisë kaq kohë respektimin e marrëveshjeve të Minskut, derisa Rusia të ndjekë rrugën për të cilën është rënë dakord.

Mattis shkoi në Kiev me rastin e paradës ushtarake të Ukrainës, në 26 vjetorin e pavarësisë së saj nga Bashkimi Sovjetik. Në paradë, në sheshin Maidan marshuan rreth 4500 pjesëtarë të forcave të armatosura dhe të organeve të sigurisë të Ukrainës dhe ushtarë vendesh aleate. 7000 policë u kujdesën për sigurinë e paradës në sheshin e pavarësisë.

Në paradë morën pjesë edhe veteranë të luftës që po zhvillohet që prej prillit 2014 në Lindje të vendit. Atje, ushtria ukrainase lufton kundër separatistëve, që mbështeten nga Moska. Sipas të dhënave të OKB-së, jetën e kanë humbur më shumë se 10.000 vetë. Që prej mesnatës së djeshme (24.08.) do të hyjë në fuqi një armëpushim i ri, me rastin e fillimit të shkollës në 1 shtator.

Por megjithë masat e sigurisë, në lagjen qeveritare në Kiev ndodhi një shpërthim, në të cilin u plagosën një burrë dhe një grua. Sipas dëshmitarëve, një “objekt i panjohur” qe hedhur në rrugë. Forcat e sigurisë besojnë se kemi të bëjmë me akte vagabondësh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button