SHBA – Katie Zacharia largohet nga posti i zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë vetëm pas pak ditësh
UASHINGTON, 15 tetor /ATSH-DPA/– Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, është larguar nga detyra vetëm pak ditë pasi mori këtë post, njoftoi sot një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump la të kuptohej se Zacharia mund të mos qëndronte gjatë në këtë detyrë.
“Ta them sinqerisht, po të isha në vendin e saj, do ta mendoja edhe një herë”, u tha Trump gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Ai shtoi se, sipas tij, mediet ishin sjellë “shumë keq” me të.
Presioni ndaj Zacharia u rrit shpejt pas konferencës së saj të parë për shtyp, të martën. Konferenca zgjati shumë pak dhe u kritikua gjerësisht.
Më pas, ajo u vu nën vëzhgim për shkak të dyshimeve mbi vlefshmërinë e kualifikimeve të saj ligjore.
Ajo pranoi dje se kishte ngelur në provimin e jurisprudencës, një provim që duhet kaluar për të ushtruar profesionin e avokatit në SHBA.
Trump shmangu përgjigjen ndaj pyetjes së një gazetari, nëse do të kishte dashur ta dinte përpara emërimit të Zacharia se ajo kishte ngelur në këtë provim.
Disa nga deklaratat e saj tërhoqën gjithashtu vëmendje negative jashtë SHBA-së.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, e ftoi Zacharia të vizitonte Kinën, pasi zëdhënësja amerikane kishte deklaruar se Kina “nuk kishte as tualete të përshtatshme”. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.