SHBA – Një minutë heshtje në përkujtim të 11 shtatorit 2001
SHBA-ja përkujton sot 15-vjetorin e atentateve të 11 shtatorit 2001 me një minutë heshtje në “Ground Zero”.
Në këtë ceremoni do të jenë pranishëm dy kandidatët për presidenciale në krahë të forcave të policisë dhe familjarëve të viktimave, njëkohësisht do të zhvillohet një ceremoni edhe në Pentagon, që ishte gjithashtu shënjestër e atentateve, ku do të jetë i pranishëm Barack Obama me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter.
Rreth 3000 persona vdiqën në sulmet e zhvilluara nga 19 ekstremistët e Al Kaedas që përdorën avionë linje të marrë peng me të cilët goditën kullat e “World Trade Center” në Nju Jork dhe Pentagonin, ndërsa një tjetër u rrëzua në Pensilavni nga një revoltë në bord.
Rreth 75 000 persona vuajnë edhe sot nga probleme mendore dhe fizike të lidhura me këto sulme, ku shumë foca shpëtimi kanë thithur grimca kancerogjene në përpjekje për të shpëtuar sa më shumë jetë.
Për herë të parë që prej dy shekujsh, SHBA-ja u sulmua në një qytet të vetin. Amerikanët u përgjigjën duke filluar një luftë botërore kundër terrorizmit që vazhdon të shkaktojë vuajtje edhe sot e kësaj dite.
Në Nju Jork, emërat e të vdekurve do të lexohen në një ceremoni përkujtimore në Ground Zero, aty kur dikur ngriheshin kullat binjake të shëmbura nga atentatet dhe në në bazë të “One World Trade Center” tani ngrihet “Freedom tower”, një kullë e re, edhe më e lartë se sa e vjetra.
Dy kandidatët demokratë dhe republikanë për zgjedhjet presidenciale, senatorja e Nju Jorkut në kohën e atentateve, Hillary Clinton dhe manjati i pasurive të patundshme në Manhatan, Donald Trump do të jenë gjithashtu të pranishëm në ceremoninë përkujtimore.
Këmbanat e vendeve fetare në Nju Jork do të bien në çastet e para të heshtjes, në 08:46 me orën lokale, ora në të cilën avioni i parë, fluturimi 11 i “American Airlines”, goditi njërën prej kullave.
Nga ana tjetër presidenti amerikan, Barack Obama, do të mbajë minutën e heshtjes në 08:46 në Shtëpinë e Bardhë, me dyer të mbyllura. Më pas ai do të shkojë në Pentagon për një ceremoni përkujtimore.
Dje në një fjalim javor në radio, presidenti amerikan i kujtoi amerikanëve se e gjithë bota shikon mënyrën se si SHBA-ja reagon ndaj terrorizmit dhe paralajmëroi kundër përgjigjeve të thjeshta, në një aludim për deklaratat e Donald Trump.
“Është diversiteti jonë, mënyra jonë e të priturit të të gjithë talenteve, të të trajtuarit të të gjithë personave në të njëjtën mënyrë pa dallim race, gjinie, apo besimi, që kontribuon për të bërë vendin tonë të madh”, theksoi ai.
Presidenti amerikan premtoi gjithashtu se SHBA-ja do të vazhdojë të luftojë pa pushim organizatat terroriste si Al Kaeda dhe grupin Shteti Islamik.
“Ne do t’i shkatërrojmë dhe do të bëjmë gjithçka është në fuqinë tonë për të mbrojtur vendin tonë”.