SHBA – Rubio: Të hapur për një takim me Iranin
UASHINGTON, 22 shtator /ATSH-AFP/ – Shtetet e Bashkuara janë të hapura për një takim me presidentin iranian, Massoud Pezeshkian, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, por deri tani nuk është planifikuar një takim i tillë, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
“Ne jemi të hapur ndaj kësaj ideje. Nuk mendoj se një takim është planifikuar për momentin, por jemi plotësisht të hapur ndaj një nisme të tillë”, tha Rubio për NBC.
Sipas tij, një takim do të kishte kuptim nëse do të mund të çonte në rezultate pozitive dhe, në fund, të realizonte objektivin amerikan që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore.
Deklarata e Rubios erdhi pak para fjalimit të presidentit amerikan Donald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ndërkohë, presidenti iranian Massoud Pezeshkian mbërrin në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme dhe pritet të mbajë fjalimin e tij të mërkurën.
Teherani kërkon që SHBA-ja t’i japë fund luftës dhe çdo agresioni ndaj Iranit dhe aleatëve të tij në rajon.
Autoritetet iraniane kërkojnë gjithashtu heqjen e bllokadës ndaj porteve, kompensim për dëmet e shkaktuara nga lufta, heqjen e sanksioneve ekonomike dhe zhbllokimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit.
Përplasja mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit ka shkaktuar tensione të forta në Lindjen e Mesme, ndërsa situata në ngushticën strategjike të Hormuzit ka ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës dhe ka shtuar shqetësimet për ekonominë globale./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.