SHBA – Trump premton 8 miliardë dollarë ndihmë për fermerët amerikanë para zgjedhjeve
UASHINGTON, 20 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan, Donald Trump ka premtuar miliarda dollarë ndihmë financiare për fermerët, në një kohë kur çmimet e larta të naftës për makineritë bujqësore po rëndojnë kostot e tyre.
Premtimi u bë gjatë një tubimi elektoral në shtetin rural të Kansasit, vetëm dy javë para zgjedhjeve të rëndësishme për Kongresin amerikan.
“Departamenti i Bujqësisë do të nisë një program prej 8 miliardë dollarësh për të mbështetur fermerët gjatë sezonit të korrjes”, u tha Trump mbështetësve dje në mbrëmje.
Trump tha se nisma ishte propozuar nga senatori republikan Roger Marshall, i cili synon të rizgjidhet më 3 nëntor.
Në këto zgjedhje, votuesit do të përcaktojnë se cila parti do të kontrollojë Kongresin gjatë dy viteve të fundit të mandatit të Trump.
Kansas është tradicionalisht një shtet ku kandidatët republikanë fitojnë me lehtësi. Megjithatë, sondazhet tregojnë se gara mes Marshallit dhe rivalit të tij demokrat, Adam Hamilton, është e ngushtë.
Vlerësimet e ulëta të Trump nga publiku, për shkak të luftës me Iranin dhe rritjes së ndjeshme të çmimeve të benzinës dhe naftës, po ulin shanset e shumë kandidatëve republikanë për të fituar vende në Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.
Republikanët shpresojnë të ruajnë shumicën e ngushtë që kanë në të dyja dhomat e Kongresit.
Sondazhet tregojnë se demokratët kanë shanse të mëdha të fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Marrja e kontrollit të Senatit nga demokratët konsiderohet më e vështirë, pasi vetëm rreth një e treta e vendeve të tij do të jenë në garë në këto zgjedhje. Megjithatë, ndryshimi i shumicës mbetet i mundur.
Trump ka deklaruar më herët se synon t’i japë çdo të rrituri në SHBA nga 5 000 dollarë, nëse republikanët ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.