SHBA – Trump pret kryeministrin Conte në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të presë më 30 korrik në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin Italian, Giuseppe Conte, njoftoi sot ekzekutivi amerikan.
‘’Italia është një aleat i rëndësishëm i NATO-s, një partnere e jashtëzakonshme në Afganistan dhe në Irak dhe ka një rol vendimtar për të çuar përpara stabilitetin në rajonin e Mesdheut’’, njoftoi Shtëpia e Bardhë, në një deklaratë.
Së bashku, SHBA-ja dhe Italia do të përpiqen të thellojnë bashkëpunimin për të përballuar konfliktet në botë dhe promovuar prosperitetin ekonomik në të dyja anët e Atlantikut.
Në vazhdën e G7-ës së fundit në Kanada, Trump e cilësoi sërish kryeministrin italian ‘’super’’.
‘’Ai është mjaft i vendosur për emigracionin, ashtu si unë’’, nënvizoi Donald Trump pas takimit me të.
‘’Ai do të bëjë punë të mira, populli italian ka bërë zgjedhjen e duhur’’, ishte shprehur me anë të një postimi në Twitter presidenti amerikan.