Shefi i armëve në Kosovë akuzohet se shiti armët e policisë në tregun e zi
Udhëheqësi i Divizionit për Armë në Ministrinë e Punëve të Brendshme përballet me akuza për orkestrim të tenderëve të korruptuar për të blerë armë dhe municion për policinë e Kosovës, para se t’i shiste disa nga pajisjet vdekjeprurëse në një kafene në Prishtinë.
Sipas një aktakuze të lëshuar nga Misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, Kadrush Koliqi dhe katër persona tjerë akuzohen se kanë formuar një grup të krimit të organizuar që dyshohet se kanë kurdisur një seri të tenderëve për armë automatike, municion dhe pajisje të përgjimit.
Së bashku me Xhevahire Vatovcin, Drejtoreshë në Drejtorinë e Prokurimit në Policinë e Kosovës, dhe Ragip Bunjakun, udhëheqës i administratës së policisë, Koliqi akuzohet për marrje të ryshfetit në para të gatshme nga dy biznesmenë – Astrit Pira dhe Armend Selimi – për të derdhur rreth 3,1 milionë euro nga buxheti i policisë në gjashtë kompanitë që kontrolloheshin nga dy personat e lartpërmendur.
Ata i mohojnë të gjitha akuzat në aktakuzën e cila nuk është publikuar ende. Asnjëri nga zyrtarët apo avokatët e tyre nuk i janë përgjigjur kërkesës për të folur për këtë çështje, përveç Selimit, i cili foli në emër të dy biznesmenëve, duke i thënë BIRN-it që akuzat ishin të “pabaza”.
Të pestit kanë punuar së bashku për të manipuluar së paku tre tenderë ndërmjet vitit 2009 dhe 2011 duke përdorur informata të brendshme, eliminuar ofertat më të favorshme për arsye të rreme dhe duke pranuar mallrat me çmime shumë të fryra, thuhet në aktakuzën të cilën e ka parë BIRN.
Shumat e përfshira përfshijnë ‘ajkën’ e buxhetit për prokurim në polici për këto vite.
Të gjithë të dyshuarit fillimisht ishin arrestuar por tani asnjëri nuk është në mbajtje. Të tre zyrtarët policorë ishin suspenduar, edhe pse dy nga ta tani janë kthyer në punë në pozita të ndryshme, përfshirë edhe Koliqin.
EULEX-i, që merret me raste të profilit të lartë të krimeve të luftës, korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, ka thënë që zyrtarët policorë ishin shpërblyer me para të gatshme nga fondi prej 220,000 euro për “pagesa në të zezën” i grumbulluar nga Pira, Selimi dhe anëtarët e familjes përmes 23 tërheqjeve të parave të gatshme secila pak nën vlerën e 10.000 euro, që përbën pragun për nxitjen e hetimeve për shpëlarje të parave.
“Kjo paraqet aktivitet të jashtëligjshëm, me dyshimin që depozitat e mëdha janë përdorur për të krijuar fondin për të bërë “pagesat në të zezën”, konkretisht për ryshfet për zyrtarët për të fituar tenderët”, thuhet në aktakuzë.
Pavarësisht dyshimeve, asnjëri nga të pestit nuk akuzohet për ryshfet. EULEX-i ka thënë që nuk mundet të ofrojë ndonjë shpjegim për këtë pasi që rasti është nën hetim.
Koliqi – i cili ka mbajtur konferenca për shtyp në përpjekjet zyrtare për të adresuar problemin e vazhdueshëm të armëmbajtjes pa leje në Kosovë – akuzohet tutje për pagesë të marrëveshjes duke shitur disa mallra, përfshirë fishekë për armët Heckler dhe Koch si dhe armët automatike AK-47 në tregun e zi, duke negociuar me blerësit në kafene në qendër të kryeqytetit.
Akuza ishte hedhur poshtë fillimisht në majin e vitit të kaluar në nga një gjyqtar në Prishtinë me arsyetimin se prokurorisë i ka marrë më shumë se tri vite për të sjellë çështjen në gjykatë, përtej afatit ligjor prej dy vitesh nga fillimi i hetimeve.
Por ky vendim ishte kthyer mbrapsht nga Gjykata Supreme në dhjetor dhe një gjykim i ri do të fillojë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Data e gjykimit akoma nuk është caktuar.