Shehaj: Kemi çuar në Prokurori dosje me evazion fiskal në vlerën 100 milionë dollarë
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dërguar në Prokurori dosje që kanë rezultuar me evazion fiskal me vlerë 100 milionë dollarë.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj bëri të ditur në një nga mediat vizive se do të vijohet me shqyrtimin e dosjeve dhe çdo dosje që do të gjendet me shkelje do të dërgohet në Prokurori.
“Sot në Prokurori janë 100 milionë dollarë dosje evazioni nga nëntori 2013- deri nëntor 2014, fati i të cilave nuk e dimë si do vejë. Ne do çojmë dosje të tjera, por fatkeqësia më e madhe në këtë vend është se kur kërkon të luftohet evazioni, gishti drejtohet te administrata tatirmore. Por ama ky është një sistem. Ky sistem fillon që te gjetja që është administrata tatimore, përcillet në prokurori, prokuroria e percjell në gjykata dhe gjykata nuk duhet të marrë vetëm vendim, ose dhe prokuroria të pushojë çështje për paaftësi paguese, por kur të dalë evazori përpara gjykatës duhet t’i thotë se përveç burgut të gjitha asetet dhe evazioni që ke vjedhur duhet t’i kthesh lekët shtetit, por kjo nuk ndodh”, tha Shehaj.
Sipas saj, administrata tatimore kishte një administratë totalisht të patrajnuar, ose bëheshin trajnime si për të thënë u bënë trajnime. Ndërkohë që sot, theksoi Shehaj, administrata tatimore deri te inspektori i zbatimit, i hetmit tatimor që është nspektori që rri në terren trajnohet dhe pas trajnimit testohet.