Shekspiri, për të gjitha kohërat
Nga David Cameron
400-vjetori i vdekjes së Ulliam Shekspir nuk është vetëm një mundësi për të përkujtuar një nga autorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Është një moment për të kremtuar ndikimin e jashtëzakonshëm dhe të vazhdueshëm të një njeriu, i cili- duke huazuar përshkrimin e vetë autorit për Jul Cezarin – “shaloi botën ngushtë si një kolos”.
Trashëgimia Shekspirit është e pashoqe: veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 100 gjuhë dhe studiohen nga gjysma e nxënësve të botës. Një prej bashkëkohësve të tij, Ben Jonson, ka thënë: “Shekspiri nuk është i një kohe, por ai është për tërë epokat”. Ai jeton sot në gjuhën, kulturën dhe shoqërinë tonë dhe përmes ndikimit të tij jetëgjatë në arsimin tonë.
Shekspiri luajti një rol vendimtar në formësimin e anglishtes moderne duke ndihmuar që ajo të bëhet gjuhë e botës. Fjalori i parë i madh i përpiluar nga Samuel Johnson u bazua te Shekspiri më shumë se te çdo shkrimtar tjetër. Tre mijë fjalë dhe fraza të reja të gjitha për herë të parë u shfaqën në shtyp në dramat e Shekspirit. Mbaj mend nga fëmijëria ime sa prej tyre janë hasur për herë të parë në “Henri V”. Fjalë të tilla si shkurajoj, zhvesh, varësi, i palëvizshëm dhe fraza të tilla si “bëje si burrat”, “grup vëllezërish”” dhe “zemra e artë“, – të gjitha kanë hyrë sot në gjuhën tonë pa qenë nevoja t’ju referohemi kontekstit të tyre origjinal. Shekspiri është gjithashtu nismëtar inovativ i formave dhe strukturave gramatikore – duke përfshirë edhe vargjet pa rimë, superlativa dhe bashkimin e fjalëve ekzistuese për të bërë fjalë të reja, si për shembull: i përgjakur, – ndërsa epërsia e dramave të tij gjithashtu kanë bërë shumë për të standardizuar drejtshkrimin dhe gramatikën.
Ndikimi i Shekspirit është ndier akoma më përtej gjuhës sonë. Fjalët, subjektet dhe personazhet e tij vazhdojnë të frymëzojnë kulturën tonë dhe shoqërinë e gjerë. Teksa Nelson Mandela, qëndronte i burgosur në Robben Island, ai shpesh citonte pjesë nga Jul Cezari “Frikacakët vdesin shumë herë përpara se t’ju vijë vdekja; trimi e përjeton vdekjen vetëm një herë”. Ndërsa poema e Kate Tempest “Shekspiri im” kap praninë e përjetshme të Shekspirit; ajo shkruan se Shekspiri “… është në çdo dashnor që ndonjëherë ka qëndruar i vetmuar nën dritare … në çdo fjalë të pëshpëritur xhelozie dhe çdo shpirt që nuk gjen prehje. “Ndikimi i Shekspirit është kudo, nga Dikens te Gëte, Çajkovski, Verdi dhe Brahms; nga West Side Story deri te “Çarku i miut” i Agata Kristit, titull i frymëzuar nga Hamleti, shfaqja teatrale që ka qëndruar më gjatë në skenë në Uest End të Londrës. Veprat e tij origjinale vazhdojnë të argëtojnë miliona persona si në sallat e shkollave ashtu edhe ata që prisnin në radhët e gjata për bileta të minutës së fundit për të parë Benedict Cumberbatch në rolin e Hamletit në Barbikan të Londrës vitin e kaluar.
Por ndoshta një nga trashëgimitë më të mrekullueshme të Shekspirit është kapaciteti i tij për të edukuar. Siç shohim nga puna gjithëpërfshirëse e Trupës Mbretërore të Shekspirit dhe trupës “Globe, dhe nga ndikimi i organizatave bamirëse britanike si Festivali i Shkollave të Shekspirit, studimi dhe interpretimi i veprave të tij mund të ndihmojë në përmirësimin e shkrimit dhe këndimit, rritjen e vetëbesimin dhe të rezultateve arsimore.