Shiroka Pula pret ministrin malazez, në fokus thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, i cili shoqërohej nga ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.
Gjatë takimit, ministri Dukaj e uroi Presidenten Shiroka Pula për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar sukses gjatë mandatit të saj.
Presidentja Shiroka Pula e falënderoi për vizitën dhe urimet, ndërsa theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira dhe të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Në takim u diskutua edhe për rolin e komuniteteve shqiptare në Mal të Zi dhe atij malazez në Kosovë, të cilat u vlerësuan si urë lidhëse ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit, të dyja komunitetet kontribuojnë në forcimin e miqësisë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet dy popujve.
“Ruajtja dhe avancimi i marrëdhënieve të mira me Malin e Zi është në interes të të dyja vendeve”, theksoi Presidentja Shiroka Pula, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Takimi u zhvillua në kuadër të kontakteve ndërmjet përfaqësuesve institucionalë të Kosovës dhe Malit të Zi, me fokus në marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.