Opinion

Shkarjet konceptuale të kryeministrit Rama

Nga Veton Surroi

Dëgjova me jo pak kërshëri dhe brengosje paraqitjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, më 13 qershor të këtij viti derisa shpjegonte anulimin e mbledhjes së dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, të paraparë për 14 qershor në Gjakovë. Nga kjo konferencë shtypi më tërhoqi vëmendjen jo aq paralajmërimi i anulimit të një ngjarjeje rituale, që ka marrë dimension të manifestimit pak a shumë folklorik, sa konceptet që i paraqiti kryeministri i Shqipërisë dhe që mendoj se paraqesin shkarje nga interesi i Kosovës, demokracisë së saj, stabilitetit regjional dhe orientimit euroatlantik. Duke qenë i përfshirë në sajimin e koncepteve të lëvizjes demokratike të Kosovës dhe në proceset e mëhershme negociatore, do të përpiqem të shpreh dallimet konceptuale me ato të manifestuara të kryeministrit Rama. Do të përpiqem ta bëj këtë duke përmbledhur shpjegimet e kryeministrit në disa fjali kyç.

 1.“Kosova e krijuar prej ‘bashkësisë euroatlantike’ tash do të sanksionohet nga ajo…”

Më duket se ky është gabimi në premisë i kryeministrit Rama, nga i cili dalin shkarjet e tjera. Ai përsëriti disa herë se Kosova është krijesë e “bashkësisë euroatlantike” dhe kjo fjali presupozon vullnetin e “bashkësisë euroatlantike”, që i imponohet një popullate të padefinuar në vullnetin e vet. Në fakt, është e kundërta. Kosova është e krijuar si shtet me vullnetin e qytetarëve të vet, brenda një procesi të dhimbshëm dhe evolutiv që filloi me autonominë e imponuar brenda Serbisë më 1945, ndërtimin e saj si njësi e barabartë brenda Federatës jugosllave më 1974 dhe deklarimin e mëvetësisë më 1990. Shteti nuk piku nga qielli së bashku me bombat e NATO-s më 1999. Ai ishte prodhim i një vullneti kolektiv, i cili u mbajt i bashkuar gjatë zhbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë dhe më në fund gjeti përkrahjen vendimtare të “bashkësisë euroatlantike”. Bombat nuk krijojnë shtete, atë e bëjnë njerëzit. Gjendja në të cilën gjendet Kosova sot është vetëm një vazhdë e procesit negociator; një herë atij të sigurimit të shtetësisë brenda Jugosllavisë në periudhën 1945-1974 e pastaj atij që formalisht kishte filluar që në vitin 1990, mes lëvizjes paqësore demokratike dhe bashkësisë euroatlantike, për ndërtimin e pavarësisë.

I tërë sistemi i tanishëm, tejet i ndërlikuar kushtetues-juridik i Kosovës është ndërtuar në një proces të përhershëm negociator mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike dhe Serbisë e bashkësisë euroatlantike. Ky proces herë pas here ka përfshirë edhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pra shtetbërja kosovare ka pasur edhe implikimin e vet global.

Dallimi me kryeministrin Rama është i madh për aq sa çon në konkluzione krejtësisht të kundërta. Në interpretimin (gati biblik) të kryeministrit, Kosova pritet të sanksionohet nga Krijuesi. Në interpretimin e Kosovës, vendi ballafaqohet me presion të diplomacisë evropiane për shkak të pakënaqësisë me sjelljen e Kosovës në një proces negociator, në procesin negociator të radhës. Në atë proces negociator, BE-ja nuk është Krijuesi, është palë.

2.“Halli është i Kosovës, por është edhe i shqiptarëve, i kombit shqiptar

 Kryeministri Rama shpjegoi disa herë përfshirjen e tij personale në çështjen e Kosovës të këtyre ditëve si marrje të përgjegjësisë, ngase pasojat e veprimeve në Kosovë ndihen te të gjithë shqiptarët.

E kam pak të vështirë të kuptoj se çfarë pasoje ka qytetari i Kumanovës, Korçës e ai i Ulqinit me dilemën se a duhet të dalë apo jo nga zyra kryetari i zgjedhur i Leposaviqit apo nga dilema se çfarë kompetencash duhet të ketë Asociacioni eventual i komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sepse, në thelb, kur të hiqet tërë ajo zhurmë e tym rreth kësaj “krize” të tanishme në Kosovë, këto janë çështjet që janë vënë në diskutim.

Pra, jo, nuk është materie për qytetarin e Kumanovës, Korçës apo Ulqinit.

Herën e fundit kur halli i Kosovës ishte i të gjithë shqiptarëve qe në kohën e luftës, kur qytetarët e Kërçovës, Korçës dhe Ulqinit hapën dyert e shtëpive të tyre për të pritur refugjatët. Por, me praninë e NATO-s në Kosovë, nuk besoj se kryeministri i Shqipërisë të jetë duke folur për luftë.

Rrjedhimisht, në këtë aspekt, jo, halli i Kosovës nuk është i tërë kombit shqiptar. Se si do të rregullohen marrëdhëniet evolutive të të drejtave shqiptare brenda Marrëveshjes së Ohrit ka qenë çështje e përgjegjësisë së shqiptarëve të Maqedonisë. Se si do të merret vesh Shqipëria me Greqinë për vijën e vet detare vështirë mund të përcaktohet në Gjakovë e Skenderaj. Se si do të rregullojë marrëdhëniet e veta shteti i Kosovës me komunitetet joshumicë i përket gjithsesi Kosovës.

Po, pastaj, edhe po të jenë këto halle për shqiptarët e Kërçovës, Korçës e Ulqinit, a është kjo gjë pjesë e mandatit të kryeministrit të Shqipërisë ?

 3.“Halli është i Kosovës, por është edhe i shqiptarëve, i kombit shqiptar”

Më 1990 dhe 1991 lëvizja politike shqiptare në ish-Jugosllavi përcaktoi se politika shqiptare, për dallim prej asaj serbe dhe kroate, do të ishte pluricentriste, shumëqendërshe. Pra, për dallim prej Beogradit e Zagrebit, shqiptarët e ish-Jugosllavisë nuk do ta konsideronin cilindo qytet, Prishtinën e atëhershme apo Tiranën e nesërme, si qendër politike të veten.

Këtë e di, sepse kam marrë pjesë personalisht në krijimin e këtij vendimi strategjik. Sot kemi mendim dhe veprim politik të padirigjuar në shtetet e shqiptarëve në Ballkan Perëndimor, qoftë aty ku janë shumicë apo pakicë. Është një fitore e madhe e demokracisë brenda tërësisë shqiptare në Ballkan.

Paraqitja e kryeministrit Rama, ndaj , paraqet një befasi. Si kryeministër i një shteti fqinj të Kosovës nuk është se i është hapur dera të komentojë për atë se si duhet të negociojë pushteti i Kosovës me BE-në. Si prijës i një shteti me shumicë shqiptare, gjithashtu, nuk është se i është kërkuar ndihma për të adresuar një apo tjetrin problem negociator.

Definimi i problemit se “halli i Kosovës është i kombit shqiptar” mund të përpiqet, por nuk e zhbën strukturimin për zgjidhjen e problemeve. “Halli” i tanishëm i Kosovës është përpjekja që nëpërmjet të një procesi negociator (të ndërmjetësuar dobët) me Serbinë të përfundojë konflikti. Negociatat zhvillohen nga negociatorët, nuk janë garë sportive në stadiume me drita të ndezura. As nuk janë procese ku shqiptarët e të gjitha viseve shqiptare ulen këmbëkryq në një livadh dhe përcaktojnë se çfarë do të jetë fundi historik.

“Populli shqiptar” nuk është një masë amorfe. Janë qytetarë që jetojnë në shtetet e tyre, me institucione të zgjedhura në formë demokratike (diku më shumë e diku më pak). Këto dhe vetëm këto institucione duhet t’i zgjidhin hallet e qytetarëve.

 4.“Shqipëria po vepron jo si një UFO, por si pjesë e ‘bashkësisë euroatlantike’”

Kryeministri Rama nxori edhe argumentin tjetër të veprimit të tij në këtë rast, tej atij të “përgjegjësisë kombëtare”. E nxori atë të përgjegjësisë së “bashkësisë euroatlantike”. Pra, Shqipëria ndërmori veprimet e fundit qoftë pse ka përgjegjësi shqiptare (kryeshqiptare?), qoftë pse ka përgjegjësi euroatlantike.

Pos kundërshtisë së brendshme të këtyre dy koncepteve (përgjegjësisë së “shqiptarizmit” e “atlanticizmit”) këtu dalin disa kundërshti të tjera. Fillimisht, nuk ekziston një “bashkësi euroatlantike” karshi Kosovës. Në atë bashkësi, të cilën e përshkruan zoti Rama, janë shtete si Spanja që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe shtete si Britania e Madhe që e njohin. Në atë bashkësi janë shtete si SHBA-ja që e çliruan Kosovën dhe Qiproja që beson se Kosova është Serbi. Njëri prej problemeve kryesore i “bashkësisë euroatlantike” me Kosovën, në fakt, është se nuk është bashkësi e një qëndrimi ndaj Kosovës. Së dyti, mesazhet e “bashkësisë euroatlantike” mbërrijnë në Prishtinë pa nevojë përkthimi në gjuhën shqipe. Autoritetet e Kosovës janë krejtësisht të informuara për mendimin e Washingtonit, Brukselit, Berlinit dhe Parisit. Kryeministri Rama, pra, nuk ka pse të jetë ndërmjetës mes “bashkësisë euroatlantike” dhe Kosovës. Gjuha shqipe, teknikisht, nuk përbën ndonjë vlerë të shtuar në komunikim mes “bashkësisë euroatlantike” dhe Kosovës.

 5.Drafti i Asociacionit është “top”, i bërë prej ekspertëve më të mëdhenj ndërkombëtarë

Kryeministri Rama e dërgoi një draftstatut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe , “të hartuar prej ekspertëve më të mëdhenj ndërkombëtarë”, në Berlin, Paris, Bruksel dhe Washington.

Meqë Kosova nuk ia kërkoi një gjë të tillë (e fillimisht nuk ia ofroi Kosovës),dhe meqë në fund çfarëdo zgjidhjeje që do të arrihet në negociata zbatohet në legjislacionin e Kosovës, me kompetencë të njëjtë ka mundur ta dërgojë në Paris e Berlin planin e paqes për Mijanmar, marrëveshjen për vijën detare mes Sllovenisë dhe Kroacisë dhe po ashtu për fundin e luftës në Ukrainë.

Teksti të cilin ai e përshkroi “top” dhe i bërë prej ekspertëve më të mëdhenj ndërkombëtarë nënkupton të ketë njohuri për sistemin kushtetues të Kosovës dhe njohuri për ekspertizën juridike ndërkombëtare . Nuk jam i bindur se kryeministri Rama të ketë këso njohurish, dhe as që pritet prej tij t’i ketë. Siç nuk do të pritej prej tij të dijë tërë evolucionin e masave të “diskriminimit pozitiv” për komunitetet joshumicë të negociuara nga Kosova që nga Rambouillet më 1999 deri në Vjenë më 2007.

Prej tij duhet pritur të dijë se në procesin negociator, në të cilin është Kosova problemi, nuk është hartimi i një draftteksti juridik për një apo tjetrën zgjidhje. Problemi është vetë procesi, i cili nuk është serioz dhe rrjedhimisht degradon në kriza ciklike, duke u shndërruar pastaj në proces menaxhimi krizash. Në këtë vorbull ka hyrë edhe kryeministri Rama, duke e adresuar ciklin e radhës me një draft të vetin.

 6.“Duhet të jesh idiot që të mos shohësh se Serbia është sjellë në një situatë ku Kosova ka një firmë larg njohjen nga shtetet e bashkësisë euroatlantike, Asociacioni në këmbim të ulëses në OKB”

Në fakt, numri i idiotëve nga ky përshkrim është tejet i madh, shumica dërrmuese. Procesi negociator nuk është “Asociacioni në këmbim të ulëses në OKB”. Këtë e dinë në Prishtinë, Beograd, çdo kryeqytet të bashkësisë euroatlantike dhe në çdo kryeqytet jashtë kësaj bashkësie.

Procesi negociator është i dizajnuar që pas “marrëveshjes bazë” të arrihet “marrëveshja gjithëpërfshirëse”. Edhe po të arrihen të gjitha këto, ulësja në OKB do të varej prej Kinës dhe Rusisë, e me këtë, me fundin e luftës në Ukrainë.

Ndërkohë, gjatë rrugës, procesi negociator “franko-gjerman” është deformuar aq sa ka mbetur një karakatinë, nga e cila del përherë kërkesa për një dhe të vetmen gjë, Asociacionin e Komunave Serbe (apo siç duhej thënë, komunave me shumicë serbe).

Megjithatë, kriza e tanishme nuk është pse mungon një draftstatut për Asociacionin. Kriza e tanishme është se mungon një marrëveshje bazë mes Kosovës dhe Serbisë, një marrëveshje që i jep fund konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, pra një marrëveshje ku eventualisht do të negociohej për të drejta shtesë të komunitetit serb në Kosovë.

 7.“Plani franko-gjerman është një masterpiece. Marrëveshja tjetër nuk është aq e mirë”

Këtë marrëveshje kryeministri i Kosovës ofroi ta nënshkruajë dy herë dhe presidenti i Serbisë refuzoi. Nga takimi i fundit në Ohër në mars të këtij viti e deri më sot, presidenti i Serbisë ka mohuar se e ka nënshkruar apo pranuar gojarisht planin franko-gjerman. Rrjedhimisht, nuk ekziston Marrëveshja bazike Kosovë-Serbi.

Por, ekziston plani franko-gjerman, në versionin e tij të paraqitur nga këshilltarët e kancelarit Scholz dhe presidentit Macron. Dhe, meqë qenka “masterpiece”, ndihma më e madhe që mund t’i bëjë kryeministri Rama paqes regjionale është që t’u shkruajë kryeministrit Scholz dhe presidentit Macron një porosi të thjeshtë: “Plani juaj ndoshta është gjallë, por Marrëveshja nuk ka lindur ende”. Koha.net

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button