Shkencëtarët paralajmërojnë: Apokalipsi, vetëm pesë katastrofa larg
Shkretëtira që zgjerohen, temperatura armiqësore, e katastrofa natyrore në shtim: në filmin fantastiko-shkencor “Internetsellar” njerëzimi duhet të kërkojë një planet të ri për të mbijetuar, pasi Toka do të vdesë.
Gjithçka që për njeriun e bën të ketë vlerë jetësore – uji i pijshëm, ajri i pastër dhe të korrat e rregullta, për shembull – nuk do të funksionojnë më siç duhet.
Kërkuesit shkencorë të Universitetit Kombëtar të Australisë dhe të Qendrës Ripërtëritëse të Stokholmit në Suedi (Stockholm Resilience Center) kanë përllogaritur thuajse të njëjtat rezultate, pas një skenari të ngjashëm që kanë testuar virtualisht. Ata kanë nxjerrë nëntë funksione të rëndësishme jetësore, pa të cilat Toka për njerëzit do të bëhej një vend i pakëndshëm, ose thjesht i vështirë për t’u jetuar.
Një perëndim i vogël, një rrënim i botës sonë, i civilizimit tonë, le të themi. Studiuesit në fjalë e përshkruan atë si “kufijtë e planetëve” dhe kanë përllogaritur se ata do të ndodhin, nëse njeriu vijon të jetojë si deri më tani.
Pika e kthesës mund të vinte qysh në dekadat pasardhëse
Rezultati i tyre është alarmant: qysh në dekadat e ardhshme që na presin, planeti ynë nuk do të ishte më vendi i sigurt për njerëzit. 18 shkencëtarët e përshkruan atë si një pikë kthese në botën natyrore. Qysh tani, katër nga nëntë kufijtë e përmendur në studim, janë prekur prej fenomenit të rrënimit, sipas studimit: prerja masive e druve pyjorë, një koleksionues i rëndësishëm i dyoksidit të karbonit që na mbron nga ndryshimet klimaterike.
Në këtë drejtim shkon edhe vlera e dyoksidit të karbonit në atmosferën tonë. Shtoji këtu edhe zhdukjen e specieve të veçanta të kafshëve. Dhe, në vend të katërt, edhe shtimi i elementeve vrasëse, apo helmuese kimikë në dete e oqeane.
“Studimet tona kanë treguar se njeriu nëpërmjet rritjes ekonomike, asaj teknologjike dhe konsumit, mund ta destabilizojë ambientin”, tha drejtori shkencor i projektit, Will Steffen, për të përditshmen amerikane, “Washington Post”.
Sulm i përqendruar mbi ekosistemet
Me fillimin e globalizimit dhe të rritjes ekonomike të shpejtë në vitet 1950, ia nisi një sulm madhor mbi ekosistemin tonë.
Një shembull për këtë është vlera e dyoksidit të karbonit në atmosferë. Si kufi, kërkuesit shkencorë parashikojnë një vlerë prej 350 ppm. Këtë vlerë, njerëzimi tashmë e ka tejkaluar me kohë – pasi gjithnjë e më shumë njerëz tashmë udhëtojnë me makina dhe çlirojnë dyoksid karboni.
Pasojat: niveli i CO2-shit ka arritur tashmë në 400 ppm dhe në vitet në vijim do të pësojë një rritje edhe më dramatike. Kërkuesit e ndryshimeve klimaterike në këtë rast shohin pasoja të pashmangshme në rritjen e temperaturave në rang global: viti 2014 për shembull, ishte dhe viti më i nxehtë i të gjitha kohërave.
“Kufijtë nuk janë të vegjël”
“Këta kufij nuk janë pengesa të vogla, të pakonsiderueshme”, thotë Ray Pierrehumbert, ekspert i ekosistemeve në Universitetin e Çikagos. “Ato janë më shumë si ato llambat paralajmëruese në një kroskot autoveture”. Edhe atëherë kur ato ndizen të gjitha, vetura vazhdon të ecë.
Kërkuesit vëzhguan me kujdes pra nëntë nga të gjitha këto llamba – domethënë “kufij të planetëve”. Në këtë mes futet edhe helmimi i oqeaneve, vrima e ozonit, shpërdorimi i ujit të pijshëm, grimcat e pluhurit në ajër, si dhe kimikatet dhe organizmat artificialë.
Askush nuk e di se çfarë ndodh, kur njerëzimi tejkalon me radhë të gjitha kufijtë – nëse dikur për shembull do të lejojë të mbillet vetëm misër, siç bëhet në filmin “Interstellar”.
Por ajo që ia vlen të thuhet, është se: njerëzit do të përpiqen të parandalojnë pasojat – siç u veprua për shembull me Protokollin për Klimën, nën drejtimin e dy kontribuuesve më të mëdhenj në ndryshimet klimaterike, SHBA dhe Kina.
Ose nëpërmjet makinave elektrike, që zëvendësojnë konsumimin dhe djegien e lëndëve helmuese, ose duke nxitur ushqyerjen e shëndetshme ose dhe rënien e konsumit të mishit. Shpresë jep edhe fakti se çdo ditë, studiuesit e rinj habisin me inovacione të reja që do të bëjnë të mundur ruajtjen e planetit tonë nga rrënimi.
E thënë ndryshe: “Trendi për të jetuar me inovacione teknologjike jashtë këtyre kufijve, vijon të ruhet”, thotë Pierrehumbert. “Ne jetojmë gjithnjë e më shumë në një anije kozmike, dhe jo në një planet”.
Marrë nga “Huffington Post”