Kronika

Shkodër: Shpërthim eksplozivi në një automjet, 15 të plagosur

Një shpërthim tritoli ka ndodhur sot paradite, rreth orës 10:39 minuta në një dyqan në lagjen “Rus” të Shkodrës, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur 15 persona, ndërsa  dëmet materiale janë të konsiderueshme. Rreth 300 gr lëndë eksplozive të vendosura në një motocikletë dyshohet se kane patur si objekt biznesin dhe pronarin e tij.

Objektiv i sulmit ka qenë Lulzim Kulla, njeri prej personave të mbetur të plagosur i cili është pronari i dyqanit që iu vendos tritol. Burimet policore saktësojnë se shpërthimi ka ndodhur në momentin kur Kulla i është afruar dyqanit të tij.

Dyshohet se lëvizjet e tij janë monitoruar nga atentatorët dhe në momentin kur ai ka mbërritur pranë biznesit, kanë bërë shpërthimin e telekomanduar. Lulzim Kulla ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar në drejtim të Tiranës për ndërhyrje më të specializuar.  Edhe një nga të plagosurit nga shpërthimi është nisur gjithashtu drejt kryeqytetit.

Lul Kulla është emër i njohur për policinë pasi njihet si “i forti” i Shkodrës i cili nënshtroi tregtarët e këtij qyteti, duke iu marrë edhe bizneset, ndërsa dyshohet se ka marrë pjesë edhe në torturimin për vdekje të një personi në Shkodër, por për ngjarjen nuk është dënuar askush.

Lul Kulla pas viti 1997 u kthye në makthin e tregtarëve dhe biznesmenëve në lagjen “Rus”. Lul Kulla, në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale, do vinte nën diktat bizneset e Shkodrës. Për shumë vite ai mbajti nën kontroll lagjen e famshme të Shkodrës, duke kontrolluar aktivitetin tregtar.

Të plagosurit e tjerë nuk kanë lidhje me ngjarjen. Ngjarja ka ndodhur në një nga lagjet më të populluara të kryeqendrës së veriut, pranë qendrës së qytetit. Nga shpërthimi i fuqishëm janë dëmtuar edhe disa automjete të parkuara pranë biznesit. Një  prej automjeteve të dëmtuara nga shpërthimi është një fuoristrade me targë AA 444 CX, e parkuar pranë dyqanit.

Forca të shumta policie dhe ambulanca ndodhen në vendin e ngjarjes për t’iu ardhur në ndihmë të lënduarve. Dy nga të plagosurit e tjerë ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Shkodrës. Policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

 

Policia ka sekuestruar pamjet filmike të bizneseve aty pranë, pasi kanë qenë të pajisura me kamera sigurie dhe dyshohet të kenë filmuar momentin e vendosjes së lëndës eksplozive në dyqan.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button