Shkolla e Magjistraturës, drafti i ri që reformon institucionin
Një draft i propozuar nga dhjetë deputetë të maxhorancës, i depozituar së fundi në Kuvend, synon të reformojë funksionimin dhe organizimin e Shkollës së Magjistraturës, si institucioni i vetëm, i ngarkuar me formimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Funksionimi i këtij institucioni, që ka nisur 18 vjet më parë me miratimin e ligjit “Për shkollën e Magjistraturës” në vitin 1996, ka pësuar ndryshime me ligjin organik të vitit 2005. Megjithë ndikimin pozitiv që kjo Shkollë ka pasur në furnizimin e sistemit gjyqësor me prurje të reja, profesionalisht të përgatitur, vetë sistemi gjyqësor mbetet një ndër hallkat e shtetit të së drejtës që çalon dhe ka nevojë për një reformim thelbësor.
Ndryshimet ligjore të propozuara synojnë ndër të tjera reformim në përbërjen e Këshillit Drejtues të Shkollës, duke i dhënë një rol të rëndësishëm personelit akademik. Kështu, nismëtarët e draftit propozojnë që numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues nga 2 që është aktualisht, të shkojë në 4, duke synuar rritjen e cilësisë së organizimit të kësaj strukture.
Një tjetër amendim në ligj lidhet me mënyrën e caktimit të përfaqësuesve të sistemit gjyqësor dhe prokurorisë në Këshillin Drejtues të Shkollës, duke synuar rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjes së të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në procedurat përzgjedhëse.
Një tjetër risi e ligjit lidhet me rritjen e transparencës në përzgjedhjen e përfaqësuesve të trupës gjyqësore në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Kjo e drejtë, që aktualisht i njihet Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me ligjin e ri do t’i transferohet Konferencës Kombëtare Gjyqësore.
Reformim do të pësoje në kushtet dhe kriteret ligjorë që do të gëzojë drejtuesi i Shkollës së Magjistraturës, si dhe zgjedhja e tij. Me ligjin aktual përzgjedhja e drejtuesit të këtij institucioni bëhet nga KLD, me propozim të Këshillit Drejtues. Me qëllim shmangien e mungesës së përfaqësimit të prokurorisë në caktimin e Drejtorit të Shkollës dhe shtimin e transparencës së procesit, drafti i ri propozon që zgjedhja e Drejtorit të Magjistraturës të kryhet nëpërmjet votimit të hapur nga ana e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Shkollës. Ky element synon rritjen e pavarësisë në funksionimin e këtij institucioni, duke ofruar kushtet për një vetëadministrim organizativ sa më të plotë.
Projektligji synon gjithashtu të përcaktojë kriteret për përzgjedhjen e trupës pedagogjike dhe të padagogëve të brendshëm e të jashtëm të shkollës, duke rritur rolin e Këshillit Pedagogjik në përgatitjen dhe kontrollin e nivelit në mësimdhënie dhe të trajnimeve.
Sipas draftit, pedagogët e brendshëm dhe të jashtëm do të emërohen nga Këshilli Drejtues, me propozim jo vetëm të drejtorit (sikurse parashikohet aktualisht), por dhe me propozim të vetë Këshillit Drejtues. Projekti propozon që pedagogët e brendshëm të zgjidhen nga radhët e juristëve më të shquar, me eksperiencë mbi 15 vjet si juristë, gjyqtarë, prokurorë, avokatë etj.
Një tjetër propozim i deputetëve, hartues të projektligjit të ndryshuar për KLD-në, lidhet me pranimet e reja në Shkollën e Magjistraturës, konkursi për të cilat propozohet të shtyhet në vitin 2015. Kjo, pasi situata aktuale dëshmon se sistemi gjyqësor po i thith me vështirësi gjyqtarët e rinj që përfundojnë Magjistraturën.
“Prej 17 vitesh, të gjithë magjistratët gjyqtarë janë emëruar rregullisht në sistemin gjyqësor, por ka ardhur koha që planifikimi i pranimeve të reja në Shkollën e Magjistraturës të bëhet në mënyrë tepër të kujdesshme, bazuar në studimin e mundësive reale të sistemit për vende vakante”, citohet relacioni që shoqëron projektligjin e depozituar së fundi në parlament.