Shkolla e re hi-tech që mëson refugjatët si të kodojnë
Anne dhe një grup miqsh berlinezë menduan që të krijojnë një shkollë teknologjike për refugjatët, që do t’i lidhë ata me kompjuterët dhe do t’u ofrohet mësimdhënie nga persona që janë të përfshirë në botën teknologjike lokale. Kështu ata do të mund t’i ndihmojnë refugjatët që të gjejnë punë në vazhdim
Gjatë një vizite në një qendër sociale në Berlin, në verën e vitit 2015, sipërmarrësja sociale, Anne Kjaer Riechert, rastësisht takoi një zhvillues softueri nga Iraku, i cili që prej dy vitesh nuk kishte mundur që të kodonte dot, pasi ai nuk kishte më një kompjuter portativ.
“Ajo tha, në rregull, ne thjesht mund të pyesim njerëzit nëse mund të dhurojnë laptop-ët e tyre të vjetër, sepse të tilla pajisje i kanë të gjithë miqtë tanë”, kujtoi Özlem Buran, i cili punon bashkë me Anne-n. “Por dhe kjo gjë nuk dukej si diçka e përshtatshme për këtë rast.”
Anne dhe një grup miqsh të tjerë në fund gjetën një ide origjinale, të ndryshme nga e para. Ata menduan: përse të mos krijojmë një shkollë teknologjie për refugjatët që do të lidhë studentët me kompjuterët, tavolinat mes tyre në një hapësirë ku punohet bashkë dhe të ofrohet mësimdhënie nga persona që janë të përfshirë në botën teknologjike lokale dhe mund t’i ndihmojnë refugjatët në vazhdim që të gjejnë punë?
Ata e vunë në zbatim idenë e tyre dhe krijuan më 21 shkurtin e shkuar, shkollën që quhet “ReDi”, e cila ambientet i ka në qendrën sipërmarrëse të teknologjisë gjermane dhe në të janë regjistruar 49 studentë. Shumica e tyre janë refugjatë nga Siria, por ka kursantë edhe nga Afganistani, Eritreja, Iraku, Tunizia dhe Lesotho. Për ata që kanë eksperiencë të paktë, ka një version bazik të kursit.
“Ky kurs është ndërtuar për ata njerëz që neve na pëlqen t’i quajmë të arsimuarit e ‘Facebook’-ut, të cilët aktualisht nuk kanë asnjë ide tjetër nga teknologjia, përveçse të përdorin ‘Facebook’-un dhe ‘Whatsupp’-in”, u shpreh Buran-i. “Pra, ata janë familjarë me teknologjinë, por nuk kanë qenë kurrë krijues, vetëm konsumatorë.”
Brenda pak muajve, studentët do të takohen me zhvillues softuerësh vullnetarë në klasa të vogla, duke mësuar që të punojnë në gjuhët programuese si “Ruby on Rails” dhe “Javascript”. Deri në fund të kursit, fillestarët duhet që të jenë të aftë të nisin praktikat e punës.
“Ne nuk jemi aq naivë sa të mendojmë që ata kur të dalin nga kursi, do të jenë zhvillues programesh të aftë që të krijojnë brezin e ri të platformave ‘Facebook’ dhe ‘Twitter’”, shtoi Buran-i. “Por ne po i mësojmë ata që të jenë analistë të zotë të të dhënave kompjuterike, programues dhe testues.”
Refugjatët, të cilët kanë një diplomë IT-e ose disa vite pune, mund ta përdorin këtë kurs për t’u takuar me ata berlinezë, të cilët e njohin mirë ambientin teknologjik të kryeqytetit gjerman dhe do t’i ndihmojnë të parët që të krijojnë lidhje për të gjetur punë. “Për emigrantët që kanë eksperiencë në kodim, ajo që u mungon është vetëm kontakti”, shtoi Anne.
Aktualisht, ka rreth 47 mijë vende pune në fushën e teknologjisë që janë bosh në Gjermani. Ndërkohë që i gjithë Bashkimi Europian deri në vitin 2020, do të ketë nevojë për rreth 750 mijë persona në fushën e teknologjisë. Pikërisht, qëllimi i kësaj shkolle të re, është që të plotësojë kërkesat e mëdha të tregut.
Por kjo është edhe një mënyrë e mirë për të gjithë azilkërkuesit që të shpenzojnë kohën e lirë në mënyrë produktive, derisa shteti gjerman t’u japë atyre mundësinë ligjore që të punojnë.
“Kur njerëzit vijnë në Gjermani, koha mesatare që u duhet për të bërë dokumentacionin gati, kur aplikuesi është azilkërkues, shkon deri në 7 muaj”, sqaroi Buran-i. “Për njerëzit me origjinë nga Siria, koha do të jetë disi më e paktë, por për ata afganë pak më e gjatë. Por ne po përpiqemi që ta mbushim atë hapësirë kohore gjatë së cilës atyre nuk u lejohet as të punojnë dhe as të merren me diçka tjetër.”
Gjithashtu, nismëtarët me këtë projekt duan që të ndihmojnë berlinezët të kuptojnë se si refugjatët mund të zhvillojnë ekonominë lokale. Kjo është një nga arsyet se përse kjo shkollë hi-tech nisi. “Ne po pyesnim veten se si të reagonim në atë që njerëzit e quajnë kriza e refugjatëve në Europë, kur ne shikojmë që ka potencial njerëzor”, tha Anne.
Vetëm gjatë vitit 2015, në Gjermani aplikuan për azil mbi 1.1 milionë persona, shumica nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Për autoritetet vendase, integrimi i tyre do të thotë miliona euro shpenzime. Gjermania është një ndër vendet e pakta që ka rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ka nevojë për fuqi punëtore. Por ajo duhet që të jetë e kualifikuar.
Megjithatë, nëse refugjatët arrijnë që të fitojnë ato aftësi që i përshtaten tregut, atëherë edhe vendasit do t’i pranojnë më lehtë ata individë që paguajnë taksat dhe që kontribuojnë në mbarëvajtjen e shtetit.