Shkup, opozita dhe qeveria me akuza të ndërsjella për raportin e KE-së
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, David Geer pasi ua dorëzoi raportin e Brukselit zyrtarëve më të lartë shtetërorë në Shkup, foli të enjten në një konferencë shtypi për mangësië e theksuara në raport, duke e vlerësuar raportin si të sinqertë dhe të drejtë.
“Ndërsa raporti nënvizon përparim në disa fusha, është po ashtu i sinqertë lidhur me ato fusha ku nuk është shënuar përparim, apo ku ka një përparim të kufizuar. Në veçanti, në ato fusha ku ne konsiderojmë se janë shumë të rëndësishme dhe ne i përshkruajmë si themele në procesin e bisedimeve (me BE-në) për integrim, siç janë: sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, reforma e administratës publike, të drejtat themelore të njeriut”, tha ambasadsori.
Ai theksoi se raporti është i sinqertë dhe i drejtë, ndërsa tha se në këtë mënyrë, KE-ja dëshiron të inkurajojë autoritetet, institucionet shtetërore dhe të gjithë aktorët politikë që të bëjnë shumë më tepër për të avancuar me reformat në interes të qytetarëve dhe në interes të rrugës evropiane drejt Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, zëvendës kryeministri maqedonas për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiç, i cili është dhe kryenegociator në procesin e bisedimeve me BE-në, tha se rekomandimet do t’i shërbejnë Shkupit si bazë për zbatimin e reformave në vijim.
Por, ai kritikat dhë vërejtjet e Brukselit nuk i shikon si të drejtuara vetyëm ndaj qeverisë, por më tepër ndaj opozitës.
“Plani dhe në përgjithësi, procesi i integrimit në BE nuk ka të bëjë vetëm me aktivitetet e qeverisë por për të gjithë shtetin. Prandaj e hapëm derën për pjesëmarrjen e të gjithëve që janë pjesë e procesit brenda dhe jashtë qeverisë; brenda dhe jashtë parlamentit. Ne i kemi filluar bisedimet me BE-në, por çështja është se a do të vazhdojmë më tej. Vazhdimi i bisedimeve nuk lidhet me këtë raport (të KE-së) por lidhet me ndryshimet kushtetuese”, u shpreh zoti Mariçiç.
Ai shtoi se vërejtjet e theksuara nga Brukseli duhet të jenë si detyrë shtëpie për Maqedoninë e Veriut gjatë bisedimeve me BE-në.
“Por se a do të kalojmë në një fazë tjetër, kjo varet vetëm nga ajo se a do t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese” theksoi në mënyrë të prerë i ngarkuari me çështjet evropiane në qeverinë e vendit.
Ndërkohë që në raport vihet re bllokada e opozitës që po i bën punimeve të parlamentit, Qeveria dhe opozita maqedonase janë përplasur duke akuzuar njëra tjetrën për kritikat e KE-së. VMRO-DPMNE-ja është shprehur e kënaqur që “ka penguar pushtetin të sjellë ligje me procedurë të shkurtuar dhe ta keqpërdor Flamurn Evropian”.
Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate në qeveri e quan VMRO-në “frenuese e reformave dhe e rrugës evropiane të vendit”.
Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut përmban një mori vërejtjesh për reformat në sundimin e ligjit, mungesën e përparimit në luftën kundër korrupsionit ndërsa kritikon parlamentin e polarizuar që po keqpërdor integrimet evropiane për kalimin e shpejtë të projektligjeve që nuk kanë të bëjnë me reformat e procesit të anëtarsimit në Bashkimin Evropian.
Shkupit i rekomandohet të bëjë ndryshimin e Kushtetutës për të përfshirë pakicën bullgare në të, si rrugë kyçe që do t’i mundësonte vendit përshpejtimin e integrimit në BE.