MaqedoniaRajoni

Shkup, Stevo Pendarovski merr detyrën e presidentit

Të dielën në Shkup u bë inaugurimi i presidentit të ri te Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Zoti Pendarovski tha në një fjalim se do të jetë president i të gjithëve dhe se do të angazhohet për një pajtim politik në vend. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë presidentët e disa prej vendeve të Ballkanit perëndimorë, përfaqësues të tjerë shtetërorë e diplomatë të shumtë.

Stevo Pendarovski, presidenti i pestë i Maqedonisë së Veriut bëri betimin në parlamentin e vendit para deputetëve dhe mysafirëve të shumtë, në mesin e të cilëve edhe presidentët e Shqipërisë, Bullgarisë, Kosovës dhe Serbisë dhe ministrat e jashtëm të Greqisë e Malit të Zi. Por, në ceremoninë e inaugurimit mungoi kryeministri maqedonas Zoran Zaev, siç kishte shpjeguar që më parë: për arësye private.

Presidenti i ri pasi bëri betimin në parlament, tha para ligjvënësve se do të jetë president i të gjithëve, “edhe i atyre që e kanë votuar edhe i atyre që kanë votuar njërin prej kundër-kandidatëve në garën presidenciale”.

“Është koha t’i shërojmë plagët nga e kaluara jo e largët dhe ta fillojmë pajtimin e vërtetë qytetar sepse nuk kemi një atdhe rezervë”, tha zoti Pendarovski. Ai bëri thirrje për kapërcimin e dallimeve të cilat në Maqedoninë e Veriut janë tepër të mëdha, në veçanti ato politike, siç vërejti presidenti Pendarovski.

Ai tha se do t’ia shtrijë dorën e pajtimit opozitës. Stevo Pendarovski foli për rritjen ekonomike, për tolerancën zero ndaj korrupsionit, kriminalitetit dhe nepotizmit, ndërkohë që theksoi nevojën për angazhimin dhe bashkimin rreth interesave strategjike të vendit, siç janë ato të integrimit euro-atlantik.

Zoti Pendarovski e bëri pranim-dorëzimin e detyrës me tashmë ish-presidentin Gjorgje Ivanov. Me këtë të fundit mbajti një takim rreth një orësh në presidencë.

Më pas priti në takime të ndara presidentët e Bullgarisë, Rumen Radev, të Shqipërisë Ilir Meta dhe të të Serbisë Aleksandar Vuçiç. Ndërkaq, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u largua pas ceremonisë së inaugurimit.

Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja ende nuk mund të pajtohet me humbjen në këto zgjedhje, teksa thotë se presidenti i ri “Pendarovski është në hipotekë politike”; “Do të shohim se cila do të jetë fatura”, është shprehur Antonijo Milloshoski i kësaj partie.

Megjithatë, zoti Pendarovski konsiderohet si një politikan i moderuar dhe pro-perëndimor dhe roli i tij do të bënte, sipas analistëve, hapërimin më të shpejtë të vendit drejt BE-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button