Nuk do të ketë ftesë për anëtarësim në NATO për Maqedoninë pa zgjiedhjen e çështjes së emrit me Greqinë fqinje, deklaroi dje kryeministri maqedonas, Zoran Zaev për agjencinë maqedonase të lajmeve, MIA.
Zaev theksoi se mundësia e bashkimit me NATO-n nën emrin Maqedoni, pavarësisht një marrëveshjeje për emrin me Athinën, është përjashtuar nga sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg gjatë vizitës së tij në Shkup.
”Nëse çështja e emrit nuk zgjidhet gjatë muajve të ardhshëm, atëhere ekzistojnë mundësitë që Shkupit t’i ofrohet një marrëdhënie e lirë partnershipi në NATO-n, e ngjashme me atë të Suedisë, por qëllimi im është një anëtarësim i plotë”, theksoi Zaev.
Kryeministri maqedonas tha se ishte bërë progres për çështjen e emrit gjatë negociatave në Vjenë, më 30 mars dhe se në takimin e 12 prillit priten zhvillime të reja, që mund të çojnë edhe në një takim mes tij dhe homologut grek, Aleksis Cipras.
“Besoj se përparimet në bisedime kanë arritur në një pikë që mund të çojnë në takimin e kryeministrave të të dy vendeve. Nëse qytetarët mësojnë se ka një takim Zaev-Cipras, kjo do të përbënte një konfirmim specifik dhe praktik se negociatat po ecin në rrugën e duhur dhe është e mundur gjetja e një zgjidhjeje”, theksoi Zaev.