Kosova

Shoqëria kosovare nuk është e gatshme të ballafaqohet me të kaluarën

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (QDHP) nga Prishtina, Nora Ahmetaj, konsideron se krimet e çfarëdo natyre duhet të zbulohen dhe kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Ahmetaj e cila ka hulumtuar krimet e luftës në Kosovë dhe rajon, konsideron se vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale vjen si pasojë e punës jo të mirë të gjyqeve në Kosovë dhe se detyra e gjyqeve është që të dëshmojnë të vërtetën, pavarësisht se në disa raste ajo mund të jetë e dhimbshme.

Ajo konsideron se nuk është mirë që selia e Gjykatës Speciale do të jetë në Holandë por, thekson se rrethanat ishin të tilla pasi që Kosova nuk ka dëshmuar se është e gatshme të krijojë Gjykatën e vet Speciale, sikurse e kanë Serbia, Bosnja e Hercegovina, dhe Kroacia.

“Deri tani gjyqet nuk kanë punuar si duhet. Është parë se, as UNMIK-u dhe as EULEX-i, nuk kanë arritur të merren më seriozisht me këtë çështje edhe pse kanë punuar mjaft në krahasim me gjykatat tona të cilat nuk kanë qenë të gatshme t’i zhvillojnë gjykimet për krimet e luftës” tha Ahemtaj.

Ajo u shpreh se, nuk kishte dashur që ndonjë individ nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të ketë bërë krime në emër të saj dhe më vonë ta ndaj të njëjtin identitet me ushtrinë çlirimtare.

“Askush këtu nuk po e mohon faktin se këtu ka ndodhur një luftë dhe UÇK-ja ka luftuar për liri dhe për të përzënë regjimin e Millosheviqit mirëpo, nëse individë brenda strukturave të UÇK-së kanë kryer krime atëherë , kjo aspak nuk ka të bëjë me tërë UÇK-në dhe këta individë që e kanë keqpërdorur për interesa personale, duhet të gjykohen”, nënvizoi Ahmetaj.

Aktivistja e njohur kosovare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thotë se gjyqit i nevojitet një periudhë e gjatë kohore për të mbledhur prova materiale dhe disi, ta nënshkruaj marrëveshjen me dëshmitarët, që është pika më e dobët e Kosovës.

“Vërejtja apo brenga ime e vetme është nëse ky gjyq do të mund të mbledhë rreth vetes dhe t’i mbrojë dëshmitarët të cilët do të jenë të gatshëm të dëshmojnë për vepra të tilla, sepse as Tribunali i Hagës e as EULEX-i, deri diku, nuk kanë arritur t’i mbajnë nën kontroll dëshmitarët ose t’i mbrojë ata” tha Ahmetaj.

Ajo rikujtoi se gjykatësi special amerikan, Wiliamson, në raportin e tij për vitin që shkoi, kishte shkruar se, gjatë hetimeve të ashtuquajturës “Shtëpi e verdhë” në veri të Shqipërisë ka qenë shumë e vështirë të gjenden prova materiale që dëshmojnë tregtinë me organet njerëzore, ndërsa është edhe më vështirë të gjinden dëshmitarë.

Megjithatë, Ahmetaj shtoi se Wiliamson ka gjetur disa dëshmi ndërsa çfarë do të jenë këto dëshmi, duhet t’i vërtetojë Gjykata Speciale.

Ahmetaj është këmbëngulëse në konstatimin e saj që për përballje me të kaluarën nuk është e gatshme asnjëra palë, qofshin serbët e Kosovës apo shqiptarët e Kosovës sepse është shumë vështirë të ballafaqohesh me krimet e tua personale.

“Ne dëshirojmë të identifikohemi vetëm me viktimën dhe nuk dëshirojmë që individët që kanë kryer vepra të këqija të gjykohen. Thjeshtë, ende jemi në një lloj çmendurie kolektive dhe kurrqysh nuk po mundemi të shikojmë veten si individ, por këtë e kërkojmë në kuadër të kolektivitetit etnik “ thotë ajo.

Ahmetaj po ashtu thekson faktin se, edhe pasi kanë kaluar 16 vite nga përfundimi i luftës, në Kosovë shumë pak flitet për krimet që janë bërë ndaj civilëve, ende diskutohet shumë pak dhe që do të duhet edhe një kohë bukur e gjatë, në mënyrë që shoqëria kosovare të rehabilitohet plotësisht.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button