Ekonomia

Shpenzimet kapitale deri ne fund të 11-mujorit realizohen 66%

Shpenzimet kapitale deri në fund të 11- mujorit të këtij viti janë realizuar në masën 66 % të planifikimit, çka e bën qeverinë të hartojë një plan për rialokimin e fondeve.

ekonomiaReferuar statistikave paraprake mbi treguesit fiskale sipas buxhetit të konsoliduar 2014, për periudhën janar-nëntor shpenzimet kapitale llogariten 43.433 milionë lekë nga 66.004 milionë lekë të planfikuara. Sipas burimeve nga ministria e Financave, po studiohet mundësia e rialokimit të fondeve. Burimet bënë të ditur se janë disa opsione në shqyrtim për mënyrën se si do të rialokohen fondet e mosrealizuara. Ndër opsionet e mundshme, burimet u shprehën se është likujdimi i borxheve të prapambetura ndaj hidrocentraleve private, ose pagesa për shpronësime. Pavarësisht se investimet publike kanë qenë ndjeshëm më të ulta se planifikimi, stimuli i injektuar në ekonomi prej buxhetit është kompensuar ndjeshëm prej pagesave të detyrimeve të prapambetura, të cilat ndikuan në përmirësimin e likuiditetit të sektorit privat në tërësi. Deri në fund të muajit nëntor, sipas ministrisë së Financave, janë paguar rreth 26.544 milionë lekë, ose 76 % e vlerës së planifikuar në fillim të vitit. Vlera e shpenzimeve kapitale dhe pagesave të detyrimeve të prapambetura të marra së bashku, që janë injektuar gjatë 11 muajve të vitit 2014, llogaritet 69.977 milionë lekë.

Defiçiti buxhetor për vitin 2015 parashikohet të ulet në nivelin 4.0% të PBB nga 6.6% e PBB që ishte planifikuar në buxhetin 2014. Financimi i tij do të realizohet kryesisht nëpërmjet huamarrjes së brendshme me rreth 2.9% të PBB. Për rrjedhojë, niveli i borxhit publik në fund të vitit 2015 parashikohet të ulet në nivelin 70.6% të PBB, krahasuar me nivelin e pritshëm të tij për vitin 2014 prej 71% të PBB.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button