Ekonomia

Shpërthimi në Marinëz-Ministria e Mjedisit pezullon aktivitetin e Bankers

-I përditësuar-

Gjiknuri: Situata nën kontroll

pusMinistri i Energjetikës Damian Gjiknuri vizitoi sot fshatin Marinzë pas shpërthimit të një sasie gazi në pusin e naftës në zonën ku punon kompania kanadeze “Bankers Petroleum” dhe tha se situata është nën kontroll, ndërsa u shpreh se, do të kërkohet llogari ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” për shpërthimet që rrezikuan banorët.

Ministri pa nga afër situatën dhe u interesua në lidhje me shqetësimet e banorëve mbi dëmtimet nga shpërthimi i gazit.

Prefekti i Fierit, Xhevit Bushi u shpreh në disa media se, situata po vjen drejt normalizimit. Po merren masa nga kompania “Bankers Petroleum” për të vënë nën kontroll shpërthimin e gazit, që nuk është helmues, sepse nuk është çliruar nga hidrokarburet, bëri të ditur ai. Sipas kompanisë kanadeze, gjithçka ndodhi pas një avarie teknike.

“Do diskutojmë me ministrin për shkaqet e ngjarjes. Bëmë mbledhje me Shtabin dhe me Bankers ku shpjeguan shkaqet teknike. Brenda 5-6 orësh ata flasin për një normalizim total të situatës. Po bëhen analizat e nëntokës dhe ambientit për të përcaktuar nivelin e ndotjes, nëse është helm apo jo. Situata është drejt normalizimit me masat teknike që janë marrë, por akoma ka gurgullime nga toka. Fenomeni nuk është i ditur, ka ndodhur një shpim në një pus, ka filluar gurgullimi i daljes në sipërfaqe të inerteve, llava balte, e cila vjen për shkak të shpërthimit që ka ndodhur rreth 1400 metra thellësi që ishte duke u shpuar pusi. Janë duke u marrë masat teknike”, tha Bushi.

Nga zona e dëmtuar janë evakuuar 60 familje, që ishin pranë puseve të naftës, ndërsa vërehet rezistencë e banorëve për të lënë shtëpitë e tyre, ndaj patrullat e policisë janë në terren për të shmangur ndonjë grabitje në banesa.

-Ministria e Mjedisit: Pezullimi i aktivitetit të Bankers deri në plotësimin e masave

Inspektorati i Mjedisit pezulloi sot aktivitetin e kompanisë kanadeze “Bankers Petroleum” nisur nga shpërthimet e gazit që ndodhën sot në mengjes në pusin nr 8 në zonën e Marnzës në Fier. Inspektorati i Mjedisit ka urdhëruar pezullimin e aktivitetit të kompanisë “Bankers Petroleum” derisa shkaqet e shpërthimeve në puset e naftës të sqarohen.
“Pezullimi i aktivitetit të plotë deri në plotësimin e gjithë masave në trajtimin e mbetjeve dhe të mos lejohet hedhja e tyre ne gropa ekologjike. Nuk do të lejohet rifillimi i aktivitetit deri në plotësimin e këtyre kërkesave”, thuhet në njoftimin zyrtar të Inspektoratit të Mjedisit.

FA dërgojnë 10 specialistë në Patos-Marinëz

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA-së kanë nisur 10 specialistë për të monitoruar situatën e krijuar në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës.
Burimet e ministrisë thanë se specialistët janë nisur për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të kësaj zone.
“Nga këto, 8 janë specialistë kimie dhe dy janë specialistë të Laboratorit të Forcave të Armatosura”, thanë burimet zyrtare të MM-së.

Një rrjedhje e pakontrolluar gazi ndodhi sot në mengjes në orën 6:00 në një pus nafte në zonën e Marinzës në Fier si pasojë e shpimit në një pus nafte në zonat ku punon kompania kanadeze “Bankers Petroleum Albania” Ltd. Kompania aktivizoi planin e ndërhyrjes për emergjencat në përgjigje të një rrjedhjeje të pakontrolluar gazi natyror në një pus kur po kryheshin operacione shpimi. Sipas saj, nuk raportohen të lënduar, ndërsa gazi që ka rrjedhur është gaz i ëmbël dhe i padëmshëm. “Stafi operacional dhe i sigurisë i kompanisë në bashkëpunim me qeverinë lokale, kompaninë pulbike “Albpetrol” dhe policinë e shtetit ka marrë të gjitha masat paraprake duke përfshirë edhe evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonën e prekur”, njoftoi “Bankers Petroleum”.

Shpërthimi i dy puseve të naftës në fshatin Marinzë ka vënë në rrezik banorët, që kanë ndërtuar prej vitesh banesat e tyre shumë pranë zonës ku nxirret nafta, pasi ujërat nëntokësorë u shpërndanë rreth 200 metra larg pusit duke hyrë në banesa dhe tokat bujqësore.
Mësimi u ndërpre në shkollën e fshatit, pasi ndodhet shumë pranë zonës së shpërthimit.
Operacionet nga “Bankers Petroleum” vazhdojnë për ta ndalur pusin, për të kthyer banorët në shtëpitë e tyre dhe më pas për të filluar punën për pastrimin e zonës së prekur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button