Shpjegimi: Përse qajmë, shkenca e përlotjes nga emocionet
Përse është më e thjeshtë të parandalohet një e qarë sesa të ndalohet një që ka nisur.
Trupi i njeriut është një makineri e jashtëzakonshme dhe sjellja jonë një burim i vazhdueshëm magjepsjeje. Te libri “Sjellja Kureshtare: Hapja e Gojës, e Qeshura, Lemza dhe më Tej, psikologu dhe profesori i neuroshkencës Robert R. Provine ndërmerr një analizë të sjelljeve njerëzore që janë të nënvlerësuara dhe për të cilat ka pak informacion. Ai e quan studimin “Shkencë e Vogël”, sepse nuk kërkon pajisje të kushtueshme dhe as buxhet të madh.
Marrim, për shembull, shkencën që e quajmë “e qara”, një kapacitet unik njerëzor, që konsiston në të qarën me zë, dënesën apo përlotjen. Shpjegimi i dhënë. Të rriturit qajnë më pak se fëmijët dhe në rastin e parë ata qajnë më tepër të ndrydhur sesa në mënyrë demonstrative si fëmijët. Tronditja që i bën njerëzit të qajnë është më tepër emocionale sesa fizike. Megjithatë, e qëllimshme ose jo, e qara është një mënyrë për të kërkuar ndihmë, qoftë fizike apo emocionale. Paradoksalisht, e qara e të rriturve për ndihmë është më e ndrydhur sesa e zhurmshme, siç ndodh te fëmijët shpesh në shtëpi kur kërkojnë vëmendjen e një audience të veçantë.
Ndryshimi nga e qara vokale te përlotja e dukshme favorizon një takim ballë për ballë që ofron mundësinë e lidhjes së intimitetit mes të rriturve. Kjo gjë u jep atyre aftësinë për të përzgjedhur se ku dhe kur të qajnë, apo ta ndalojnë atë, gjë që nuk është shumë e mundshme te fëmijët.
Për ta ilustruar më mirë psikologjinë e të qarit, Provine e vë përballë të kundërtës, të qeshurës, duke e bërë të dukshme se janë dy sjellje plotësuese dhe se kuptimi i njërës ndihmon të kuptojmë edhe tjetrën. Specialistët mund të diskutojnë se çfarë është një e qeshur apo e qarë tipike, por ka mjaftueshëm të dhëna për t’i dalluar. E qara është një shprehje zanore e pandërprerë, zakonisht rreth një sekondë ose më shumë gjatë së cilës nxjerrim frymën. Mendoni për “uaaa”-në e një bebi. E qara përsëritet në intervale të një sekonde, sa është zakonisht cikli i frymëmarrjes. E qeshura është një frymënxjerrje e ndërprerë dhe me zë, zakonisht “ha-ha-ha”, në të cilën çdo rrokje zgjat rreth 1/15 e sekondat dhe përsëritet çdo 1/5 sekondë.
Interesante është se edhe e qeshura edhe e qara tregojnë një tendencë të fortë për t’iu përmbajtur një sjelljeje që është nisur të bëhet. Këto veprime nuk kanë një çelës që i ndez apo fik, një tipar përgjegjës për disa sjellje te njeriu. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për një fëmijë apo për një të rritur, është më e thjeshtë të parandalohet një e qarë sesa të ndalohet nëse ka nisur. E qara shkakton më shumë të qara. Ashtu sikurse e qeshura, shkakton më shumë të qeshur, një truk që përdoret edhe nga komedianët. Në fakt, kontrolli i vullnetit nuk ka të bëjë shumë me fillimin apo përfundimin e shumicës së të qeshurave dhe të qarave.
Pra, nëse e qara vokale evoluoi për të tërhequr ndihmë, cili është qëllimi i lotëve në heshtje? Së pari, lotët përmbajnë lisozimë, që ndihmon pastrimin dhe lubrifikimin e syrit. Por Provine argumenton se ka diçka më interesante në gjithë këtë.
Disa prova tregojnë se NGF (Faktori i zhvillimit të nervave) te lotët ka funksione mjekësore. Përqendrimi i NGF te lotët dhe gjëndrat e lotit pas dëmtimit të kornesë, tregon se NGF ka funksion shërues. Për të njëjtën arsye rritet prodhimi i lotëve te syri i tharë. NGF mund të ketë një efekt antidepresiv që mund të rregullojë dhe sinjalizojë gjendjen shpirtërore.
Mendohet se fillimisht lotët krijoheshin për të sinjalizuar traumë në sy prej agresorëve të jashtëm dhe më vonë është bërë edhe një sinjalizues i emocioneve dhe gjendjes fizike.
E qara emocionale është unike për njeriun dhe një inovacion modern që mund të ketë lënë gjurmë të freskëta biologjike në gjenezë. Kontrasti i sistemit të së qarës te njeriu me paraardhësit tanë që nuk qanin mund të zbulojë një rrugë të re te mungesa e lotëve tek emocionet që përfshin edhe NGF. Kjo e fundit mund të jetë edhe agjent shërimi i gjetur te lotët edhe një neurotrofinë që luan rol qendror në gdhendjen e thelbit neurologjik për qarjen emocionale gjatë zhvillimit dhe evolucionit.
Pjesa tjetër e librit “Sjellje kureshtare” merret me eksplorimin e fenomeneve të ndryshme si hapja e gojës, teshtima, kollitja dhe të tjera.