Ekonomia

Shqipëri-Finlandë, rritje e bashkëpunimit në fushën bankare

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e Bankës së Shqipërisë me ambasadorin e Finlandës në Shqipëri (rezident në Athinë), Pauli Mäkelä.

Në ekspozenë e tij, Guvernatori Sejko u ndal në zhvillimet financiare në vend, ku nënvizoi se sistemi bankar shqiptar është i kapitalizuar, likuid dhe financiarisht i shëndetshëm. Guvernatori Sejko u shpreh se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë i angazhuar në përmbushjen e misionit të tij, për qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit. Duke përfituar nga rasti, Guvernatori konfirmoi edhe njëherë angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të mbështetur rritjen ekonomike të vendit nëpërmjet politikës monetare stimuluese.

Një çështje me rëndësi të veçantë, e diskutuar gjatë takimit, ishte edhe ngjallja e interesit për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe vlerësimi i mundësive për nxitjen e investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Ambasadori i Finlandës në Shqipëri (rezident në Athinë), Pauli Mäkelä, vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend. Diskutimet dypalëshe u ndalën edhe në kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë po jep në procesin e integrimit evropian të vendit, nëpërmjet përafrimit të kuadrit rregullator dhe praktikave të punës, me direktivat e Bashkimit Evropian.

Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht në fushën e sistemit financiar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button