Shqipëri-Kosovë, heqje të barrierave për bizneset
Mbledhja e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë pritet të sjellë lehtësime për jetën e sipërmarrësve të të dyja vendeve, deklaruan të hënën gjatë një takimi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bajram Hasani dhe zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi.
Gjatë takimit në Prishtinë, Hasani dhe Mesi theksuan se të dyja vendet synojnë të mundësojnë qarkullimin e mallrave pa kaluar në pikat doganore.
Me këtë rast, të dyja palët deklaruan se mbledhja e dy qeverive, e cila do të mbahet me 27 nëntor të këtij viti, pritet të finalizojë marrëveshjet e arritura, duke sjellë kështu lehtësime për jetën e sipërmarrësve të të dyja vendeve.
Hasani tha se në këtë takim ranë dakord që të hartojnë një strategji të përbashkët të zhvillimit ekonomik, duke thelluar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai shtoi se janë të fokusuar në fuqizimin e produkteve që importohen dhe eksportohen mes dy vendeve, ndërsa shtoi se mbledhja e 27 nëntorit, pritet të finalizojë marrëveshjet e arritura.
“U dakorduam që të hartojmë një strategji të përbashkët të zhvillimit ekonomik, natyrisht, thellimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve. Mendojmë që t’i fuqizojmë ato produkte, të cilat mund të eksportohen në Kosovë dhe atyre që mund të eksportohen në Shqipëri, mes të dy vendeve. Mendoj se takimi i përbashkët që do të kemi në 27 nëntor në Korçë, do t’i finalizojë këto marrëveshje”, tha ai.
Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi theksoi se së bashku me ministrin Hasani, synojnë që secilën marrëveshje ta finalizojnë me produkte konkrete.
Mesi theksoi se po punohet që të mos ketë pikë doganore mes të dy vendeve, në mënyrë që të lehtësohet shkëmbimi i mallrave dhe shërbimeve.
“Duam që sigurisht të rrisim më shumë tregtinë reciproke, importet dhe eksportet, sigurisht për benifitin e të dy vendeve. Duke filluar që nga bashkëpunimi në pikën doganore. Shqipëria ka filluar dhe ka iniciuar procesin e saj të brendshëm për të mos pasur fare pikë doganore lidhur me shkëmbimin e mallrave dhe të shërbimeve. Ashtu sikurse ne lëvizim lirisht me një kartë identiteti, ashtu duhet të lëvizin dhe të komunikojnë edhe bizneset mes tyre”, theksoi ajo.
Takimet e përbashkëta mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, Mesi tha se mbahen herë në njërin vend e herë në tjetrin pikërisht për të zgjidhur problematikat e bizneseve.
Sipas saj, në mbledhjen e Korçës, e cila do të mbahet më 27 nëntor të këtij viti, pritet të ketë rezultate konkrete, duke finalizuar marrëveshje lidhur me tarifat tatimore, që do të lehtësojnë shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve.