Shqipëria me stendë në Festivalin Ndërkombëtar të Kulinarisë në Jesenicë
Shqipëria ka marrë pjesë me stendën e saj në Festivalin Ndërkombëtar të Kulinarisë organizuar në Jesenicë të Sllovenisë.
Në këtë festival stendat e paraqitura përfaqësonin më shumë se njëzetë shtete. Shoqata, organizata dhe komunitete me banim në Jesenicë bënin përfaqësimin e shteteve respektive. Në festival, krahas vendeve të tjera, përfaqësoheshin edhe Shqipëria dhe Kosova.
Stenda e Shqipërisë ishte përgatitur nën kujdesin e veprimtarit të njohur shqiptar me banim në Jesenicë, Besim Bytyçi dhe familjes së tij. Përveç prodhimeve të shijshme të kuzhinës shqiptare, stenda e Shqipërisë dhe Kosovës përfshinte edhe materiale promovuese të turizmit, si dhe materiale të tjera. Ambasada e Shqipërisë gjithashtu u bë mbështetëse e projektit.
Kryetari i Bashkisë Jesenicë rezervoi një takim të veçantë për ambasadorët dhe të ftuarit. Pas ceremonisë së hapjes, ku përshëndeti edhe ambasadori Pëllumb Qazimi, të pranishmit ndoqën një koncert me këngë e valle të popujve të ndryshëm.
Më pas të pranishmit e shumtë kanë vizituar stendat e të gjithë vendeve dhe kanë shijuar të veçantat kulinarike të secilit prej tyre. Stenda shqiptare është pëlqyer dhe frekuentuar në mënyrë të veçantë, sidomos për shijen e produkteve të paraqitura.