Kronika

Kontrabandë më naftën, mbyllen hetimet për ish zv/Drejtoreshën e Doganave dhe disa zyrtarë

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim administratorin e kompanisë së naftës, “Tea Construction & Petrol”, ish zëvendëse Drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave dhe disa punonjës dogane.

Sipas organit të akuzës ata ishin të përfshirë në një skemë mashtruese financiare, që kishte të bënte me naftën, duke i shkaktuar një dëm shtetit mbi 2 milionë euro.

Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit, në bazë të materialit referues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka rezultuar se kompania “Tea Oil”, me administrator Adrian Xhillari ka marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “Virxhin” në pronësi të tij nga depot e Mëzezit për në depot pranë rafinerisë së përpunimit të naftës, në Ballsh.

Por, rezulton se kjo sasi nafte (4.4 milionë litra), e cila nuk lejohet të dalë në treg pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg të lirë.

Krahas pasojave shumë të mëdha në mjetet e qytetarëve, “zhdukja” e kësaj sasie të madhe nafte, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në mbi 2 milion euro nga shmangia e pagimit të akcizës.

Prokuroria e Fierit, në vijim të hetimeve të saj, ka konstatuar se “zhdukja” e 4.4 milionë litrave naftë “Virxhin” të “Tea Construction & Petrol” është realizuar edhe për shkak se zyrtarët e doganave që kishin për detyrë të regjistronin lëvizjen e sasisë së karburantit nga Mëzezi në Ballsh dhe të monitoronin depozitimin e saj në depot përkatëse, nuk e kanë kryer detyrën e tyre.

Nga hetimi ka rezultuar se nga punonjësit e nivelit të lartë të administratës doganore janë kryer veprime që kanë lejuar shtetasin Adrian Xhillari me cilësinë e administratorit dhe aksionerit të vetëm të shoqërisë Tea Construction & Petrol Sh.a dhe këtë shoqëri, që ti shmangen procedurave të mbikëqyrjes doganore, duke sjellë si pasojë fshehjen e të ardhurave dhe shmangien e detyrimeve nga këto subjekte.

Të akuzuar nga prokuroria

Adrian Xhillari, administratori

Lula Njebza, ish-zv/Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave

Mirarbër Teneqexhiu, ish-Kryetar i Degës Doganore

Alfred Bushi, doganier në Fier

Syrja Misiraj, doganier në Fier

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button