“Shqipëria mund të ketë investime më të mëdha me qëndrueshmëri më të sigurtë”
Zëri i Amerikës: Zoti Granoff! Këtë vit Fondi Shqiptaro-Amerikan i Sipërmarrjeve mbush 20 vjet të pranisë në Shqipëri. Ai është sot pjesë e një numri sipërmarrjesh të rëndësishme. Si e përshkruani ecurinë e tij?
Majkëll Granoff: Unë erdha në Shqipëri kur ajo ishte një vend shumë i ndryshëm nga tani. 20 vjet më parë kur erdha, këtu ishte vetëm një restorant ku mund të drekoje, këtu ishin vetëm 3 vende, që pranonin karta krediti, dhe rruga mbizotërohej më shumë nga delet se sa nga automjetet. Një nga arsyet që Presidenti Klinton më emëroi në Fondin Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjeve ishte pikërisht sepse Shqipëria kishte mbetur deri atëherë vendi më i varfër në Europë dhe vendi më i vështirë, ku Fondi do të vepronte. Kanë kaluar 20 vjet. Duket se është kohë e gjatë, por në jetën e një vendi kjo është një kohë e shkurtër. Unë pata nderin të jem dëshmitar dhe pjesëmarrës, të jap ndihmesën time në krye të Fondit për zhvillimin ekonomik dhe njerëzor, që Shqipëria pati në këtë periudhë.
Synimi i Fondit, dhe tani i Fondacionit, ishte të gjente fushat ku mund të vepronte dhe të ndërtonte modelet amerikane të investimit, si t’i mësonte shqiptarët dhe si të kishim një ndikim sa më të madh mbi jetën e tyre. Jo të gjithë projektet kanë patur rezultat të njëjtë, kemi mësuar nga gabimet tona, por në fund, modelet tona ndihmuan shumë në shndërrimin e atyre sektorëve, ku ne kemi hyrë dhe ato patën ndikim domethënës në jetën e njerëzve.
Gjatë bisedës me një grup studentësh u thashë se sa heë që ju futni kartën në makinat bankare ajo është një investim i Fondit, kur merrni pasportën dhe kartën e identit edhe ato janë një investim i Fondit, po ashtu edhe kur shkoni këtu në tregjet më të mëdha. Kemi punuar në shumë fusha, ndihmuam në krijimin e këtyre standarteve të reja, që kanë ndikuar mjaft në jetën e njerëzve. Kur sheh pas se si ishte Shqipëria 20 vjet më parë, asgjë nga ato gjëra nuk ekziston më. Ne nuk bëmë ndonjë gjë magjike. Ne krijuam një kanal për shqiptarët, që të krijojnë për veten çfarë ata donin. Ne u dhamë shqiptarëve një mundësi të mësojnë dhe të zhvillojnë gjëra që ata vetë donin.
Zëri i Amerikës: Një praktikë të ngjashme Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur dhe në vende të tjera. Nëse mund të bëni një krahasim me ato vende, si ka qenë veprimtaria e Fondit këtu në Shqipëri dhe rezultatet e arritura?
Majkëll Granoff: Kjo strukturë e re si Fond sipërmarrjesh ishte një eksperiment, një formë e re e ndihmës së jashtme nga qeveria amerikane, në përpjekje për të ndihmuar vendet post-komuniste, që të zhvillonin sektorin privat. Ky eksperiment u përhap kudo dhe pati sukses në shumë vende, ku u ngritën shumë sipërmarrje. Ky model mendoj se është i shkëlqyer dhe, mesa di, qeveria amerikane po mendon ta zbatojë këtë model në vende të tjera si Egjipti, Algjeria dhe vende të tjera. Pra, kaloi nga një eksperiment në një model të qëndrueshëm për të ndihmuar zhvillimin ekonomik.
Me këtë model Shqipëria është një vendet më të suksesshme, në mos po edhe më i suksesshmi i Fondeve të sipërmarrjes, nisur nga fakti që ishte vendi më i varfër në Europë dhe nën regjimin komunist vendi më i izoluar i Europës Lindore. Në Shqipëri ne arritëm një gërshetim të rrallë midis një grupi drejtues me përvojë të madhe dhe me pasion të madh për detyrën e vet. Ne kishim një ekip të pazakontë, i cili punoi së bashku për 10 ose 20 vjet. Po ashtu patëm një bashkëpunim të rrallë me qeveritë shqiptare dhe opozitën gjatë gjithë kohës. Nuk është një por janë 8 kryeministra, me të cilët ne bashkëpunuam. Këto tre gjëra, të gërshetuara me etjen e shqiptarëve pas komunizmit për të ndërtuar një jetë më të mirë, krijuan kushtet që të bënim ato punë që sollën suksesin tonë më të madh se vendet e tjerë. Fondi i Sipërmarrjeve për Shqipërinë ishte i fundit që u krijua, dhe u bë më i miri.
Zëri i Amerikës: Pak vite më parë, vendosët që Fondi të mos e zgjeronte më tej veprimtarinë e vet me investime të tjera, por krijuat Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Pse kjo zgjedhje?
Majkëll Granoff: Nuk ishte vendimi im, për të qenë i sinqertë. Në Uashington ka një afat kohor me ligj për funksionimin e Fondeve të sipërmarrjeve dhe afati mbaroi. Disa Fonde janë mbyllur, disa të tjerë po përdorin të hollat për veprimtari jofitimprurëse si fondacione. Pra, nuk ishte ideja ime, thjesht është rrugë e caktuar nga qeveria amerikane, që ne e ndjekim për të kaluar nga Fondi në Fondacion. Jemi shumë me fat, që fitimet e konsiderueshme nga Fondi po i përdorim si kontribute për Fondacionin dhe kjo është arsyeja që ai është institucioni më i madh jofitimprurës në Shqipëri dhe në gjithë rajonin.
Zëri i Amerikës: Këto ditë në Tiranë, Fondacioni është përfshirë në disa projekte të ndryshme. Cilat janë fushat që kanë marrë më shumë financime? Nga cilat vlerësime ju ndikoheni për të vendosur, nëse duhet mbështetur ose jo, ky apo ai projekt?
Majkëll Granoff: Fondacioni ka disa kritere mbi fushat, ku është i interesuar. Ne duam që Fondacioni të vazhdojë përpjekjet e Fondit për të nxitur sektorin privat në një mënyrë social dhe jofitimprurës. Ne përcaktuam trashëgimia kulturore, nismat e biznesit, pjesëmarrja në drejtim dhe shkollimi, si fushat që kanë ndikim në jetën e njerëzve. Ne shohim për projekte sipas kërkesave si për shembull: Çfarë mund të bëjmë ne, që të tjerët nuk e bëjnë, ku mund të vendosim një model amerikan apo perëndimor që Shqipëria të bëjë gjërat më mirë, si të ndikojmë në jetën e sa më shumë njerëzve që të jetë e mundur, si do të zgjerohet ai projekt, si mund të afrohen patnerë në ato projekte, sepse ajo nuk është një punë e Fondacionit, ne vetëm i mbështesim. Marrin pjesë qarqet e biznesit, pushteti vendor, qeveria; krijohet kështu një model partneriteti publik-privat, që është i ri për Shqipërinë por është i nevojshëm, nëse ju vërtet doni t’i ndryshoni gjërat për një numër të madh njerëzish.
Zëri i Amerikës: Ku do të përqëndrohet Fondacioni në të ardhmen e afërt? Cilët janë ato sektorë që sipas jush kanë më shumë nevojë për nxitje dhe mbështetje?
Majkëll Granoff: Fushat ku po punojmë tani janë në zhvillim e sipër. Arsimi, për shembull. Unë nënshkrova një marrëveshje me ministren Nikolla, që vitet e ardshme të nxitim shkollimin e biznesit përmes lëndës “Arritje rinore” në të gjithë shkollat fillore. Më shumë se 400 mijë fëmijë do të marrin njohuri në lëndën e biznesit qysh në klasë të parë. Tre ditë më parë isha në Korçë, ku përfunduam shëtitoren e saj dhe po nisim rregullimin e pazarit të vjetër së bashku me zëvendës kryeministrin dhe bashkiakun për të ndryshuar klimën urbane të Korçës. Ne punojmë me cilësi dhe në afate të shkurtra. Kur të vij në tetor pres të shoh ecurinë e mbarë të projekteve që nisëm sot. Thelbi është që dhurimet dhe filantropia janë të mira, por dëshira e mirë dhe paraja nuk mjaftojnë. Bordi dhe unë jemi shumë të përqëndruar për të shndërruar paratë tona në rezultate të qarta në terren që të preken nga njerëzit. Në fund gjërat maten me rezultate dhe jo me dëshira, sepse kështu gjykojnë njerëzit.
Zëri i Amerikës: Nga përvoja juaj e gjatë në Shqipëri dhe në fushën e biznesit, si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë këtu dhe klimën e biznesit. Shqipëria nuk po gjen ende rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm…
Majkëll Granoff: Demokracia është një proces, një udhëtim, jo një adresë mbërritje. Dhe nuk është një proces i lehtë. Çdo problem është i veçantë dhe demokracia nuk është e lehtë. Njerëzit duhet të kenë kujdes dhe të jenë të vëmendshëm, ashtu si edhe ne përqëndrohemi në atë që bëjmë. Demokracia është shumë më tepër se sa të mbash zgjedhje. Demokracia është të krijosh institucione, mbizotërimin e ligjit. Njerëzit kanë nevojë të kenë besim tek natyra e qeverisë, të sigurohen se ajo punon për ta dhe jo kundër tyre. Njerëzit kanë nevojë të krijojnë institucione që të mbështesin ambicjet e tyre demokratike. Ky është mesazhi im për të gjithë ata që ma bënë këtë pyetje qysh kur kam ardhur në Shqipëri dhe ky është qëndrimi i vazhdueshëm dhe politika e SHBA. Ajo ka besim të madh tek e ardhmja e Shqipërisë, ka miqësi të mirë me të dhe ndihmon të zhvillohet demokracia shqiptare në të gjitha këto fusha. Pyetja mbi lidhjet ndërmjet klimës politike dhe klimës së biznesit është shumë e rëndësishme.
Zëri i Amerikës: Ju i përmendët zgjedhjet. Sa e vështirë është për një investitor të punojë në një terren të tillë me përplasje të përhershme? Për një investitor të huaj, si ndikon kjo klimë në të cilën palët duket se janë në përplasje të përhershme?
Majkëll Granof: Një investitor kërkon qëndrueshmëri, veprimtari bankare, besueshmëri të vendit, mbizotërimin e ligjit, mbrojtje dhe siguri për investimin e tij. Nëse i ka këto, ai investon më shumë para, nëse ka më pak qëndrueshmëri ai invest më pak para. Kjo është njëlloj si për shqiptarët ashtu edhe për të huajt.
Zëri i Amerikës: Flitet shpesh për nevojën e një pranie më të madhe të investimeve amerikane. Në këndvështrimin tuaj, përse një sipërmarrës amerikan do të duhet të vijë në Shqipëri? Çfarë hapësirash mund të gjejë dhe në cilat fusha?
Majkëll Granif: Përgjigja më e mirë për këtë pyetje është Shqipëria ka nevojë të hedhë hapa për t’u bërë më konkurruese nëpër shumë fusha. Kjo jo që të marrë më shumë investime amerikane në Shqipëri por që të vijnë më shumë investime në përgjithësi. Çështja nuk është vetëm për investimet amerikane, por duhet që të vijnë investime nga të gjitha anët dhe nga vetë shqiptarët. Për shembull; Shqipëria po përfiton tani edhe nga statusi i vendit kandidat të Bashkimit Europian. Ajo duhet të arrijë standartet që të përfitojë investime nga vendet antare të BE-së. Reformat me të cilat u mor statusi i vendit kandidat, janë të njëjta me ato që nxiten firma nga SHBA dhe BE për të investuar në Shqipëri. Po ashtu si edhe vetë shqiptarët duhet të investojnë paratë në vendin e tyre. Vendi duhet të përqëndrohet në reformat për transparencë, për shtet ligjor dhe qëndrueshmëri, pastaj të gjitha këto krijojnë rritje ekonomike dhe cilësi më të lartë për jetën e shqiptarëve. Një kandidat për president në SHBA kishte një shprehje themelore në fushatën e tij: “A jeni më mirë sot se sa 4 vjet më parë? Nëse jeni më mirë sot, votoni për kundërshtarin tim, por nëse jo, atëherë votoni për mua”. Kjo është rruga e përmirësimeve. Në fund, nëse nuk jeni më mirë, duhet të ndryshoni.
Zëri i Amerikës: Sipas jush, çfarë të dhënash nga Shqipëria mund ta tërheqin një investitor amerikan, apo europian?
Majkëll Granoff: Shqipëria ka shumë gjëra me vlerë. Ka një rini të shkolluar dhe të ditur si forcë punëtore, ka një popullatë në moshë të re shumë të lidhur me teknologjitë e reja, me kosto më të ulët se sa vendet fqinje, po ashtu ka edhe vendndodhje të përshtatshme gjeografike, që të çon drejt tregjeve të mëdha. Pra Shqipëria ka shumë vlera, që i ofron si një vend tërheqës për investime.