Shqipëria në 1915, një mbretëri e operës komike
Një artikull i një periodikeje amerikane në mars 1915, mundohet të komentojë situatën në të cilën ndodhej në atë kohë Shqipëria, të përcjellë kaosin politik dhe mëdyshjet që po kaplonin banorët e saj të varfër, pikërisht një vit pas mbërritjes së Princ Vidit, në agimet e Luftës së Parë
Nga Armand Plaka
Vetëm një vit pas mbërritjes në “tokën e premtuar”, askujt nuk do t’i kishte shkuar ndërmend se mbreti i shumëpritur i shqiptarëve, jo vetëm që nuk do të ishte më fizikisht mes tyre, por do të bëhej edhe objekt thashethemesh e spekulimesh për heqje dorë nga froni, gjë të cilën ai realisht nuk e bëri kurrë, deri në fund të jetës.
Pas shumë andrallave e telasheve, aventurave, gabimeve e të papriturave që e bënë periudhën në të cilën ai qeverisi të vlerësohet jo vetëm si njëra ndër më të shkurtrat, por edhe më të trazuarat në historinë e Shqipërisë, shpërthimi i Luftës së Parë dhe zhvillimet që pasuan, bënë që shqiptarët edhe një herë të tërhiqnin vëmendjen e fuqive të mëdha e jo vetëm, për të parë se në cilin krah do të rreshtoheshin dhe se kush do të ishte pasardhësi real në terren i mbretit të tyre.
A kishin ndryshuar tashmë qëndrim shqiptarët apo ishin të tjerë ata që po ndryshonin? Kujt ia kishin borxh t’i shkonin pas e kujt jo? A njihej neutraliteti shqiptar në luftë dhe për më tepër, a njihej vetë shteti shqiptar? Kush e njihte dhe kush jo, kush e kishte krijuar, kush e mbante më këmbë dhe kush e konsideronte si “të vdekur akoma pa lindur”?
Çfarë mendonin për këtë segmente të shtypit perëndimor, që sidoqoftë i vlerësonin shqiptarët si “trima”, që duhet t’i menaxhonin më mirë punët e tyre, në mënyrë që të mos e pësonin si në rastin e Princ Vidit, të cilin në fund ata e vlerësojnë si “të mjerë”. Cili lider prej shqiptarëve po njihte një yll në ngjitje për momentin dhe çfarë parashikonin për të komentatorët e huaj?
Në fakt, nuk kemi të bëjmë me një përmbledhje të faqeve të shtypit të huaj të kohës, por me një artikull të revistës javore amerikane, “The Literary Digest”, të 6 marsit 1915, me titull “Një mbretëri e operës komike”, e cila me një sy në dukje neutral, mundohet të komentojë situatën në të cilën ndodhej në atë kohë Shqipëria, të përcjellë kaosin politik dhe mëdyshjet që po kaplonin banorët e saj të varfër, të futur pa kurrfarë dëshire, në një mesele të gatuar gabim e plot rreziqe nga ata që pretendonin se po jepnin zgjidhje edhe për vendin e tyre.
Artikulli u bën për më tepër një akuzë të hapur fuqive të mëdha që lejuan de facto cenimin e sovranitetit të Shqipërisë, dhe vë në dukje e dënon Greqinë që me veprimet e saj në Epirin e Veriut, po shkelte me këmbë traktatet e marrëveshjet ndërkombëtare e çdo rregull të lojës diplomatike.
Citon ish-ministrin e Jashtëm rus që e shprehte hapur mendimin se Shqipëria për të as që kishte ekzistuar ndonjëherë dhe dënon edhe lëvizjet e Italisë për të pushtuar Vlorën e marrë nën kontroll pjesë të Shqipërisë.
Bazuar në deklaratën e mbretit të larguar qysh në shtator të vitit paraardhës, duket sikur për artikullshkruesin tashmë pretendimi dhe trashëgimia e tij akoma nuk ishte shkrirë, sikurse edhe bora e ndërrimit të viteve, por i paralajmëron shqiptarët se duhej të shihnin tashmë të ardhmen e tyre më me mençuri e ta shfrytëzonin situatën në favor të tyre.
Qëndrimet e autorit (që na serviret sidoqoftë pa emër), duken paksa ambige e teksti të jep idenë edhe të një pështjellimi – pasi në disa raste nuk mund të kuptohet dot madje as edhe se kujt i përket citimi, kur mbyllen e kur hapen thojëzat – duke na e bërë edhe më të qartë vetë kaosin që mbizotëronte në atë kohë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Perëndim, përballë agimeve të “Luftës së Madhe”, e cila do të duhej të thithte shumë kontribute e ndër ta, pse jo, edhe të shqiptarëve.
Më poshtë artikulli i plotë:
* * *
Një histori e hidhur e gjen rrugën drejt nesh nëpërmjet shtypit italian. Duket sikur e gjithë bota është zemëruar kur imagjinoi se Princi Vilhelm Vid, që dikur ishte dhe Mbret i Shqipërisë, ka abdikuar nga froni. Asgjë nuk mund të ikë larg fakteve dhe ne jemi të lumtur të njoftojmë nën autoritetin e Pjetër Karriqit, sekretarit të Marshallitetit të Trupës, se Madhëria e tij akoma mbretëron në Shqipëri. Duke shkruar për “L’Italie”, një gazetë franceze që publikohet në Romë, sekretari i Marshallitetit, thotë:
“Shumë gazeta italiane kanë komentuar shpesh mbi aksionin e Mbretit të Shqipërisë për t’iu bashkangjitur ushtrisë gjermane dhe e kanë konsideruar këtë gabimisht si një refuzim të fronit.”
E ardhmja e Shqipërisë, e cila në fakt është një kreaturë e aleancës treshe, do të varet nga vullneti i ushtrive austro-hungareze dhe gjermane. Jo vetëm kreu i shtetit, por çdo shtetas shqiptar, pa dallim feje, duhet të ndihet i detyruar të luftojë në anën e tyre, duke i njohur ata si liberatorë të Shqipërisë.
Nëse dikush flet për dhunim të neutralitetit të Shqipërisë, kjo nuk ka ekzistuar kurrë përveçse në letër, në marrëveshjen e Konferencës së Londrës. Greqia, me mosevakuimin e saj të Epirit të Veriut, tashmë i ka dhunuar qysh nga koha e mbërritjes së Sovranit, të gjitha traktatet dhe aktet diplomatike të fuqive të mëdha. Ky dhunim madje ka pasur edhe aprovimin e kabineteve europiane, qëkurse u konkludua me nënshkrimin e Protokolleve të Korfuzit.
Është një gabim të përdorësh fjalën e mëparshme “Princ Vidi” si titullin e tij, dhe jo Mbreti Vid; pasi i pari është më shumë titulli të cilin ai është njohur, në vend të Kontit të Krujës për shembull apo njërit prej emrave të tjerë me të cilët ai është titulluar, ndërsa në ushtrinë gjermane, ai njihet me titullin e tij, “Mbret”. Është vërtet “emri i tij i luftës”. Si pasojë, thashethemi i përhapur në lidhje me refuzimin nga ana e tij për fronin, është tejet absurd.
Në deklaratën e tij “Për shqiptarët” më datë 3 shtator 1014, ai thotë:
“Unë për këtë arsye kam vendosur – në mënyrë që të mos lë papritur punët të cilave dëshiroj t’u dhuroj gjithë energjitë dhe jetën time – se do të ishte më mirë për mua që të largohem drejt Perëndimit për disa kohë. Por të jeni të sigurt, se edhe prej së largu, sikurse edhe së afërmi, unë nuk do të kem mendim tjetër përveçse të punoj për prosperitetin e atdheut tonë të shtrenjtë”. Mbreti i Shqipërisë për momentin gjendet në fushën e betejës, por shpirti i tij jeton vazhdimisht në Shqipëri. Dhe ajo çfarë banorët e Shijakut, Kavajës dhe Tiranës kërkojnë sot, është rikthimi i sovranit të tyre.
Por nga pikëpamja e të paktën një fuqie të madhe, Shqipëria nuk ekziston më, e po flasim për pushtimin italian të portit shqiptar të Vlorës, i tha z. Sazanoff, ministri rus i Punëve të Jashtme, gazetës italiane “Corriere Della Sera”:
“Rusia nuk ngre pretendime për pushtimin e Vlorës. Ne e shohim atë si një aksion politik të parakushtëzuar, për të cilin Italia është e gatshme të marrë pasojat. Për ne, shteti i Shqipërisë nuk ekziston. Shqipëria ka vdekur para se të lindte”.
Ndërkaq, banorët e vendit, të cilët “në shpirt” akoma i qeveris Vilhelm Vid, nuk duket se po vuajnë nga ndonjë monotoni e bezdisshme. Një korrespondent special i “London Times”, që shkruante nga Durrësi, i paraqet shqiptarët sikur janë të detyruar të kalojnë nga njëra anë në tjetrën, falë agjentëve xhonturq të Stambollit. Me ç’duket, shqiptarët po e shijojnë këtë situatë të paqëndrueshmërisë politike, për të cilën korrespondenti i “Times” shkruan:
“Në ditët e shkurtra, por të trazuara të qëndrimit të Princ Vidit, ajo që i ndenji mike besnike atij, ishte vetëm Austria, agjentët turq në Shqipëri – dhe vendi i tyre ishte i mbushur me to – predikonin doktrinën se të dy, Austria dhe Vilhelmi, mbronin Krishtërimin agresiv, dhe se ishte detyrë e çdo myslimani të ndershëm t’u rezistonte planeve djallëzore të Austrisë.
Si pasojë, Shijaku, Kavaja, Tirana dhe pjesë të tjera të Shqipërisë, ngritën krye dhe rezistuan. Kryengritja dhe rezistenca është një biznes që shqiptarëve duket se u shkon shumë dhe tregojnë tërësisht mirëkuptim për të. Por, sado që janë mësuar me të, siç bën edhe irlandezi legjendar “agin the Government”, edhe shqiptarët po bëhen paksa shpërthyes në përqindjen e revolucionit që ata presin të kryejnë.
“Për momentin, agjentët xhonturq – e ata janë akoma atje – këndojnë një refren disi të ndryshëm. Duket sikur Austria, Austria katolike, është tek e fundit, bashkë me Gjermaninë e largët, e vetmja mike dhe kampione e myslimanëve.
Madje edhe Vilhelm Vidi, i cili në një farë mënyrë e ka rinovuar lidhjen e tij të hershme me ushtrinë gjermane, mbrojtës i besimit të krishterë, papritur shihet të ketë qenë ‘jo dhe aq i keq’, tek e fundit. Sepse armiku i vërtetë i Stambollit është Serbia!”
Korrespondenti e përfundon artikullin e tij duke shënuar një panoramë të errët të trupës shqiptare në ekzil në Romë, ndërsa mbreti po i delegon interesat e Shqipërisë tek ushtria gjermane.
“Mbetjet e eksperimentit të parë, fijet e asaj që mbeti nga trupa e oborrit dhe kabineti qeveritar i Princit të pafat Wied, akoma po tërhiqen nga Italia. Familja e tij janë apo ishin së fundmi, në liqenin Garda. Turhan Pasha, Kryeministri i tij, mund të shihet çdo mbrëmje duke ecur me ngadalë, një figurë disi në hije, ndërsa ecën në Via Nazionale.
Filip Noga, ministri i tij i Financave, unë e pashë së fundmi në Venecia, ndërsa po shkonte në një mision të pashpresë e të vakët në Shqipëri. Latifondistët dhe bejlerët më të vegjël në oborrin e mbretit, pinë çaj në ‘Grand Hotel’. Dëbora e motmoteve akoma nuk është shkrirë plotësisht, sikurse edhe sovraniteti i Vidit.”
Le të shpresojmë që Shqipëria dhe banorët e saj trima, të mund të sillen më mirë sesa regjenti i tyre i parë i mjerë.
Sipas gazetave angleze e italiane, fati i Shqipërisë varet nga Esad Pasha. Nëse ai, na sugjerojnë ato, do të ketë ndikim të mjaftueshëm te bashkatdhetarët e tij, atëherë ai do të jetë i aftë ta shndërrojë veten në një mbret të të gjithë shqiptarëve – sigurisht se për aq sa është e mundur për çdo burrë të dominojë një racë aq të trazuar sa ç’është ajo e shqiptarit, pasi jemi të sigurt se shqiptarët janë të tillë.
Për sa kohë që ai nuk e ka këtë besim, duket se do të jetë i aftë të arrijë qëllimin e tij dhe xhonturqit kanë proklamuar një pasardhës të Abdyl Hamitit si sovran të këtij vendi shumë të trazuar. Sipas “London Nation”, i gjithi ky kaos është shkaktuar, “sepse vendi i pafat po has tashmë në një konfuzion të paparë kurrë më parë. Esad Pasha duket për momentin se e ka stabilizuar shumë veten. Ai është shprehur për një politikë antiaustriake, është trajtuar si një benjamin i Italisë, dhe se madje ndërkaq ka arritur edhe një marrëveshje me serbët.
Por xhonturqit, të cilët e patën mbështetur atë fillimisht si kreun e një partie muhamedane, i kanë ndryshuar taktikat e tyre të luftës. Ata tashmë janë proaustriakë dhe për këtë arsye, edhe anti-Esad. Ata duket se kanë nxitur një rebelim kundër tij dhe i gjithë vendi tashmë është në kaos”.