Shqipëria në kurthin e varfërisë
KLODIAN MUÇO
Pabarazitë po rriten. Kjo jo si arsye e një konseguence të pashmangshme dhe aksidentale e krizës ekonomike globale që ka kapur pothuajse gjithë botën, por si një element strukturor i modelit të zhvillimit ekonomik dhe social të formëzuar nga politikat neoliberiste të aplikuara në Shqipëri në këta 25 vitet e fundit.
Politikat neoliberiste të ndërmarra në Shqipëri në periudhën në fjalë, janë jo vetëm për fajin e drejtuesve shqiptarë, por edhe pasi institucionet ndërkombëtare që na kanë asistuar përgjatë tranzicionit besojnë në politikat e tregut të lirë, ato e konsiderojnë tregun si mekanizmin më të mirë për shpërndarjen e resurseve. Këto institucione harrojnë se shpesh tregu i jep të drejt më të “fortit” dhe shkakton rritje të pabarazisë.
Të jetosh në pabarazi tashmë është diçka më se normale, ku 1% e popullsisë botërore mban 48% të pasurisë botërore, ku rreth 25% e shqiptarëve jetojnë në varfëri të plotë e sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, ky numër ka tendencë të rritet në të ardhmen, por nga ana tjetër, kemi biznese monopoliste ku fitojnë miliona euro dhe punëtorëve të tyre u japin rroga për mbijetesë. Ku rreth 20% e të punësuarve në Shqipëri punojnë në sektorin fason dhe call-center, me rroga nën minimumin jetik.
Nuk mund të ishte ndryshe gjithsesi. Në një duel mes kapitalit dhe punës në kohë krize fiton gjithmonë kapitali. Pra të drejtat civile, politike apo sociale për vende në tranzicion si Shqipëria kthehen shpesh në mirazhe e në shumicën e rasteve transformohen në privilegje. Privilegjet siç e dimë të gjithë, në shumicën e rasteve trashëgohen dhe rrallëherë fitohen. Kështu të kesh një punë të mirë në Shqipëri është luks. Asistenca shëndetësore po kthehet në një privilegj vetëm për ata që kanë mundësi të shkojnë te privatët. Marrja e pensionit për brezat e ardhshëm me siguri do jetë një mirazh. Të punësohesh në administratën publike duhet të kesh privilegjin të jesh pjesë e partive politike, nuk ka asnjë rëndësi sa shkollë ke bërë dhe ku e ke bërë.
Varfëria dhe privilegjet nuk janë të vetmet probleme të këtij vendi, problemi kryesor është se në 25 vitet e fundit, Shqipëria ka qenë edhe është në një kurth varfërie, ku kemi rritje ekonomike, por jo zhvillim, ku mirëqenia ekonomike e vendit për të arritur mesataren e vendeve të Bashkimit Europian i duhet të paktën 100 vjet kurse GDP-së, nëse do ecë me ritmet e viteve të fundit do t’i duhet minimumi 75 vjet. Po vallë pse të ndodhë e gjitha kjo?
Një rritje ekonomike e ulët shkakton rritje të ulët të të ardhurave, kjo e fundit shkakton një nivel të ulët arsimimi dhe nivel të ulët të shërbimeve të ofruara nga shteti. Një nivel i ulët arsimimi shkakton një nivel të ulët të kompetencave të burimeve njerëzore, të cilat shkaktojnë një nivel të ulët të produktivitetit, i cili shkakton një nivel të ulët të të ardhurave nga ana e vet dhe shkakton gjithashtu një nivel të ulët të investimeve. Pra ekonomia futet në një kurth “shkak-efekt”.
Sipas studiuesit Dasgupta, kurthi i varfërisë lind nga një deficit ushqimor. Një nivel i ulët i konsumit sipas tij, shkakton një shumëfishim të sforcos për të përmirësuar të ardhmen. Ulja e konsumit gjithashtu shkakton një ulje të rendimentit në punë, një limitim të përqendrimit në të mësuar i cili më vonë transformohet në një rendiment të ulët në punë dhe në arsimim.
Niveli i ulët i të ardhurave ndikon në kursime të cilat ndikojnë më vonë në mundësinë e marrjes hua. Kursimet dhe marrja hua “frenojnë” investimet, si për investime të reja për hapjen e vendeve të reja të punës si për rritjen e produktivitetit në punë.
Për të dalë nga kurthi i varfërisë edhe për një vend të vogël si Shqipëria është e vështirë, por jo e pamundur. Ose më saktë për vende si Shqipëria me burime të shumta natyrore është relativisht jo e vështirë.
Për të dalë nga ky kurth, policy-makerat shqiptarë duhet të marrin një sërë masash e mbi të gjitha duhet të ndryshojnë mentalitet.
Si fillim duhet të kuptojnë që problemi kryesor i vendit nuk është rritja ekonomike, por është përbërja e strukturës ekonomike dhe mungesa e zhvillimit ekonomik.
Një numër shumë i madh ekonomistësh afirmojnë se institucionet kanë një rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm në ndryshimin radikal të specializimit të prodhimit, por edhe në transformimin social dhe në ndryshimin e relacioneve sociale. Kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë në mënyrë definitive në Shqipëri, si për arsye të kushteve jo të mira në nisje, por edhe për shkak të mentalitetit dhe problemeve të korrupsionit që e bënë transformimin e sistemit prodhues pa i angazhuar të gjitha sferat sociale.
Për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm në kohë, nga një anë kemi nevojë për një model zhvillimi të integruar dhe të bazuar në potencialet lokale dhe mbi të gjitha të integruar në të gjitha sferat sociale dhe produktive të vendit. Me fjalë të thjeshta, nëse duam të fokusohemi p.sh., në agrikulturë, nuk duhet të limitohemi vetëm në prodhim, por duhet të krijojmë një organizim ndërlidhjesh ku prodhuesi duhet të rrisë gjithmonë e më tepër kontrollin në zinxhirin e konsumit, pra jo vetëm të merret me prodhimin e rrushit apo të qumështit, por të vazhdojë edhe me transformimin e këtyre produkteve në verë dhe në djathë. Më vonë duhet të merren si me tregtimin e këtyre produkteve po ashtu edhe me promovimin dhe rivlerësimin e sistemit agro-ushqimor dhe produktet tipike të asaj zone ku është fokusuar prodhimi.
Nga ana tjetër, institucionet duhet të ndërtojnë kapacitete prodhuese që promovojnë ndërlidhjet pozitive ndërmjet sferave të ndryshme sociale dhe të mbështesin transformimin e njohurive dhe eksperiencës duke kontribuar kështu në një përmirësim të kapacitetit prodhues të ndërmarrjeve lokale. Gjithashtu, për të pasur zhvillim ekonomik dhe social është shumë e rëndësishme që të shihen jo vetëm treguesit makroekonomikë dhe mikroekonomikë, por duhet t’i jepet një rëndësi e veçantë edhe mezoekonomisë, pra hapësirës të sistemit prodhues lokal, nën nivelin e ekonomisë nacionale, por mbi nivelin e një ndërmarrjeje të vetme.
Nevojiten gjithashtu të krijohet një ndërlidhje ndërmjet bizneseve, të shfrytëzohen avantazhet e të përqendruarit në të njëjtën zonë. Ku një investim shërben si katalizator për investime të reja që ndërthuren me investimin ekzistues. Kjo gjë duhet përdorur edhe për koncesionet. Shteti s’duhet të japë koncesione vetëm për shfrytëzimin e burimeve natyrore apo të një shërbimi të caktuar, ato duhet të nxisin zhvillimin e aktiviteteve të reja dhe zhvillimin e zonës ku përqendrohen se ndryshe kthehemi në vend afrikan. Po ashtu, nëse do t’u referohemi rasteve të suksesit si në vendet e mëdha si në vende të vogla zhvillimi ka ardhur nga brenda, pra ka qenë një zhvillim endogjen, s’ka qenë kurrë i bazuar vetëm në eksporte apo vetëm i bazuar në investimet e huaja. Të huajt kërkojnë të maksimizojnë përfitimet, vështirë të gjesh investitorë të huaj që të mendojnë për zhvillimin e vendit ku shkojnë.
Për të konkluduar mund të them se duhet përmirësuar me çdo kusht cilësia në administratën publike. Është absurde që në 2015 kemi akoma polic rrugor që të dalin në mes të autostradës e të ngrijnë të dy duart lart për të ndaluar për të marrë ndonjë ryshfet. Mirë që janë pa principe dhe pa pikë profesionalizmi po s’kanë frikë as për jetën e tyre se mund t’i shtypë ndonjë. E kështu si policët, është plot administrata shtetërore ku gjen me bollëk edhe drejtorë që kanë kaluar nga shkolla tetëvjeçare në universitet dhe s’e kanë fare idenë e punës që duhet të bëjnë.
ne shqiperi ;;; pasurohen hajdytet me shpejt se ne europe ;;;;; sepse nuk ka njeri qe i kontrollon ;;; rama meta berisha dhe basha vjedhin ;;; dhe nuk ka njeri ti fusi ne burg ;;;;;