Shqipëria, një zgjidhje afatshkurtër ndaj problemit afatgjatë të emigracionit në Europë!
Ndërsa në televizionet edhe mediat italiane ka zënë një vend të veçantë pamundësia për ta realizuar ashtu siç është shkruar paktin midis Melonit edhe Edi Ramës, pa shkelur ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, të bie në sy sesi politikat afatshurtra të ndjekura nga politikanët imponojnë po ashtu analiza të spektrit afatshkurtër.
Analizat nuk prekin rrënjën e problemit, atë që emigracioni është tanimë një problem strukturor afatgjatë.
Së pari, vala e migracionit nuk ka gjasa të pakësohet në afat të shkurtër. Faktorët që ndikojnë janë strukturorë edhe me tendencë në rritje. Një nga këta faktorë është hendeku jashtëzakonisht i madh i të ardhurave midis Europës dhe Afrikës.
Kjo tendencë e cila është efekt i globalizimit, siç ka nisur, nëse nuk ndërhyhet, do të bëhet edhe më e pamenaxhueshme për Europën. Në këndvështrim afatgjatë, popullsia afrikane sub-Sahariane, aktualisht është vetëm pak më e madhe se ajo e gjithë Europës, por pritet të jetë pothuajse gjashtë herë më e madhe deri në vitin 2100.
Po ashtu, kaosi i vazhdueshëm edhe persistent me konflikte të njëpasnjëshme në Lindjen e Mesme, do të vazhdojë të prodhojë refugjatë në vazhdimësi për Europën.
Së dyti, vështirësitë europiane në thithjen e emigrantëve nuk vijnë siç pretendohet vetëm për shkak të dallimeve kulturore ose fetare, por edhe sepse ndryshe nga SHBA, Kanadaja, Australia, Europës i mungon historia e të qenit vend i populluar nga emigrantët.
Edhe pse disa vende kanë pranuar refugjatë politikë, apo Franca me Anglinë që kanë pranuar flukse emigracioni që vinin nga kolonitë e tyre, Europa në përgjithësi ka qenë një kontinent që historikisht ka prodhuar emigracion duke filluar nga Irlanda në veri deri tek Siçilia dhe Greqia në jug.
Së treti, vështirësitë europiane në thithjen e emigrantëve siç paraqiten aktualisht, për shkak edhe të stagnacionit ekonomik të zgjatur, kanë rritur ndikimin e partive të djathta, shpesh ksenofobike.
Edhe kur ata nuk kanë qenë pjesë në qeveri, idetë dhe axhendat e tyre janë marrë përsipër nga partitë e qendrës së djathtë, siç ka ndodhur në Francë, Holandë, Danimarkë dhe Suedi.
Gradualisht, i gjithë spektri politik duket se është “infektuar” nga politikat kundër emigrantëve.
Krizat e njëpasnjëshme të emigrantëve, edhe azilkërkuesve u përdoren nga partitë e djathta radikale për të rritur frikën. Duke pretenduar se solidarizohen me nervozizmin e qytetarëve në lidhje me ‘rrezikun’ që mund të përfaqësojnë refugjatët, të djathtët kanë luajtur mjaftueshëm me emocionet e tyre duke premtuar zgjidhje të njëanshme të problemit.
Së katërti, duket se BE-ja nuk ka sot asnjë zgjidhje për krizat e migracionit. Ajo është thjesht e humbur: pa strategji, pa politikë dhe pa ide.
Megjithëse ekspertët dakordësojnë se e vetmja qasje që mund të fillonte të prodhonte ndonjë zgjidhje do të ishte bashkimi në marrëveshje shumëpalëshe, jo vetëm midis anëtarëve të BE-së por duke përfshirë vendet emetuese të emigrantëve, duket se vendet e Bashkimit Europian janë larg saj.
Pesimistët thonë se Europa nuk ka arritur të bashkohet edhe për çështje shumë më pak komplekse dhe më të kontrollueshme, siç ishte kriza e zgjatur ekonomike dhe financiare në Greqi, por nëse kjo përçarje vazhdon të persistojë, marrëveshjet unilaterale si ajo e Qipros me Libanin, e Anglisë me Ruandën apo e Italisë me Shqipërinë do të bëhen më të shpeshta duke ofruar iluzionin e zgjidhjeve të shpejta.
Qëndrimi i heshtur i Gjermanisë apo vëmendja e menjëhershme e Macronit, për liderat karizmatikë shqiptarë, janë shqetësuese.
Rama me ndihmën edhe të mentorëve të tij të huaj, ka kuptuar se ky hendek në qëndrimet europiane në lidhje me emigracionin do të vazhdojë gjatë.
Ai po ashtu ka kuptuar që Europa çdo ditë e më shumë po menaxhohet nga liderë si Meloni që me dritëshkurtësinë e tyre dhe në llogaritë momentale elektorale, përdorin shpatën e ndalimit të emigracionit. Por që sot rrezikojnë të prihen nga tehu i së njëjtës shpatë. Ndaj sot ato nuk do të ngurrojnë të gjejnë te Rama bashkëpunëtorin, i cili mesa duket ka vendosur të shfrytëzojë këtë situatë dhe mund të pranojë marrëveshje të njëanshme me disa prej tyre.
Ndaj frika më e madhe sot është që kjo marrëveshje të pasohet nga marrëveshje të tjera, të cilat “do të ndihmojnë” në përshpejtimin e pranimit të Shqipërisë në Europë, por do të minojnë përfundimisht integrimin dhe zhvillimin real të saj.
Shqiperia si vendet fqinje duhet te integrohet sa me shpejt te jete e mundur