Opinion

Shqipëria si kryeqendër

Nga Elis Kuçi

Në këtë javë, Tirana pa frikë mund të quhet kryeqendra e samiteve dhe konferencave të rëndësishme, për rajonin dhe më gjerë. Si për ta kurorëzuar kryeqytetin tonë si “mbretëreshë” e organizimit të eventeve madhore, në Tiranë mblidhen për herë të parë në histori, përfaqësuesit e Këshillave Gjyqësorë, nga vendet e Ballkanit dhe Euro-Mesdheut. Organizimi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani, dhe nën kujdesin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Z. Xhezair Zaganjori, nga data 27 deri më 29 maj, i Konferencës së 10-të të Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë, ku priten të jenë të pranishëm përfaqësues nga 14 shtete të rajonit të Ballkanit dhe shteteve të Mesdheut, sjell në Tiranë dy lajme të rëndësishme. Së pari, Kosova do të bëhet anëtare e Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë, dhe për t’i vënë qershinë sipër tortës, ky anëtarësim zyrtarizohet në Tiranë. Anëtarësimi i Kosovës në këtë organizëm e ndihmon vendin më të ri të Europës, në përforcimin e një gjyqësori të pavarur dhe të përgjegjshëm duke promovuar praktikat më të mira për t’i mundësuar gjyqësorit të ofrojë drejtësi të shpejtë dhe efektive për të mirën e qytetarëve.

Lajmi i dytë që nuk mbetet pas për nga rëndësia, (për vetë faktin se vendi ynë ndodhet në proces të bërjes së reformës të drejtësisë), sjellja në Tiranë e personaliteteve të gjyqësorit dhe rrahja e mendimeve me përfaqësuesit e Shqipërisë për këtë çështjet e drejtësisë, do shërbejë si gur themeli për të vijëzuar disa piketa të rëndësishme se çfarë duhet të përmirësojmë në sistemin gjyqësor. Mjafton të kujtojmë se Rrjeti Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar i Këshillave për Gjyqësorin mbledh përfaqësues të organizatave gjyqësore administrative nga vendet e SEECP (Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Italia Republika e Moldavisë, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia, Hungari).

Ky bashkëpunim ndërkombëtar i përfaqësuesve të autorizuar të Autoriteteve Rregullatorë Gjyqësorë të rajonit të Ballkanit ka filluar në vitin 2006, dhe askush nuk e mohon kontributin e jashtëzakonshëm të këtij organizmi në garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së gjyqësorit dhe në forcimin e shtetit të së drejtës në rajon. Në funksion të këtij qëllimi vlerësohet se  vetë këshillat gjyqësorë duhet të kenë qëllim parësor të tyre, ruajtjen dhe garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë e cila do të reflektojë sigurisht në forcimin e shtetit të së drejtës duke krijuar si vende pjesëmarrësve unifikim standardesh dhe praktikash. Në këtë konferencë nuk do lihet pas dore diskutimi i një pike të nxehtë që Shqipëria ka shumë nevojë për të thithur mendime siç është “Kodi i Etikës dhe rregullat disiplinore që zbatohen në Gjyqësor”.

Aktualisht, vendi ynë është në një proces mjaft të rëndësishëm, të anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke e kthyer këtë proces në një nga pikësynimet strategjike dhe një objektiv kombëtar. Për arritjen e këtij qëllimi, të gjithë janë plotësisht të ndërgjegjshëm se nevojitet angazhim maksimal dhe përpjekje e vazhdueshme në funksion të transformimit të shoqërisë shqiptare, ku forcimi i shtetit ligjor nëpërmjet reformimit të sistemit të drejtësisë është kryefjala e gjithçkaje. Bashkimi Europian nuk mund të kuptohet pa një bashkëpunim rajonal prandaj duhet një vlerësim për krijimin e një organizmi të tillë ku qëllimi i së cilës është të përmirësojë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë mes Këshillave Gjyqësorë dhe anëtarëve të gjyqësorit të shteteve të Ballkanit dhe të Mesdheut. Në fund le t’u urojmë mirëseardhjen miqve nga vendet anëtare të Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button