Shqiptarët “braktisin” Gjermaninë, ja shteti i ri ku po kërkojnë azil
Që prej nëntorit të kaluar, numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në Francë ka tejkaluar numrin e shqiptarëve që kërkojnë azil në Gjermani, duke bërë që autoritetet franceze t’i bëjnë thirrje Shqipërisë ta ndalë këtë fluks.
Shqiptarët gjithnjë e më shumë e shohin Francën si destinacionin e tyre të preferuar për të kërkuar azil në një kohë ku destinacioni i tyre i parë i zgjedhur, Gjermania, duket e vendosur të refuzojë pothuajse çdo kërkesë që vjen nga shtetasit shqiptarë.
Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se gjatë vitit 2017, Franca kishte numrin më të lartë të kërkesave për azil nga ana e shqiptarëve. Vetëm në janar, 1,030 shqiptarë kërkuan azil në Francë, ndërsa në shkurt numri ishte 880, në mars 1,200 dhe në prill 1,170.
Shifrat janë pothuajse dy herë më të larta sesa numri i kërkesave të shqiptarëve për azil në Gjermani. Nga janari deri në qershor 2017, rreth 500 shqiptarë në muaj kërkuan azil atje, por shumica janë refuzuar.
Që nga nëntori, për herë të parë, numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në Francë e ka tejkaluar numrin për Gjermaninë.
Riatdhesimet e përsëritura të shqiptarëve nga Gjermania mund t’i kenë motivuar shqiptarët që të kërkojnë destinacione të tjera ku ata besojnë se shanset e tyre janë më të mira.
Megjithatë, mundësitë që shqiptarët të marrin azil në Francë tani janë shumë të vogla. Kjo u theksua gjatë një takimi më 27 korrik midis ministrit të jashtëm shqiptar Ditmir Bushati dhe ministrit të brendshëm francez Gerard Collomb.
Dy ministrat diskutuan një plan të përbashkët për të frenuar fluksin e azilkërkuesve në Francë brenda tre muajve të ardhshëm.
Një nga masat e përbashkëta të planifikuara është vendosja e oficerëve francezë në Shqipëri për të kryer operacione bashkë me policinë kufitare shqiptare.
Ndërkohë, më 26 qershor 31 shqiptarë u riatdhesuan nga Franca dhe Belgjika në Tiranë. Aida Hajnaj, drejtoreshë e kufirit dhe migracionit, tha se shqiptarët duhet ta kenë të qartë se mundësitë për të fituar azil në Francë janë pothuajse zero.
Gjatë vitit 2015 dhe 2016, autoritetet gjermane u përballën me një fluks të madh azilkërkuesish që vinin nga Shqipëria. Vetëm gjatë vitit 2016, rreth 50,000 shqiptarë kërkuan azil në Gjermani, shumica e të cilëve i largoheshin varfërisë dhe mungesës së një pune në atdheun e tyre.