Shqiptarët e Preshevës rrezikohen të fshihen nga regjistri i shtetësisë
Avokati i Popullit, i Republikës së Shqipërisë, Igli Totozani dhe homologu i tij kosovar Hilmi Jashari nënshkruan sot në Prishtinë, një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit, në interes të qytetarëve të të dy vendeve.
“Institucionet tona mbrojnë të drejtat e liritë e njeriut për të gjithë ata individë që gjenden në territorin e vendit përkatës”, theksoi Totozani.
Ndërsa Avokati i Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari duke shprehur shqetësimin për të drejtat e liritë e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, tha se “ne kemi pasur një takim me përfaqësuesin e komunitetit që jeton në Luginën e Preshevës, ku kemi diskutuar edhe këtë çështje. Gjithashtu, kemi trajtuar edhe çështjet që kanë të bëjnë me dokumentet e regjistrimit civil edhe eventualisht rrezikun që i kanoset një pjese të madhe të tyre”.
“Meqenëse mandati i Avokatit të Popullit shtrihet brenda territorit të Kosovës ka qenë e vështirë për të bashkëpunuar me institucionet e tjera që janë në atë pjesë të territorit. Megjithatë, ne kemi realizuar disa takime të tjera me përfaqësuesin e këtij komuniteti në Kosovë. Nga ana tjetër, konsideroj se do të duhej të ishte çështje e marrëdhënieve të jashtme që Kosova po tenton të ndërtojë dhe gjithashtu duhet të trajtohet mbi bazën e parimit të reciprocitetit”, nënvizoi Jashari.
Lidhur me marrëveshjen e nënshkruar sot Totozani tha se “kjo marrëveshje do të bëjë të mundur bashkëpunimin dhe formimin profesional në trajnimet dhe aktivitetet e përbashkëta, në shkëmbimin e informacionit dhe monitorimin e përbashkët të administratës publike të institucioneve të privimit të lirisë”.
Sipas tij, kjo marrëveshje do të ndihmojë të dy insitucionet tona që të perfeksionojmë punën dhe përgatitjen profesionale të stafeve tona gjithmonë në dobi të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Avokati i Popullit i Kosovës, Hilmi Jashari u shpreh se “kemi filluar me idenë e bashkëpunimit në mekanizmin e mbrojtjes kundër torturës që është një institucion i ri në Kosovë. Republika e Shqipërisë dhe Avokati i Popullit kanë një eksperiencë më të gjatë nga 2008 në këtë mekanizëm edhe ideja fillestare ka nisë që aty. Ne kemi krijuar para një muaji këtë mekanizëm në Kosovë me një vendim të brendshëm edhe ideja është që të kemi një bashkëpunim më të përafërt të këtyre dy mekanizmave, meqenëse mandati i këtij mekanizimi është mbikëqyrja e të gjitha qendrave edhe vendeve, ku personat mbahen të privuar në liri dhe është një eksperiencë e re, sidomos për kolegët dhe bashkëpunëtorët e mi. Mirëpo gjatë diskutimeve që kemi pasur lidhur me këtë marrëveshje, kemi ardhur në përfundim që ka edhe shumë segmente të tjera në të cilat këto dy institucione do të kishin mundur të bashkëpunojnë”.
Marrëveshja për bashkëpunim ka për qëllim mbrojtjen efektive te të drejtave dhe lirive, nga veprimet e paligjshme të autoriteteve publike. Kjo marrëveshje i referohet shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave të mira lidhur me Mekanizmin Kombëtar për Parandalimin e Torturës, i cili tashmë është themeluar edhe në Kosovë, me vendim të veçantë, bazuar në Ligjin Nr. 05/ L- 019, për Avokatin e Popullit.