☁️
Tiranë 20°C · Vranët 10 Tetor 2026
S&P 500 7,812 ▲0.59%
DOW 51,655 ▲0.83%
NASDAQ 27,366 ▲0.64%
NAFTA 91.85 ▲0.39%
ARI 4,216 ▲1.43%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1206 EUR/GBP 0.8471 EUR/CHF 0.9305 EUR/ALL 91.7741 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4011 EUR/TRY 55.2478 EUR/JPY 177.32 EUR/CAD 1.5967 EUR/USD 1.1206 EUR/GBP 0.8471 EUR/CHF 0.9305 EUR/ALL 91.7741 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4011 EUR/TRY 55.2478 EUR/JPY 177.32 EUR/CAD 1.5967
₿ CRYPTO
BTC $83,058 ▲ +0.52% ETH $2,508 ▲ +0.86% XRP $1.4053 ▲ +1.44% SOL $110.0700 ▲ +0.37%
S&P 500 7,812 ▲0.59 % DOW 51,655 ▲0.83 % NASDAQ 27,366 ▲0.64 % NAFTA 91.85 ▲0.39 % ARI 4,216 ▲1.43 % S&P 500 7,812 ▲0.59 % DOW 51,655 ▲0.83 % NASDAQ 27,366 ▲0.64 % NAFTA 91.85 ▲0.39 % ARI 4,216 ▲1.43 %
EUR/USD 1.1206 EUR/GBP 0.8471 EUR/CHF 0.9305 EUR/ALL 91.7741 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4011 EUR/TRY 55.2478 EUR/JPY 177.32 EUR/CAD 1.5967 EUR/USD 1.1206 EUR/GBP 0.8471 EUR/CHF 0.9305 EUR/ALL 91.7741 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4011 EUR/TRY 55.2478 EUR/JPY 177.32 EUR/CAD 1.5967
10 Tet 2026
Breaking
Opinion

Shqiptarët në BE përpara Shqipërisë

Shqiptarët në BE përpara Shqipërisë

Një vit më parë ishte e pamundur të pohoje publikisht se Shqipëria kishte pak mundësi të vërteta për t’i mbyllur negociatat brenda 2027-s pa u kryqëzuar si pesimist, keqdashës apo kundërshtar i suksesit qeveritar. Karta e madhe ishte gjeostrategjia: besimi se, përballë përplasjeve globale, BE-ja do të merrte një vendim politik për të na hapur dyert.

Mbi këtë narrativë, të paraqitur si objektiv “ambicioz, por i mundshëm” nga Komisioni Evropian, u ngrit edhe operacioni i harmonizimit të përshpejtuar të legjislacionit: qindra ligje e mijëra akte nënligjore duhet të miratoheshin brenda 2 vjetësh, duke prodhuar rregulla në letër që nuk gjejnë zbatim në praktikë.

Një vit më pas, Komisioni Evropian pritet të paraqesë, në ditët e ardhshme, një udhërrëfyes dhe masa konkrete për përfundimin e negociatave brenda 2027-s.

Ironikisht, tani që ky objektiv po merr formë konkrete në Bruksel, në Shqipëri pakkush beson se do të arrihet. Entuziazmi është fashitur edhe mes mbështetësve të integrimit me “dekret politik”.

Skandalet dhe zhvillimet e vitit të fundit kanë ekspozuar hendekun midis retorikës dhe realitetit: qeverisje gjithnjë e më vertikale, institucione të dobëta përballë interesave klienteliste e krimit dhe administratë të politizuar e të korruptuar.

Ky hendek ka pasoja politike, ekonomike dhe shoqërore.

Në këto kushte është e arsyeshme të pyesësh: sa realist është anëtarësimi në 2030?

Dhe: a do të presin qytetarët shqiptarë anëtarësimin apo do të migrojnë në BE përpara se të vijë kjo ditë?

Rrugëtimi më i gjatë në historinë e BE-së

Marrëdhënia formale me Komunitetin Evropian nisi në vitin 1992. Kërkesa për një marrëveshje asociimi në vitin 1996 u refuzua për shkak të krizës demokratike. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit u arrit vetëm një dekadë më pas, në vitin 2006.

Shqipëria aplikoi për anëtarësim në 2009, mori statusin kandidat në 2014 dhe vendimin për hapjen e negociatave në 2020. Konferenca e parë ndërqeveritare u mbajt në korrik 2022, ndërsa grupkapitulli i parë u çel vetëm në tetor 2024.

Ky kalvar i gjatë e bën rrugëtimin tonë një nga proceset më të ngadalta të integrimit në BE (me përjashtim të Turqisë, e cila është një rast specifik).

Vendet e ish-bllokut lindor që nisën tranzicionin bashkë me ne janë anëtare prej dy dekadash. Vendet e ish-Jugosllavisë e filluan më vonë se ne procesin, por Sllovenia (2004) dhe Kroacia (2013) janë prej kohe brenda, ndërsa Mali i Zi pritet të anëtarësohet në 2028.

Për një shoqëri me mbështetje dërrmuese proevropiane, pritja prej rreth tre dekada e gjysmë dëshmon hendekun e madh midis aspiratës qytetare dhe kapacitetit shtetëror.

Shqiptarët në BE përpara Shqipërisë

Dështimi i dyanshëm: elita politike shqiptare dhe asistenca e BE-së

Pse dështoi Shqipëria të ecte me ritmin e vendeve të tjera post-komuniste? Përgjegjësia kryesore është e elitës sonë politike.

Që prej vitit 1991, sa herë që interesat integruese kërkonin zgjedhje të lira, ndarje pushtetesh dhe mirëqeverisje, kasta jonë drejtuese ka zgjedhur mbijetesën e vet politike, kapjen e shtetit dhe pasurimin personal.

Krizat periodike – manipulimi i zgjedhjeve në vitin 1996, skemat piramidale dhe rënia e rendit e vitit 1997, ngërçet e përsëritura parlamentare – si dhe korrupsioni dhe mungesa e shtetit të së drejtës kanë shërbyer vazhdimisht si frenuese të drejtpërdrejta të afrimit me BE-në.

Përpara integrimit të vendit, elita jonë politike ka zgjedhur gjithmonë pushtetin dhe interesin vetjak.

Kjo elitë mban përgjegjësinë kryesore që sot Shqipëria ndodhet jashtë BE-së.

Por kjo histori ka edhe anën tjetër të medaljes: qasjen e vetë Bashkimit Evropian.

Që nga viti 1991, BE-ja ka derdhur (në një vlerësim të përafërt) mbi 3 miliardë euro ndihma dhe financime në Shqipëri, duke qenë donatori kryesor i vendit.

Mbi 1 miliard euro janë investuar për forcimin e demokracisë, shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, modernizimin e administratës dhe qeverisjes, forcimin e shoqërisë civile dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Por ngjarjet e fundit kanë dëshmuar se thuajse në të gjitha këto fusha, Shqipëria ka dështuar.

Pavarësisht kësaj, Brukseli ka shfaqur prirjen për të toleruar këto dështime – deficitet serioze demokratike dhe korrupsionin e brendshëm – në këmbim të ruajtjes së optimizmit bosh, stabilitetit sipërfaqësor dhe rreshtimit të Shqipërisë në linjë me politikën e jashtme.

Kjo prirje u pa qartë me reformën në drejtësi – investimi më i madh politik e financiar i BE-së.

Ndërsa krijimi i institucioneve të reja si SPAK ka shënuar një thyerje të paprecedentë të pandëshkueshmërisë së elitave politike, menjëherë u shfaqën përpjekjet e pushtetit për ta neutralizuar atë përmes trysnisë financiare, kontrollit mbi pagat dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme procedurale.

Përballë këtyre përpjekjeve për të zhbërë reformën, dhe më gjerë përballë rrëshqitjes së vendit drejt autoritarizmit elektoral, BE ka zgjedhur të heshtë (edhe pse raportet e progresit kanë deri diku nota kritike).

Kjo qasje, që në të shkuarën ka qenë joproduktive, tani ka një pasojë edhe më të rëndë: gërryerjen e besueshmërisë së qytetarëve të vendit tek BE-ja dhe vlerat e saj demokratike.

Miti i integrimit në 2030

Që të arrihet objektivi i mbylljes së negociatave më 2027 dhe anëtarësimit më 2030, duhet që në 15 muajt e ardhshëm, Shqipëria të mbyllë 30 kapituj negociues. Ka mbyllur vetëm tre që nga tetori 2024.

Mbyllja e kapitujve kërkon jo vetëm miratimin e një vëllimi të madh ligjesh, por edhe dhënien e rezultateve konkrete në zbatimin e tyre dhe të standardeve evropiane në një sërë fushash.

Teknikisht kjo duket e vështirë.

Nga ana tjetër, përballë pakënaqësisë në rritje të qytetarëve shqiptarë ndaj qeverisë, skandaleve të rënda që kanë ekspozuar korrupsion madhor dhe kapje të institucioneve nga krimi, si dhe problemeve me demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duket e vështirë që BE të mbyllë sytë.

Veçanërisht për kapitujt themelorë të negociatave, që kanë të bëjnë me demokracinë dhe liritë themelore, dhe që kushtëzojnë gjithë procesin: pa mbylljen e tyre nuk mund të ketë mbyllje të negociatave as me kushte.

Por a mund të jetë rrugëdalje propozimi për anëtarësim pa të drejtë vote? Ky lloj integrimi gradual nuk i jep vendit të drejtë vote në Këshillin Evropian, as komisioner në Bruksel dhe as përfaqësim në Parlamentin Evropian.

Është e qartë se Shqipëria do të ishte e lumtur me këtë zgjidhje, më mirë sesa të presë për anëtarësimin e plotë.

Por a do ta bënte kjo zgjidhje BE-në të mbyllte një sy për gjendjen e demokracisë, të qeverisjes dhe të ekonomisë në Shqipëri?

Mbi të gjitha, a do të qetësonte kjo zgjidhje elitat politike të vendeve anëtare, të cilat duhet të miratojnë anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, për të cilat ka kundërshti të konsiderueshme në opinionin publik të BE-së?

Është e vështirë ta thuash, veçanërisht në kushtet kur në disa vende të BE-së, përfshi Francën dhe Gjermaninë, partitë e ekstremit të djathtë, kundër zgjerimit, janë bërë ndër më të votuarat dhe mund të vijnë në pushtet.

Integrimi i vërtetë: Shqiptarët po integrohen vetë, duke zbrazur vendin

Përballë dështimeve të elitës politike dhe premtimeve të papërmbushura të Komisionit, qytetarët shqiptarë nuk kanë ndenjur duarkryq.

Ata kanë zgjedhur një rrugë shumë më të drejtpërdrejtë të “anëtarësimit”: integrimin individual përmes migrimit masiv.

Ndryshe nga valët e viteve 1990, që diktoheshin nga anarkia dhe mbijetesa, migrimi i dy dekadave të fundit është rezultat i mungesës së demokracisë, shtetit të së drejtës dhe mundësive ekonomike e mirëqenies në përgjithësi.

Mbi 875 mijë nënshtetas shqiptarë kishin leje qëndrimi në vendet e BE-së, në fillim të vitit 2026, sipas Eurostatit.

Thuajse 69 mijë prej tyre morën leje qëndrimi për herë të parë gjatë vitit 2025. Në fakt, sipas Eurostatit, në pesë vitet e fundit, 60-80 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë çdo vit leje qëndrimi për herë të parë në një vend të BE-së.

Nga ana tjetër, çdo vit rreth 40-50 mijë nënshtetas shqiptarë fitojnë nënshtetësinë e një vendi të BE-së. Deri tani, sipas shifrave të Eurostat-it dhe të vendeve anëtare, rreth 900 mijë shqiptarë kanë marrë shtetësinë e një vendi të BE-së.

Pra, në total, me një vlerësim të përafërt, në BE jetojnë thuajse 1,8 milionë shtetas shqiptarë (për të qenë të saktë, disa prej tyre mund të jenë kthyer në Shqipëri ose lëvizur në vende jashtë BE-së, por numri i tyre është i papërfillshëm për qëllimin e argumentit të këtushëm).

Në shifrën e mësipërme nuk përfshihen mbi 100 mijë shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar (MB) dhe as fëmijët e lindur nga shqiptarë pasi ishin bërë nënshtetas të BE-së (fëmijët marrin nga prindërit automatikisht shtetësinë shqiptare dhe të vendit të BE-së). Nëse do të shtoheshin edhe këta, në BE plus Mbretërinë e Bashkuar jetojnë thuajse 2,1 milionë shtetas shqiptarë.

Sipas INSTAT-it në vitin 2025 jashtë vendit jetonin rreth 2,3 milionë shtetas ose gjysma e totalit.

Dinamika e mësipërme sugjeron se deri në vitin 2030, në BE plus MB mund të jenë duke jetuar të paktën 2,2 milionë shqiptarë, ndërsa në Shqipëri rreth 2,1 milionë (sipas të dhënave të INSTAT-it, migracioni neto në vend është afërsisht minus 35-40 mijë persona në vit).

Gjykuar nga dinamikat e migracionit, hendeku mes shqiptarëve në Shqipëri dhe atyre në BE do të vijë duke u thelluar të paktën edhe për një dekadë.

Shqiptarët po integrohen në BE individualisht, ndërsa shteti vazhdon të presë. Sa më shumë zgjatet kjo pritje, aq më shumë qytetarë e ndërtojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit.

Si përfundim

Perspektiva e anëtarësimit nuk mund të mbahet peng i një date apo e retorikës së gjeopolitikës. BE-ja është para së gjithash një komunitet vlerash dhe rregullash. Afati i vitit 2030 ka kuptim vetëm nëse shoqërohet me institucione që funksionojnë dhe reforma që ndryshojnë jetën e qytetarëve.

Nëse elita politike vazhdon ta përdorë integrimin si mburojë për kapjen e shtetit dhe BE-ja kënaqet me përparimin formal, qytetarët do të vazhdojnë të kërkojnë jashtë atë që nuk e gjejnë brenda.

Shqipëria mund të afrohet me BE-në në tryezat e negociatave, ndërsa humbet njerëzit që duhet ta ndërtojnë të ardhmen e saj.

Detyra e politikës shqiptare dhe e BE-së është ta bëjnë anëtarësimin një arsye për të jetuar këtu, përpara se pritja ta ketë zbrazur vendin.

Sepse sot, shqiptarët po hyjnë në BE përpara se të hyjë Shqipëria.

__

Ky shkrim është pjesë e një serie artikujsh me temë “Media dhe integrimi evropian” të Institutit Shqiptar të Medias.

Shpërndaje te miqtë

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.