Nga reforma territoriale te decentralizimi real në Shqipëri
Miratimi i reformës së re administrativo-territoriale nga Kuvendi i Shqipërisë, e cila ul numrin e bashkive nga 61 në 46 përmes shkrirjes së 15 prej tyre, është një faze e re e një procesi kritik, suksesi i të cilit duhet të dëshmohet vetëm përmes zbatimit të qëndrueshëm në terren.
Nryshimi i thjeshtë i kufijve katastral apo zvogëlimi i numrit të bashkive është i pamjaftueshëm në vetvete. Ky riorganizim, pra kjo reform do të mbetet thjesht një ndryshim në letër nëse nuk shoqërohet me ndryshime të mëdha, përgjegjësi të qarta, kompetenca shtesë, financim të parashikueshëm dhe kapacitete të forta administrative.
Kundërshtimet nga shoqëria civile dhe komunitetet lokale janë të pritshme, pasi qytetarët nuk dëshirojnë të humbasin bashkinë apo identitetin e tyre lokal të ndërtuar ndër vite, ndaj këto shqetësime duhet të adresohen përmes konsultimeve transparente, me një vëmendje të veçantë për zonat rurale dhe ato të largëta përgjatë zbatimit.
Fokusi i Parlamentit, i qeverisë dhe i opozitës duhet të zhvendoset urgjentisht nga ndryshimi i hartës drejt një decentralizimi real dhe zbritje të pushtetit nga qendra tek bashkitë, duke transferuar kompetencat nga qendra drejt pushtetit vendor. Në Shqipëri ekziston një paqartësi e madhe ndërmjet decentralizimit si pushtet i zbritur e i vërtetë dhe dekoncentrimit të thjeshtë administrativ.
Deri më sot, shumë funksione mbeten në kuadrin e dekoncentrimit, që nënkupton ushtrimin e thjeshtë të funksioneve të qeverisë qendrore në territor përmes drejtorive rajonale dhe agjencive të tjera. Në anën tjetër, decentralizimi real nënkupton transferimin e plotë ligjor dhe financiar të autoritetit vendimmarrës te kryetarët dhe këshillat bashkiakë, duke u dhënë atyre autonominë e nevojshme për të marrë vendime për zhvillimin urban, planifikimin e territorit dhe zhvillimin ekonomik lokal.
Për ta bërë këtë reformë të suksesshme, faza e zbatimit duhet të garantojë vazhdimësinë e shërbimeve publike pa krijuar pasiguri administrative gjatë kalimit në strukturat e reja. Tranzicioni kërkon një plan me afate të qarta, si dhe procedura të prera për transferimin e rregullt të aseteve, regjistrave, kontratave zyrtare, detyrimeve financiare, sistemeve digjitale dhe stafit administrativ. Është jetike të ruhet qasja në shërbimet lokale dhe prezenca administrative në zonat rurale, në mënyrë që shkrirja e bashkive të mos largojë institucionet nga qytetarët. Administratat e reja duhet të mbështeten me udhëzime, trajnime dhe burime të mjaftueshme, krahas një kuadri të ri ligjor e procedural që siguron financim të qëndrueshëm e të parashikueshëm. Përfshirja kuptimplotë e qytetarëve, monitorimi i pavarur i performancës përmes treguesve të matshëm dhe një vlerësim objektiv i reformës së vitit 2014 janë kushte thelbësore për të identifikuar praktikat e suksesshme dhe për të shmangur sfidat e mbetura pezull.
Ky tranzicion duhet të shoqërohet gjithashtu me një reformë zgjedhore që i përgjigjet zhvillimeve të reja territoriale dhe që siguron përfaqësim demokratik sa më efektiv të qytetarëve në nivel vendor.
Jam i bindur se në perspektivën dhe në funksion të integrimit evropian, një pushtet vendor i fuqizuar dhe me autonomi të vërtetë do të jetë gjerësisht më i aftë të planifikojë zhvillimin lokal, të përgatisë projekte cilësore dhe të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian.
Prandaj, suksesi i reformës territoriale nuk mund të matet thjesht me numrin dhe madhësinë e bashkive, por mbi të gjitha me aftësinë e tyre për të vendosur e për të vepruar në mënyrë autonome, me llogaridhënien e institucioneve lokale dhe me shërbimet më të mira e më të qasshme që përjetojnë vetë qytetarët në jetën e tyre të përditshme.
Besnik Tahiri
Ekspert Ndërkombëtar dhe themelues i International Governance Institute
https:// intgovernanceconference.org/ about-igi
(Deputet dhe ish Zv.Kryeministër i Parë i Kosovës)



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.