Ekonomia

Shqiptarët në “dietë”, ekonomia drejt deflacionit

Muaji shkurt shënon një rënie të ndjeshme të konsumit. Një rënie e tillë është jashtë parashikimit, madje inflacioni i këtij muaji është ndër më të ultit që nga viti 2013.

Edhe pse është ndjekur një politikë agresive të lehtësimit monetar nga Banka e Shqipërisë inflacioni në muajin shkurt shënoi vetëm 0,2 për qind, duke dhëne sinjalet e thellimit të krizës në konsum. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,3 %.

Duke analizuar të dhënat e Institutit të Statistikave, rënia e çmimeve i dedikohet si krahut të ofertës dhe kërkesës.

Ulja e çmimeve të shërbimeve të transportit me 4,1% me bazë vjetore i dedikohet rënies së çmimeve të naftës, por rënia e çmimeve në disa ushqimeve që nuk kanë lidhje me efektet sezonale tregon se, konsumi po gjendet në krizë.

INSTAT raportoi se, çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë e vezë” u ulën me 6,1%, pasuar nga nëngrupet “bukë e drithëra” me 2,4%, dhe mishi me 1,3%, etj. Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet edhe në grupet “Veshje dhe këpucë” me 3,4%, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 2,2%, etj.

Krahasuar me muajin janar 2016, rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije alkoolike” me 3,3%. Ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me 1,3%. Krahasuar me muajin shkurt 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4,8% pasuar nga grupi, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,6%, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,2%, etj.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 27,8%, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet“ me 9,6%, nëngrupi “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” me 1,5%, nëngrupi “vajra dhe yndyrna” me 0,2% etj.

Rritja vjetore në muajin shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,78 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,13 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene e restorante” kanë kontribuar me + 0,03 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me + 0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me -0,27 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,26 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,14 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Komunikimi” kanë kontribuar respektivisht me -0,09 dhe -0,03 pikë përqindje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button