Shqiptarët rrisin blerjet në tregjet e pakicës
Shqiptarët në 3-mujorin e fundit 2014 rritën blerjet me pakicë për një sërë produktesh, ku në krye të listës qëndruan produktet ushqimore, ato farmaceutike-higjenike, elektro-shtëpijaket dhe mobiljet.
Sipas INSTAT, në tremujorin e 4-t 2014, indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë u rrit 4,1 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013.
Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve tremujorin e fundit vjet, u rrit 11,3 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2013.
Ky grup përbën dhe kontribuesin më të madh në indeksin e volumit të shitjeve me pakicë. Interesant, sipas të dhënave të sotme të INSTAT, mbetet fakti se shitjet më të mëdha janë kryer në njësitë tregtare jo të specializuara, c’ka tregon trend rritës në uljen e blerjeve pranë njësive të mëdha tregtare.
Me rritje rezultojnë gjithashtu dhe blerjet me pakicë për grupin e “Produkteve jo -ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara, të cilat u rritën në nivelin 9,2 % kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2013.
Ndryshe ka ndodhur me tregun e shitjes me pakicë në tremujorin e katërt 2014 në grupin “Tregti Hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, ku indeksi i volumit të shitjeve u ul me 0,8 % krahasuar me të njëjtin tremujor të 2013-tës dhe 11,0 % krahasuar me tremujorin paraardhës.