Opinion

Shtator-tetor 1943: “Kompromisi i Beratit” sipas gjermanëve

Nga: Marenglen KASMI

(Shkëputur nga monografia “Marrëdhëniet shqiptaro-gjermane 1900-1944”, që autori e ka në proces botimi)

Pushtimi i vrullshëm dhe ushtarakisht i mirë-organizuar i Shqipërisë nga Wehrmacht-i gjerman në të gdhirë të datës 9 shtator 1943 shkaktoi në ditët e javët e para të pushtimit si në popull, ashtu edhe te organizatat politiko-ushtarake, një situatë të tensionuar dhe të paqartë. Pushtimi u shoqërua me një propagandë të fuqishme, në të cilën theksohej ardhja si miq e gjermanëve në Shqipëri, duke mos harruar t’u kujtonte shqiptarëve traditën e tyre të mirënjohur të mikpritjes. Pre e kësaj propagande ranë shqiptarë, si me bindje antikomuniste ashtu edhe komuniste, siç ndodhi në qarkun e Beratit. Në pasditen e 20 shtator 1943 u takuan në Berat gjeneralmajori gjerman Utz dhe komandanti partizan i qarkut të Beratit, Mestan Ujaniku. Të dy shoqëroheshin edhe nga vartës të tyre. Gjatë takimit u arrit në një kompromis, sipas së cilit në qarkun e Beratit, gjermanët dhe partizanët nuk do të luftonin njëri-tjetrin. Ky kompromis zgjati deri më 10 tetor 1943, pra rreth 20 ditë. Si u arrit ky kompromis, ecuria e tij dhe mbi të gjitha arsyet përse ai u prish, do të trajtohen në shkrimin e sotëm. Për herë të parë, duke përdorur burime të panjohura deri tani nga arkivat gjermane dhe konkretisht dokumente ushtarake të divizionit të 100 të këmbësorisë malore, arrijmë të zbardhim plotësisht këtë kompromisi shumë të diskutuar në historiografinë tonë.


Në datën 21 shtator 1943, ora 24.00, oficeri i parë i shtabit në regjimentin e këmbësorisë malore 227 që ishte vendosur në rajonin e Beratit, njoftonte eprorin e tij se “Në pasditen e 20 (shtatorit –M.K), komandanti i divizionit pati një takim me disa drejtues komunistë të bandave në Berat. Territori ku veprojnë këto banda përfshin afërsisht rajonin e Fierit, Beratit, kurrizin e lartësive 15 km në lindje të Beratit, Devollit, duke përfshirë edhe fushat naftëmbajtëse në Lushnje. Pjesa më e madhe e banditëve kishte yllin sovjetik dhe shqiponjën me dy kokë. U ra dakord që, banditët dhe ushtarët gjermanë nuk do të luftojnë kundër njëri-tjetrit. Gjithë trupat duhet të njoftohen për sjelljen e tyre sipas marrëveshjes. Në rajonin e sipërpërmendur, banditët e armatosur nuk duhet të shikohen si armiq edhe pse mbajnë yllin sovjetik. Armët do të përdoren vetëm në rast rreziku”.

Sa më sipër, detaje të tjera për zhvillimin e bisedimeve jepen në ditarin luftarak të div. 100, ku për datën 20 shtator 1943 shkruhet: “Komandanti i divizionit udhëtoi sot drejt Beratit,i cili është marrë nën zotërim nga banda të fuqishme komuniste dhe zhvilloi një bisedë me drejtuesin e tyre. Komunistët duket sikur nuk kanë ide të qarta për synimet e tyre. Ndonëse mbajnë yllin sovjetik dhe shiten në dukje si komunistë, ata dëshirojnë një Shqipëri të lirë. Negociatat me ta nuk kanë për të qenë të lehta. Nga njëra anë është e rëndësishme të sillemi mirë me këta njerëz, por nga ana tjetër ekziston rreziku që pa e kuptuar ta lëshojmë Shqipërinë plotësisht në duart e komunistëve, nëse i jepet rrugë e lirë bandave komuniste dhe propagandës së tyre. Fillimisht u ra dakord që, banditët dhe ushtarët gjermanë nuk do të luftojnë kundër njëri-tjetrit. Kjo gjë është e vlefshme vetëm për bandat e Beratit që veprojnë në: Fier-Berat-sistemi malor 15 km në lindje të Berat-Devoll-Lushnje”.

Tri ditë më vonë, më 23 shtator, në Berat u sulmua një grup ushtarësh gjermanë të njësisë së zbulimit 100. Duke e konsideruar si shkelje të kompromisit, më 24 shtator u dërgua në Berat për të sqaruar situatën nëntogeri Riesterer, i batalionit 100 xhenier. Raporti qëai hartoi për eprorët e tij është mjaft domethënës. Ai shkruan se kryetari i bandës Mestan Ujaniku, me të cilin u zhvilluan negociatat ndërmjet gjeneralmajorit Utz dhe “grupit të bandave të Beratit”, nuk ishte i pranishëm. Si përfaqësues i autorizuar u prezantua Arisiti de Vanas (Aristidh Vana?), i cili i tha nëntogerit gjerman se sulmi nuk ishte kryer nga forcat partizane të Beratit. Sipas raportit, “bëhej fjalë për një akt hakmarrje të agjentit të italianëve Faslli Daska, i cili vepron në territoret e largëta të Fierit. Qëllimi i këtij sulmi ishte mbjellja e pakënaqësive ndërmjet Wehrmacht-it gjerman dhe bandave të Beratit”. Më 23.9 në mbrëmje, Faslli Daska u kap nga partizanët e Beratit. “Deri në kohën që unë po zhvilloja bisedimet, ai nuk ishte sjellë ende në Berat”, shkruan nëntogeri gjerman, i cili e mbyll raportin e tij si më poshtë: “Në përfundim, Vanas më siguroi që do të respektonte me rigorozitet kompromisin e arritur dhe nëse do të kishte ndonjë incident, duhej që të diskutohej menjëherë për ngjarjen e ndodhur. Gjatë vizitës së sotme më ra në sy se, numri i bandave që mbajnë yllin sovjetik është rrudhur ndjeshëm. Përkthyesi më tha se,ndërkohë brenda tyre ka filluar një krisje ndërmjet elementëve nacionalistë dhe komunistë. Gjatë takimit mu krijua përshtypja se ata nuk kanë një drejtim të unifikuar. Është e këshillueshme të ushtrohet ndikim te elementi nacionalist.”

Dy ditë më vonë, në datën 25 shtator, në komandën e divizionit 100 u zhvillua një takim i rëndësishëm, ku u diskutua për ecurinë e kompromisit të Beratit. Në të merrnin pjesë komandanti i divizionit, gjeneralmajori Utz dhe kapiteni Lange i kundërzbulimit, i cili ishte ushtaraku i vetëm i autorizuar për të biseduar e marrë vendime me organizatat politiko-ushtarake vendase.

Kapiteni Lange urdhëroi ndjekjen e një politike të tillë: “Duhen bërë përpjekje të jetohet në paqe, si me nacionalistët ashtu edhe me komunistët. Për aq sa është e mundur, Wehrmacht-i gjerman nuk duhet të përzihet në çështjet e brendshme shqiptare dhe nuk duhet të bëhet palë me asnjërin krah. Duhet të provohet të tërhiqen në bashkëpunim të ashtuquajturit nacional-komunistë. Me anë të këtij veprimi duhet të izolohen drejtuesit e paktë bolshevikë, që janë arsimuar në Rusi, si edhe agjitatorët e huaj komunistë, të cilët vijnë kryesisht nga Anglia dhe Greqia. Wehrmacht-i gjerman duhet që të përqendrohet kryesisht në sigurimin e bregdetit, kazermave dhe rrugëve të transportit. Për arsye neutraliteti, duhet që fillimisht të mos bëhet asnjë furnizim me armë, si për nacionalistët ashtu edhe për komunistët. Njerëzit e Dr. Meçes, të cilët ndërkohë janë furnizuar me armë nga divizioni, duhet të shikohen si një lloj njësie vetëmbrojtëse, me qëllim ruajtjen e sigurisë dhe rendit në fshatrat e tyre dhe mbajtjen hapur të rrugëve të transportit”.

Në datën 29 shtator, nëntogeri Riesterer u dërgua përsëri të takohej me drejtuesit e forcave partizane në Berat. Arsyeja e takimit ishte mosrespektimi i kompromisit nga forcat partizane dhe sidomos refuzimi i tyre për t’u  takuar me kapitenin Lange, i cili do të udhëtonte personalisht në datën 26 shtator për në Berat për të qartësuar kushtet e kompromisit të arritur, siç e cituam edhe më sipër. Kësaj here, nëntogeri gjerman u takua me Neshat Hysin, i cili prezantohet si komandanti i Beratit. Neshat Hysi i tha oficerit gjerman se ai nuk mund të jepte një kohë të saktë për takimin me kapitenin Lange, sepse kjo gjë varej nga koha që do të merrnin negociatat politike në Skrapar, çka nënkupton se vendimi politik për zbatimin e këtij kompromisi merrej nga drejtuesit politikë komunistë të zonës së Skraparit. “Mu krijua përshtypja, se bëhet fjalë për një taktikë të qëllimshme penguese”, shkruan nëntogeri Riesterer. Gjatë bisedës, Neshat Hysi i kërkoi oficerit gjerman të miratonin futjen e forcave partizane në Lushnje dhe në Fier, me argumentin se duhej të kujdeseshin për mbarëvajtjen e rendit dhe qetësisë në këto qytete. Në të gdhirë të 29 shtatorit në Fier ishin raportuar vjedhje e bastisje shtëpish, të cilat sipas tij ishin kryer nga Hamit Matjani. Për këtë kërkesë, oficeri gjerman raportonte se “i kish bërë me dije drejtuesve të bandave, që një gjë e tillë nuk ishte premtuar. Ai (Neshati – M.K) më kundërshtoi, duke thënë se ata kishin marrë nga gjenerali premtimin se ata, të veshur me shenjat e tyre dalluese, lejoheshin të qëndronin gjithandej. Është qëllimi i bandave që Beratin, të cilin e konsiderojnë si prefekturën më të paqetë të vendit, ta zgjerojnë dhe sigurojnë nga të gjitha drejtimet. Madje, ata synojnë të shtrihen deri në bregdet”.

Në fakt, në datën 27 shtator, një formacion partizan i Beratit prej 120 vetash hyri në qytetin e Lushnjës. Komandanti partizan, të cilin raporti gjerman nuk e përmend me emër, i tha komandantit të batalionit të dytë të regjimentit të Artilerisë 83 gjerman që gjendej në Lushnje se kishte ardhur për të marrë në mbrojtje qytetin. “Ky veprim bie në kundërshtim me kompromisin e arritur me gjeneralmajorin Utz më 20.9.43 në Berat, sipas së cilës bandat komuniste nuk mund të hyjnë atje ku ndodhen trupa gjermane. Ekziston rreziku që komunistët duan të marrin në zotërim pa luftë qytetet e rëndësishme dhe pikat kyçe të rrugëve të transportit, me qëllim që t’i mbajnë ato hapur, nëse ndodh ndonjë zbarkim aleat. Për këtë arsye, komandanti i divizionit urdhëroi komandantin e batalionit të dytë të regjimentit të artilerisë 83 që t’i bënte të qarte drejtuesit bandit, se duhej të largohej nga qyteti.” shkruhet në ditarin luftarak të divizionit 100 gjerman.” Pas këtij njoftimi, komandanti partizan u përgjigj se do të largohej brenda ditës nga qyteti i Lushnjës. Siç lexohet, ky kompromis ishte i vlefshëm vetëm për rajonin e Beratit. Ndërkohë, në gjithë vendin, ushtria gjermane luftonte kundër  partizanëve, çka del qartë nga aktiviteti luftarak ditor i divizionit 100.

Për datën 7 tetor 1943, në ditarin luftarak të divizionit, shkruhet: “Grupi komunist i Beratit sa vjen e bëhet më i paturp. Ai përparoi deri në Libofshë dhe refuzoi të dorëzojë një bateri kundërajrore të fortifikuar italiane që ndodhej pranë Devollit (Kuçovës– M.K) duke i vendosur komandantit të aerodromit në Devoll kushte prepotente. Gjithmonë e më tepër po krijohet bindja se komunistët, të instruktuar nga oficerët anglezë, po përpiqen të marrin në dorë gjithë rajonin Berat, Fier, Lushnjë e deri në bregdet, me qëllim që në rast të një zbarkimi aleat të ngrenë menjëherë në kryengritje këtë rajon të rëndësishëm. Mesa duket, marrëveshja me komandantin e divizionit është vetëm një mbulesë, që u mundëson atyre arritjen e qëllimeve, pa u penguar nga ne. Për t’i dalë para këtij rreziku, komandanti i divizionit po merr në konsideratë fillimin e një aksioni aktiv të fuqishëm ndaj komunistëve. Komandanti i divizionit beson se për këtë aksion janë të nevojshme të paktën dy batalione, të cilët duhet që pasi të arrihet largimi i komunistëve, të sigurojnë rajonin e Beratit dhe të fushave naftëmbajtëse”.

Një ditë më vonë, më 8 tetor, komandanti i divizionit gjerman e qartëson më shumë qëndrimin e tij. Ai vlerësonte se,nga gjithë rrjedha e ngjarjeve, komunistët ishin duke ndjekur planin e tyre për të mos e respektuar më kompromisin e arritur. Sipas tij, ekzistonte rreziku që nëse tregonin përsëri gatishmëri për të negociuar me komunistët, ajo mund të interpretohej si dobësi. Kështu që, ai vendosi të heqë dorë nga qëndrimi i rezervuar i forcave gjermane dhe të planifikojë organizimin e një sulmi ndaj forcave partizane në jug të fshatit Kuç të Beratit, me qëllim marrjen e lartësive në jug të Kuçit për të siguruar dhe marrë në zotërim kësisoj urën e Semanit (urën e Kuçit). Për gjeneralmajorin Utz tashmë ishte e qartëse, një sulm i tillë do të shkaktonte fillimin e një lufte të përgjithshme të gjithë forcave partizane tërajonit të Beratit ndaj forcave gjermane.

Data 8 tetor 1943 rezultoi vendimtare për fatin e “Kompromisit të Beratit”. Një ditë më parë, forcat partizane kishin marrë në zotërim një lartësi pranë fshatit Kuç dhe vështirësonin lëvizjen e forcave gjermane, duke kërkuar të kontrollonin gjithë kamionët që lëviznin nërrugën automobilistike, madje edhe kamionët e ushtrisë gjermane. Po ashtu, ata penguan forcat gjermane që të mos përgatisnin minimin e urës së Kuçit. Më 8 tetor, partizanët ndaluan një kamion gjerman të forcave ajrore dhe morën rob 15 ushtarë gjermanë të armatosur. Si kundërpërgjigje, forcat gjermane të aerodromit të Kuçovës, morën rob 67 partizanë, të cilët po udhëtonin me kamion drejt Beratit. Gjermanët dërguan një negociues në Berat, me qëllim shkëmbimin e robërve të kapur atë ditë nga të dy palët. Partizanët e Beratit ranë dakord me propozimin dhe në mbrëmje, në orën 18.00 duhej të kryhej shkëmbimi i robërve. Përveç 15 ushtarëve gjermanë, mungonte edhe një nëntoger gjerman, makina e të cilit ishte gjetur e braktisur në Kuç. Për këtë rast gjermanët dërguan te partizanët majorin Schottnegg (Shotneg). Majori gjerman u prit në mënyrë shumë armiqësore nga partizanët. Ai u detyrua të priste dy orë në një dhomë, e cila u mbyll nga jashtë. Fillimisht komandanti partizan nuk deshtë ta takonte atë, por më vonë ra dakord. Biseda nuk pati rezultat pozitiv. Majori gjerman i raportonte eprorit të tij se, nga mënyra si kishte shkuar biseda, ai kishte kuptuar se komunistët po punonin për prishjen e kompromisit të arritur. Sa më sipër, komandanti i divizionit vendosi që“divizioni duhet të përgatitet për marrjen e masave të shpejta dhe energjike, me qëllim që të mos u shpëtojnë nga duart një pjesë e banditëve të Beratit dhe Patosit. Për realizimin e këtij plani duhet të aktivizohen urgjentisht forca të regjimentit të këmbësorisë malore 227, që ndodhen në Tiranë.”

Brenda natës forcat gjermanë mbërritën nga Tirana dhe të nesërmen në mëngjes, në datën 9 tetor, gjermanët sulmuan forcat partizane në jug të fshatit Kuç, por nuk hasën në asnjë rezistencë sepse partizanët ishin tërhequr nga ky rajon. Komandanti i divizionit urdhëroi ndalimin e kalimit në rrugën për në Berat, deri sa partizanët të zbatonin marrëveshjen e arritur një ditë më parë për shkëmbimin e robërve. Për këto masa, komandanti gjerman i njoftoi partizanët në Berat, duke dërguar një letër me anë të një partizani që kishin zënë rob. Gjithsesi, nuk pati asnjë shkëmbim robërish. Në datën 10 tetor, në orën 14.00, komandanti i aerodromit në Kuçovë raportonte se forcat partizane ishin larguar drejt Veriut, pasi në të gdhirë të ditës kishin ushtruar akte sabotimi ndaj rafinerive të naftës. Po ashtu, partizanët kishin hedhur në erë edhe urën mbi lumin Devoll. Fushat naftëmbajtëse ishin tashmë në duart e gjermanëve.

Në datën 13 tetor, partizanët kapën rob dy ushtarë xhenierë gjermanë. Si pasojë, komandanti i divizionit urdhëroi fillimin e një aksioni ushtarak kundër rajonit naftëmbajtës të Patosit, në të cilin mendohej se ndodhej edhe komanda partizane që vepronte në juglindje të Fierit. Ky operacion u kodua me emrin “Bashkëkohësi”. Qëllimi i tij ishte “marrja e bazës komuniste Patos si edhe kapja e armëve, municioneve dhe furnizimeve. Pasi të përfundonte aksioni, në rajonin e Patosit duhej të hynin forcat nacionaliste dhe ta merrnin në ruajte atë”.Operacioni filloi një ditë më pas, më 14 tetor në orën 05.30 të mëngjesit dhe pas disa orësh luftime, në orën 10.30, Patosi ishte në duart e gjermanëve.

Sa më sipër, duket qartë që kompromisi i arritur në Berat tashmë nuk funksiononte më. Madje, në një raportim që div. 100 malor jep më 15 tetor 1943 në instancën eprore, komandanti i divizionit shprehte se “nga të dy armiqtë, anglezët dhe komunistët, fillimisht divizioni pëlqen të vlerësojë situatën vetëm për komunistët”.  Gjithmonë sipas këtij raporti, grupimi më i rëndësishëm komunist në zonën operative të divizionit ndodhej në Berat. Numri i partizanëve shkonte deri në 1000 pushkë dhe prej fillimit të tetorit, marrëdhënia pothuajse paqësorë që gjermanët kishin pasur me ta ishte përkeqësuar, si pasojë e shumë incidenteve të ndodhura:“Divizioni është i bindur për qëllimet themelore armiqësore të komunistëve dhe e vlerëson sjelljen e tyre të tërhequr që kanë mbajtur deri tani, si ruajtje e qëllimshme e forcave për konfliktin e ardhshëm me shqiptarët nacionalistë ose për të sulmuar [gjermanët – M.K] në rast se do të zbarkojnë anglezët lidhur me tentativën që, të marrin në duart e tyre pa luftë pikat më të rëndësishme në këtë rajon nëpërmjet propagandës dhe «depërtimit»”, vlerësonte komanda gjermane. Si rrjedhim, komandanti i divizionit 100 i Wehrmacht-it, gjeneralmajori Utz arrin në përfundimin se këtyre “bandave, shpejt a vonë duhet t’u shpallet lufta”.  Para se të kryhej kjo gjë, vazhdon më tej gjenerali gjerman, “duhet që fillimisht të arrijmë të tërheqim forcat nacionaliste shqiptare të luftojnë përkrah nesh dhe ti lidhim ata me çdo kusht pas vetes”.

Këtë përfundim e mbështeste edhe fakti që, ushtria gjermane kishte forca të pamjaftueshme të përqendruar në Jugun e Shqipërisë. Për mbrojtjen e vijës bregdetare si edhe për të luftuar kundër partizanëve ishin vetëm katër batalione të këmbësorisë malore në dispozicion, ndërkohë që këto forca, në rast se aleatët do të tentonin të zbarkonin në masë, ishin të mjaftueshme vetëm për organizimin e mbrojtjes në rajonin e Vlorës. Kështu që tërheqja në bashkëpunim e forcave nacionaliste ishte shumë e rëndësishme.“Forcat nacionaliste shqiptare janë duke kryer aktualisht shërbime me shumë vlerë. Divizioni beson se, vetëm një propaganda mjeshtërore dhe intensive si edhe një bashkëpunim i ngushtë mbi bazë besimi me drejtuesit nacionaliste të Partisë [Ballit Kombëtar – M.K], janë të mjaftueshme për të siguruar në vazhdimësi sukses kundër operacioneve ushtarake kundër komunistëve”, shkruhet në këtë raport.  Sa më sipër, komanda e divizionit gjerman planifikoi fillimin e një operacioni me qëllim marrjen e rajonit të rëndësishëm të Beratit. Sulmi ndaj forcave partizane do të kryhej i kombinuar, duke goditur fillimisht bazat e ushtrisë partizane, në gjithë rajonin përreth Beratit. Operacioni i parë filloi më 22 tetor 1943 dhe ishte koduar me emrin “Pirati”, i cili u pasua me operacione të tjera si në Lushnje etj.


Në një vlerësim të përgjithshëm që divizioni 100 malor i bënte situatës në Shqipëri për periudhën 9 – 25 shtator 1943 lexohet se komunistët ishin të ndarë në dy rryma brenda tyre. Në një rrymë të moderuar, më tepër nacional-demokrate sesa komuniste, e cila ishte e gatshme për bashkëpunim  me ta. Rryma tjetër ishte ajo radikale bolshevike, e cila sipas gjermanëve drejtohej nga komunistë rusë, elementë ortodoksë greke si edhe oficerëve agjentë anglezë, të cilët pa diskutim qëndronin në pozita armiqësore ndaj gjermanëve. Gjithmonë sipas tyre,komunistë të moderuar kishte në Prefekturën e Beratit dhe ndoshta edhe në luginën e Devollit në jugperëndim të Elbasanit. Më tej në këtë shkruhet: “Komunistët e Prefekturës së Beratit drejtohen nga një shqiptar me emrin Mestan Ujaniku. Këshilltari i tij, njëfarë Gjini (Gjin Marku – M.K), duhet të jetë përgatitur ideologjikisht para lufte në Rusi (nga raportimi i një të besuari tonë).”

Nëse besojmë dokumentacionin gjerman, “Kompromisi i Beratit” nuk është bërë me Gjin Markun, por me Mestan Ujanikun. Sigurisht që më vonë Gjin Marku do të ngarkohej me përgjegjësi për këtë veprim, sepse si komisar politik nuk kishte reaguar ndaj këtij veprimi. Në fakt, sipas një raporti të kapitenit Lange, në datën 8 ose 9 tetor 1943, Myslim Peza në cilësinë e anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare kishte urdhëruar Gjin Markun të sulmonte trupat gjermane. Theksojmë se çdo anëtar i Shtabit të Përgjithshëm kishte të drejtë të jepte urdhra, të cilat duhet të zbatoheshin pa diskutim nga strukturat vartëse sepse ai konsiderohej si një urdhër i Shtabit të Përgjithshëm. Gjithmonë sipas këtij raporti, Gjin Marku i ishte përgjigjur atij se “ata kishin bërë një kompromis me gjermanët dhe për sa kohë që gjermanët e respektonin atë, do ta respektonin edhe ata”. Ndër të tjera ai thoshte po ashtu se: “sipas vrojtimit që i kam bërë sjelljes së trupave gjermane sqaroj se, ajo nuk është një sjellje e tillë, që mund të arrihet në përfundimin se gjermanët kanë ardhur këtu për të shkatërruar vendin, mirëqenien ose racën tonë. Për këtë arsye ne kemi vendosur të mos i sulmojmë gjermanët, për aq kohë sa as ata nuk na sulmojnë”. Sa më sipër, arrihet në përfundimin se grupi partizan i Beratit e kishte bërë këtë marrëveshje sipas iniciativës së tij dhe nuk le shteg për ndonjë urdhër të Shtabit të Përgjithshëm për të arritur në këtë kompromis me gjermanët.

Në arkivat tona kemi pak dokumente në formën e letërkëmbimeve të Enver Hoxhës me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm sie dhe disa qarkore ku jepen direktivat për trajtimin e pushtuesve gjermane dhe të Ballit Kombëtar, të cilat janë botuar. Po ashtu, si Mestan Ujaniku edhe Gjin Marku nuk kanë pohuar më vonë se kanë pasur urdhër nga eprorët e tyre për të realizuar një marrëveshje të tillë.

Nuk ka pasur asnjë akt me shkrim, por vetëm njëkompromis verbal. Për këtë ka disa shpjegime. Ushtria gjermane përgjithësisht nuk nënshkruante gjëra të tilla në vendet e pushtuara, e aq më tepër me grupime luftarake, të cilat nuk ishin forca të rregullta ushtarake dhe nuk përfaqësoni asgjë shtetërore. Madje, si për forcat partizane, ashtu edhe ato të Ballit Kombëtar, gjermanët përdornin termin “banda”. Si në këtë rast, sikurse edhe me Ballin Kombëtar, ushtria gjermane nuk nënshkroi “marrëveshje bashkëpunimi”, por thjesht vepronte. Kjo gjëështë e shprehur qartë në dokumentacionin përkatës ushtarak, që ne sot kemi në dispozicion.

Shpesh përdoret për këtë ngjarje edhe termi “Marrëveshja e Beratit”. Duke qenë se nuk ka pasur një akt të nënshkruar, por gjithçka është bërë në mënyrë verbale, por edhe për faktin se marrëveshja është më komplekse dhe përmban më shumë detyrime palësh sesa kjo dakordësi e arritur, termi më i goditur për këtë gjë është kompromis. Sigurisht që ky detaj nuk e nënvlerëson, sikurse edhe nuk e mbivlerëson, këtë ngjarje.

Ky kompromis ishte lokal dhe funksionoi rreth 20 ditë. Ai nuk përfaqëson qëndrimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare në të gjithë vendin. Sikurse dihet, rreth e përqark Beratit luftohej dhe pakti i mossulmit funksiononte vetëm në Berat. Madje, siç del nga raportet gjermane, sikurse e shpjeguam në detaje më sipër, vetëm në10 ditët e para mund të flitet deri diku për një kompromis funksional.

Gjermanët e shkelën kompromisin e arritur në Berat nga frika se mos po përdoreshin nga partizanët. Ata mendonin se, ky bashkëpunim ishte shtyrë nga oficerët britanikë, me qëllim që ushtria partizane të shtrinte ndikimin e saj në gjithë rajonin e Beratit, Fierit, Lushnjës e deri në bregdet. Kështu që, jo vetëm lehtësohej zbarkimi i britanikëve, por po ashtu edhe rezervat e naftës të mbledhura nga italianët në Kuçovë ishin kësisoj nën mbrojtjen e aleatëve partizanë. Në fakt, kjo është një logjikë bindëse. E bazuar ushtarakisht dhe e vlefshme politikisht. Mos të harrojmë se, njësitë partizane vepronin të pavarura, nuk kishte një lidhje të vazhdueshme me Shtabin e Përgjithshëm dhe kryesisht vepronin me iniciativën e tyre. Është plotësisht e mundur që, si Mestan Ujaniku ashtu edhe Gjin Marku, si komisar politik i qarkut Berat, të jenë ndikuar në këtë vendim nga oficerët britanikë dhe vepruan me iniciativën e tyre, pa u konsultuar me Shtabin e Përgjithshëm. Megjithatë, heshtja disa ditore e Enver Hoxhës për këtë gjë dhe reagimi i tij i vonuar, ndonëse u njoftua nga Nako Spiru për ngjarjen, le shteg për spekulime nga më të ndryshmet. Gjithsesi, për aq kohë sa nuk ka dokumentacion shpjegues për këtë gjë, hamendësimet nuk na ndihmojnë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button