Shtetet arabe vlerësojnë marrëveshjen e armëpushimit, bëjnë thirrje për paqe afatgjatë
Disa shtete arabe kanë vlerësuar marrëveshjen dyjavore të armëpushimit midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit dhe kanë mirëpritur rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
“Muskati thekson rëndësinë e intensifikimit të përpjekjeve tani, për të gjetur zgjidhje të afta për t’i dhënë fund krizës në rrënjët e saj”, tha sot ministri i Jashtëm i Omanit, Sayyid Badr bin Hamad Al Busaidi, në një postim në X – disa orë pasi armëpushimi i përkohshëm u njoftua nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Ministria e Jashtme e Egjiptit tha se pezullimi i operacioneve ushtarake amerikane paraqet një mundësi të rëndësishme për të krijuar një hapësirë për diplomaci dhe dialog konstruktiv.
Sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve Irakiane, Bagdadi beson se armëpushimi po ndihmon në lehtësimin e tensioneve në rajon dhe mbështet të gjitha përpjekjet e mëtejshme drejt dialogut.
Atmosfera ishte më festive në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku këshilltari presidencial Anwar Gargash tha se vendi “triumfoi” në luftë.
Emiratet e Bashkuara Arabe u sulmuan vazhdimisht nga Irani gjatë konfliktit, i cili filloi pas sulmeve në shkallë të gjerë nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj Teheranit më 28 shkurt. //a.i/.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.