Opinion

Shteti shqiptar bije nokaut në Strasburg

Petro Dhimitri, Gazetar

Kur ndodhi gjëma e 21 janarit 2011, që atë ditë e deri më sot populli (njerëzit e ndershëm) e dinin dhe janë të bindur që Ziver Veizin, Faik Myrton, Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën në mes të ditës, nën qiellin e  hapur të shetitores ” Dëshmorët e Kombit”, i vrau SHTETI SHQIPTAR me armët e Gardës së Republikës .Ishte dhe vazhdon të jetë ngjarja më tragjike e periudhës postkomuniste në Shqipëri. Familjarët e katër dëshmorëve dhe populli paqedashës, menjëherë pas asaj masakre ”demokratike”, e kishte të qartë që shteti, që i vrau njerëzit e paarmatosur në mes të bulevardit, kishte për të luajtur të gjithë gurët për ta nxjerrë veten të larë që urdhërvrasësi numër një i asaj kasaphane, të mos përflitej dhe të mos dënohej. Sado që ai bëri qindin të fshihej si frikacak që është, populli masivisht, madje edhe nga media, e kishte dhe e ka të qartë se kush është ai. Ndërkohë (kaluan muaj dhe vite) hetimi i 11 Janarit u kthye në një proces ku shteti, përmes hetuesve të emëruar po nga njëshi vrastar, bëri ligjin. U arrit deri atje sa të pohohej që plumbat nuk ishin nisur drejt demonstruesve. Na kishin qenë plumba në ajër që aksidentalisht nga rikosheta në degët e pemëve, u kthyen dhe vranë Ziver Veizin dhe Faik Myrton?! Një arësyetim juridik i denjë për humoristët e skeçeve. Këtë të ”vërtetë” e pranuan edhe gjyqtarët e lidhur me shtetin si mishi me kockën. Përdy të vrarët e tjerë dhe të plagosurit , edhe pse kanë kaluar 12 vjet, Prokuroria e Tiranës nuk ka patur kohë ose nuk ka qenë e” aftë” të çonte dosjen e tyre për gjykim?!

                Familjarët e viktimave të pafajëshme menduan  dhe shpresuan se kur fituan zgjedhjet socialistët, ndër punët e para që do të bënin, kishte për të qenë dhe zbardhja e vërtetë e dosjes së 11 janarit. Atyre u premtoi edhe zoti Edi Rama që vrasësit, kushdo qofshin, kanë për të dalë përpara drejtësisë. Po fjalët e thëna u harruan shumë shpejt. Çdo 11 janar përsëritej rituali i vendosjes së luleve te katër dëshmorët. Vetëm kaq. Kjo është për të ardhur keq. Forca që me të drejtë i ftoi anëtarët e simpatizantët e saj për të dalë në demonstratë, heshti. Pse? Mbase pse tërë sistemi i drejtësisë ishte me njerëzit e PD-së? Kjo është e vërtetë. Mbase i shmangeshin ndonjë revolte masive nga që udhëheqësi i PD-së njihet si njeri që dhunën e ka si lejtmotiv bazë për të friksuar kundërshtarët? Mbase, duke patur një kundërshtar që populli nuk e  ka më idhull, ai do ta kishte më lehtë të fitonte në zgjedhjet e ardhëshme? Sa shumë mbase që vetëm Edvin Rama mund t’u japi një përgjigje të saktë,( në rast se ka për të qenë i sinqertë) po të pyetet nga drejtësia.
                  Kur u krijua SPAK-u, familjet e dëshmorëve dhe populli shpresoi shumë që, ndër dosjet e para me të cilat do të merrej drejtësia e re, kishte për të qenë edhe ajo e 11 janarit. Përsëri zhgënjim marramendës! Edhe SPAK-u heshti?! Atëhere mbetej vetëm shpresa e vetme: DREJTËSIA EUROPIANE.
Prej së largu erdhi porosia që procesi të rihapej . Çuditërisht, nga frika ose ndonjë faktor tjetër, SPAK vendosi të mos merrej me atë çështje? Ia kaloi çështjen në kompetencë Prokurorisë së Tiranës. Asaj Prokurorie që për 10 vjet e kishte mbajtur dosjen në sirtar?! Me të drejtë u revoltuan familjarët e dëshmorit Aleks Nika që dërguan padi drejt e në Strasburg. Ata nuk kanë besim te ajo Prokurori. Provat filmike që kanë mund t’ia vënë dispozicion vetëm SPAK-ut, për të cilin kanë shumë respekt. REZULTATI:
                   Juristët europianë thonë të vërtetën e mirëditur nga ne se VRASJEN E KA KRYER SHTETI. Thonë që nuk kishte arsye të përdorej forca vdekjeprurëse. Zinxhiri i përgjegjësisë ishte shtrirë vetëm te oficerët e Gardës. Zyrtarët e lartë kishin bërë deklarata të nxituara. Prokuroria e Përgjithëshme u kritikua ashpër nga shteti. (Për këtë arësye Prokurorja e Përgjithëshme u shkarkua). Doemos vendimi i Gjykatës së Strasburgut saktëson shumë gjëra.
                    Pas këtij vendimi kaq të saktë dhe të argumentuar judidikisht a ka për të vazhduar SPAK-u të mos merret me dosjen e vrasjes së Aleks Nikës? Po shteti shqiptar, Kryeministri aktual dhe Presidenti, a do të vazhdojnë të heshtin dhe të justifikohen se kjo është çështje e drejtësisë kur për vrasjet e 11 Janarit 2011 nga Strasburgu akuzohet shteti shqipar?!
                    Vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut është një ndihmë e madhe për familjet e të vrarëve si dhe për drejtësinë tonë. Ai ia ka lehtësuar shumë punën prokurorëve dhe gjyqtarëve, sepse është vënë gishti mbi plagë. Është shteti që ka vrarë përmes oficerëve të Gardës. Po kush na qenkërka shteti që duhet të përgjigjet përpara drejtësisë? Fillon nga Presidenti i atij viti, nga Kryeministri, Ministri i Punëve të Brendëshme, Komandanti i Gardës, Shefi i Policisë së Tiranës, hetuesit që prishën provat, gjykatësit që mbrojtën ata që dhanë urdhër për të qëlluar. Duhet pyetur ( me që nuk u pyet asnjëherë) Prokurorja e Përgjithëshme që padrejtësisht u anatemua. Pse jo edhe edhe Rama si drejtues i forcës që organizoi demonstratratën. Lista është e gjatë. Përfshihen dhe të plagosurit e asaj dite. Ndokush prej tyre kryente detyrën si gazetar dhe ishte shumë larg Kryeministrisë.
                      Duke u gjykuar fajtorët e këtij krimi shtetëror, Shqipërisë i lehtësohet shumë puna për procesin e  pranimit në Bashkimi Europian. Kjo ka rëndësi tejet të jashtëzakonëshme. As edhe një vend nuk ka për të qenë dakord që të hidhen hapa të mëtejshëm në këtë proces, deri sa të mos jenë ndëshkuar të gjithë ata zyrtarë që me urdhërat ose mosveprimet e tyre, shkaktuan atë gjakderdhje krejt të panevojëshme kur demonstrata ishte paqësore, po ama jo pa raste dhune. Mbetën të dëmtuar dhjetra policë, të cilët e kryen detyrën e tyre në mënyrë shëmbullore. Me plumba nuk mund të qëllohen njerëzit e paarmatosur pse janë duke protestuar në bulevard. Aq më shumë që kjo ndodhi kur njerëzit ishin duke u shpërndarë. Pra, nuk kishte as edhe një rrezik?!
                       POPULLI PRET PËRGJIGJE. Do që SPAK të përveshi llërët dhe urgjentisht ta vërë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur të drejtësisë së Shqipërisë. Vetëm kështu ka për të na u hapur rruga për të hyrë denjësisht në Bashkimin Europian. Mjaft më që vrasësit të jenë të lirë dhe të vazhdojnë të mbajnë konferenca, duke  tundur si hajmalie triskën e deputetit!
                                                                                             Petro Dhimitri

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button