Shtetrrethimi në Francë tani i lejon fëmijët të tymosin në shkolla
Vendimi për të lejuar nxënësit që të tymosin brenda ambienteve të shkollave, pa dyshim që duhet të jetë një nga efektet anësore më të çuditshme të vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e autoriteteve franceze. Që prej katër muajsh, policia dhe ushtria kanë vendosur masa të ashpra, pas sulmeve terroriste të nëntorit, ku u vranë 130 persona
Është pushimi i drekës dhe 17-vjeçari i quajtur Karim ecën drejt trotuarit jashtë liceut të tij në Paris, i paduruar për të ndezur një cigare. Ai po studion në degët shkencore, dëshiron që të bëhet një agjent i pasurisë së paluajtshme dhe shkolla i duket si diçka e mirë. Por adoleshenti gjithmonë gjen kohën për të dalë jashtë kur është pushimi i madh për të tymosur. “Është thjesht vetëm një cigare. Unë kam pirë duhan që kur isha 16 vjeç”, tha ai duke e thithur një herë cigaren e sapondezur për “The Guardian”. “Më pëlqen që të dal jashtë shkolle që të marr pak ajër të pastër. Por për t’u habitur, që këto ditë mësuesit më kishin lejuar që vetëm ta ndizja një cigare në oborrin e shkollës.”
Më tutje, një djalë me flokë të gjatë të lëshuar dhe të ngrirë, që mban veshur një bluzë me kapuç, miraton. Duke qenë se mamaja e tij nuk e di që ai tymos, nuk ka dëshirë që ta tregojë emrin. Duke qenë vetëm 15 vjeç, tri vite më i vogël sesa mosha 18-vjeçare, ku ligjërisht të lejohet të pish duhan në Francë, ai është i lumtur që ka mundësinë të ndezë një cigare në oraret 10:00, mesditë dhe në 15:00. Drejtuesit e liceut i lejojnë ata që të qëndrojnë në fushat sportive për të tymosur, madje u kanë vendosur aty edhe tavllat, kështu që qindra adoleshentë nuk kanë pse fshihen. “Të rrish në shkollë për të pirë duhan të kursen shumë kohë. Nuk ke pse del nga dera e pastaj të vraposh prapë në klasë që të kapësh leksionin e radhës. Është më shumë praktike dhe më pak stresuese.”
Vendimi për të lejuar nxënësit që të tymosin brenda ambienteve të shkollave, pa dyshim që duhet të jetë një nga efektet anësore më të çuditshme të vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e autoriteteve franceze. Që prej katër muajsh, policia dhe ushtria kanë vendosur masa të ashpra, pas sulmeve terroriste të nëntorit, ku u vranë 130 persona.
Gjithsesi, Franca që prej vitit 1950, kur ishte në luftë kundër Algjerisë, ka jetuar në një situatë gjendjeje të jashtëzakonshme. Masat emergjente i jepnin të drejtën policisë që të kryente shumë kontrolle, pa pasur nevojën e një mandati dhe madje të vendosë mbi 290 persona në arrest shtëpie pa iu nënshtruar një procesi ligjor normal, kanë ngjallur shumë debate dhe kritika nga avokatët dhe ekspertët e Kombeve të Bashkuara.
Grupet e djathta kanë deklaruar se myslimanët kanë qenë pa të drejtë objektiv. Për më tepër që këto ankesa janë ndjekur edhe juridikisht.
Një prej këtyre masave të sigurisë është se tani nxënësit nga 15 vjeç e sipër mund të pinë duhan brenda ambienteve të shkollës.
Për dekada me radhë, turmat e mëdha të nxënësve në trotuaret përpara liceve të tyre, duke tymosur apo mbllaçitur duhan dhe në disa raste duke konsumuar substanca të tjera të palejuara gjatë pushimit të drekës, ka qenë një nga pamjet e jetës parisiene. Qindra prej tyre e bëjnë këtë gjë.
Është e vështirë që ta shikosh qartë rrugën përpara liceve të Parisit, për shkak të tymit që bëhet aty gjatë pushimit 10 minutash ndërmjet orëve të filozofisë dhe ekonomisë.
Por këto turma adoleshentësh që nuk rrinë dot pa cigare kanë bërë që autoritetet shtetërore të jenë të shqetësuara.
Nëse Parisi u bë objekt sulmi nga persona të armatosur me kallashnikov, a nuk janë këta nxënës një pre e lehtë për terroristët? Këtë rrezik drejtuesit e institucioneve edukuese nuk donin ta ndërmerrnin, sidomos pas alarmeve të rreme për bomba që licetë përjetuan në muajt e fundit. Në Francë, frika së fëmijët do të sulmohen nga terroristët ngelet e madhe.
Kështu, pavarësisht moshës më të ulët se 18 vjeç dhe faktit që duhani nuk lejohet as në shkolla dhe as në vende pune, drejtuesit e liceve të inkurajuar nga Ministria e Arsimit, kanë vendosur që të aplikojnë rregulla të veçanta, duke i lejuar nxënësit të tymosin brenda ambienteve shkollore. Madje, u kanë mundësuar atyre edhe tavlla duhani.
Kjo gjë nuk i pëlqen Ministrisë së Shëndetësisë dhe doktorëve që vazhdojnë të bëjnë apel se duhanpirja shkakton dëme në shëndet dhe varësi. Por në shumë shkolla, mendojnë se është më mirë t’i mbajnë nxënësit larg trotuareve dhe e mbyllin një sy për vesin e tyre aspak të shëndetshëm.
“Në këto kohë që jetojmë, rreziku është i madh në rrugët tona. Dhe kur ti vendos mbi një mijë fëmijë në një trotuar në një lagje parisiene, rreziku është i menjëhershëm për ne”, u justifikua Christel Boury, drejtues i liceut “Voltaire” në lindje të Francës.
“Unë u shokova. Nuk e prisja që do të na komunikonin diçka të tillë”, tha Lea, 17 vjeçe, që zakonisht pi nga një cigare gjatë pushimeve të shkollës dhe më pas e ndez një, sapo del nga klasa. “Mësuesit kanë kaluar kaq shumë kohë duke na thënë se duhani të vret dhe tani po na mundësojnë hapësira speciale në oborrin e shkollës që ne të tymosim. Uau! Unë vetë nuk është se tani pi më shumë, por disa të tjerë po. Disa që e kanë të nevojshme një cigare edhe kur ndërrohen orët zbresin poshtë dhe e ndezin ndonjë.”
Tani të gjithë pyesin kur masat emergjente do të hiqen nga shteti. Deri tani, ato janë shtyrë dy herë dhe është caktuar që të përfundojnë më 26 maj.
Opinioni publik është pro tyre. Në shkurt, kur masat emergjente u shtynë edhe për tre muaj të tjerë, katër nga pesë njerëz ishin në favor të tyre. Madje disa persona pyesin nëse do të shtyhet edhe kur të zhvillohet kampionati europian në vend që nisë në qershor.
Kurse në shkolla, drejtuesit mendojnë nëse është mirë që hapësirat brenda shkollës për tymosje t’i lënë deri në fund të vitit shkollor.
Jashtë liceut të tij, Vincenti, 15-vjeçar, që nuk pi duhan, mbledh shpatullat: “Menjëherë pas sulmeve, ne të gjithë ishim mjaft të frikësuar. Kurse tani ti vazhdon të bësh jetën tënde. Nëse një terrorist me të vërtetë do të donte të futej në shkollën tënde dhe të sulmonte, ai një mënyrë për ta bërë këtë gjë do ta kishte gjetur gjithsesi”.